Analize

Alarm në BE. Si po shesin pasaportat Malta, Qiproja e Bullgaria

Brukseli zyrtar ngre alarmin se shitja e nënshtetësisë është kthyer tanimë në një industri fitimprurëse për disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat kanë hapur dyert për kriminelët dhe oligarkët që duan të pastrojnë paratë.

Së fundmi, Komisioni Europian ka paralajmëruar se skemat e disa prej vendeve anëtare për të shitur nënshtetësinë, janë duke ndihmuar grupet e huaja të krimit të organizuar të depërtojnë në unionin europian dhe të rrisin rrezikun e pastrimit të parave, korrupsionit dhe evazionit fiskal.

Duke paralajmëruar se do të nisë një hetim të detajuar, Komisioni tha se shitja e nënshtetësisë ka çuar në rritjen e infiltrimit të grupeve të krimit të organizuar në Europë. Malta, Qiproja dhe Bullgaria janë përfshirë nga skema të mëdha korruptive për shitjen e nënshtetësinë, por as vendet e tjera nuk kanë mbetur pas, duke ofruar leje qëndrimi për persona të dyshimtë. Por në këto tre vende, të huajt e pasur mund të blejnë pasaporta, të cilat u japin atyre qasje të papenguar në shumicën e vendeve të BE-së, për investime që variojnë nga rreth 1 milion e 2 milionë euro. Nëpërmjet një raporti, komisioni se Qiproja, Bullgaria dhe Malta nuk kryenin kontrolle për origjinën e pasurisë së individëve që blinin shtetësinë e tyre, duke u hapur kështu rrugën oligarkëve rus dhe kinezë që duan të pastrojnë paratë por edhe një sërë grupesh kriminale nga Ballkani, Azia dhe më gjerë.

Nga 28 vendet anëtare të BE-së, njëzet prej tyre shesin lejet e qëndrimit për shtetasit e huaj. Vendbanimi shitet kundrejt investimeve që shkojnë në më pak se 15,000 euro në Kroaci dhe në mbi 5 milionë euro në Luksemburg dhe Sllovaki. Por raporti ngre dyshime edhe për Portugalinë, duke e kritikuar për dhënien e leje qendrimit për të huajt që rrinë në vend vetëm për shtatë ditë në vit, edhe pse rregullat e BE-së kërkojnë "prezencë të vazhdueshme.”

Sipas komisionit, as Portugalia nuk bën kontrolle mbi origjinën e pasurisë dhe pagesat e bëra nga të huajt që marrin një vendbanim atje, duke u kthyer kështu në një strehë për pastrimin e parave. Të hënën zyrtarët europianë njoftuan se do të krijojnë një grup ekspertësh që do të rekomandojnë deri në fund të vitit masat për t'iu kundërvënë rreziqeve të shkaktuara nga këto skema.

Bullgaria konsiderohet si rreziku më i madh, pasi gjatë viteve të fundit ka shitur miliona pasaporta bullgare në këmbim të ryshfeteve. Nga kjo skemë kanë përfituar edhe mijëra shqiptarë, falë komuniteti t bullgar në vendin tonë.

Rrezik serioz për BE-në

Masat e marra nga Komisioni vijnë pasi “Transparency International” ngriti alarmi se Europa u ka hapur derën kriminelëve për shkak se disa shtete anëtare po shisnin shtetësisë për para. Sipas ekspertëve, skemat e vizave të artë ofrojnë një strehë të sigurt për oligarkët që duan të pastrojnë paratë ose duan të largohen nga vendet e origjinës pa ngritur dyshime.

Rasti më flagrant, ishte ai një biznesmen rus që pastronte paratë nëpërmjet një firmë të pasurive të paluajtshme në Finlandë, pasi kishte blerë shtetësinë malteze. Një tjetër skandal ishte ai i Hungarisë që i dha lejë qëndrimi familjes së shefit të shërbimit të fshehtë të inteligjencës së Kremlinit, edhe pse e ka të ndaluar të hyjë në vendet e tjera evropiane.

"Këto skema paraqesin rreziqe serioze pët shtetet anëtare dhe për BE-në si tërësi: Nga njëra anë ekziston rreziku i kriminelëve të korruptuar që hyjnë në BE dhe nga ana tjetër ekziston rreziku i korrupsionit brenda vetë shteteve anëtare ", u tha gazetarëve në dhjetor Laura Brillaud, përfaqësuese e “Transparency International”.

"Pasaportat dhe vizat e BE nuk janë mall që shiten dhe blihen”, shtoi ajo. "Ne kemi nevojë për një ligj që do të frenojë shitjen e të drejtave të shtetësisë europiane dhe ne duhet të rrisim luftën kundër pastrimit të parave. Komisioni duhet të vendosë standarde minimale për këto programe dhe të sigurohet që ato të jenë në përputhje me të gjitha qeveritë që ofrojnë pasaporta dhe viza për investitorët."

Për vitin 2018, Spanja, Hungaria, Letonia, Portugalia dhe Mbretëria e Bashkuar dhanë numrin më të madh të leje qëndrimeve për investitorët dhe familjet e tyre, pasuar nga Greqia, Qiproja dhe Malta.

Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë fituar rreth 25 miliardë euro investime të huaja direkte përmes programeve të vizave të arta, njoftoi raporti. Qiproja ka fituar 4,8 miliardë euro që nga vitit 2013 me shitjen e më shumë se 3,000 pasaportave për biznesmenë të diskutueshëm nga Ukraina, Rusia dhe Siria. Malta fitoi rreth 718 milionë euro që nga viti 2014 ndërsa Portugalia fitoi 4 miliardë euro me dhënien e mbi 17,000 lejeve të qëndrimit që nga viti 2012.

Europa strehë për rusët

Sipas të dhënave, Qiproja, Hungaria dhe Malta kanë shitur viza për biznesmenët rusë në këmbim të qindra mijëra eurove. Në Budapest për shembull, falë blerjes së obligacioneve qeveritare me vlerë prej 250 deri 300,000 euro, shtetasve që nuk janë anëtarë të BE-së iu është dhënë leja e qëndrimit dhe mund të udhëtojnë në të gjithë zonën Shengen.

Ndër personat që mund të udhëtojnë lirshëm në Europë falë korruptimit të administratës hungareze janë Dimitri Pavlov, i cili në të kaluarën ishte kreu i mafies ruse "Izmaylovskaya", dhe Aleksei Jankevich, presidenti i Gazpromit.

Budapest

Qiproja nga ana tjetër është konsideruar si “Moska e re” e Mesdheut, e njohur gjerësisht si një nga qendrat e financimeve ruse në det të hapur. Qiproja ka mundësuar maskimin e fondeve të mëdha një mënyrë të sofistikuar, duke u kthyer kështu në “lavatriçen kryesore” të Rusisë për pastrimin e parave. Gjithçka filloi pasi qeveria qipriote modernizoi programin e dhënies së pasaportave, në mënyrë që ishulli të rimëkëmbej nga kolapsi i sistemit bankar të 2013 dhe nga reçensioni që pllasoi rajonin. Tanimë të huajt mund të bëhen qytetarë qipriot për më pak se gjashtë muaj në këmbim të një investimi prej të paktën 2 milion eurosh.
Që atëherë, kombi ishullor ka lëshuar rreth 2,000 pasaporta, shifër e konfirmuar edhe nga Ministri i Financave, Harris Gjeorgjdi, në një intervistë të dhënë së fundmi. Sipas “PriceëaterhouseCoopers” gjysma e këtyre pasaporta janë dhënë për qytetarë rusët.

Si blihet shtetësia europiane?

Në një intervistë në kushte anonimiteti, një ish-ekzekutiv i telekomunikacioneve në Moskë rrëfen për “The Independent” se sapo ka marrë pasaportën qipriote, duke zbuluar pak nga skema e pastrimit të parave në ishull. Hapi i parë ishte zhvendosja e pasurive të tij nga Rusia. Pastaj ai kishte filluar të kërkonte për një nenshtetësi të dytë, kishte shkuar në Maltë dhe disa vende të tjera por u vendos në Qipro sepse sipas tij, atje gjithkça ishte më e lehtë dhe më e shpejtë.

Qipro

Gjithçka kishte shkuar bukuri. Në gusht, ai bleu dy vila në Limasol për 5 milionë euro dhe në dhjetor, mori pasaportën qipriote. Edhe pse miliarderët kanë shumë mundësi zgjedhje për t’u pajisur me pasaporta dhe leje qëndrimi, nga Karaibet derin tek rivalët e BE-së si Malta, Qiproja është shumë më e shpejtë. Anëtarësimi ishullit në BE gjithashtu e bën pasaportën qipriote një biletë të artë, duke mundësuar udhëtimin në 147 vende, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Japoninë, pa marrë vizë paraprakisht.

Shitja e shtetësisë evropiane ka ngritur shqetësime në mesin e deputetëve të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se kombi i vogël mesdhetar po konsiderohet si dera e pasme për në Evropë. Një nga arsyet pse rusët pajisen me pasaporta është se nënshtetësia qipriote i ndihmon të shmangin sytë e uritur të qeverisë së tyre dhe të paguajnë taksa më të ulëta. Gjithashtu, marrja e nënshtetësisë mund ta bëjë më të lehtë lëvizjen e parave, sepse bankat i shohin ata si investitorë vendas dhe jo si të huajt të dyshimtë.

Ndikimi ka aq qenë i thellë, sa ka çuar në 4 miliardë euro investime të huaja vitin e kaluar, ekuivalent me gati një të katërtën e prodhimit ekonomik vjetor të ishullit.

“Arsyeja më e madhe pse biznesmenët rusë që i transferojnë paratë e tyre në Qipro ose vende të tjera në det është se kanë frikë se mos i humbasin- tha Svetlana Ledyaeva, profesoreshë në Universitetin ‘Aalto’ në Finlandë- Rusia është e paqëndrueshme politikisht dhe një rus mund të shkojë për të fjetur si miliarder, por mund të zgjohet në burg, pa asnjë kacidhe, pasi e gjithë pasuria e tij do të jetë konfiskuar brenda natës nga qeveria.”

Ndërkohë, rusi që mori pasaportën e tij pas blerjes së dy vilave, tanimë është duke transferuar kompaninë e tij holandeze në Qipro për të përfituar nga të mirat që erdhën bashkë me nënshtetësinë e tij të re: përjashtimi nga taksat për 17 vjet. Normalisht, kjo nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të mos paguar taksat në Rusi, pasi Presidenti Vladimir Putin filloi të tatonte edhe pasuritë në det të hapur. Por duke qenë se tani, ai pretendohet të paguajë taksat qeverisë qipriote, autoritetet lokale nuk kanë përse të raportojnë të ardhurat e investimeve të tij tëk Moska. Ministria qipriote e Financave e sheh programin e pasaportave dhe heqjet e taksave si një sukses që ka ndihmuar në daljen e Qipros nga recesioni trevjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë