Kinema

Al Pacino në petkat e Lirit, mbreti i çmendur i Shekspirit

Al Pacino si Shajlok, në filmin shumë të vlerësuar të 2004-ës, “Tregtari i Venedikut”, prodhuar nga i njëjti ekip me atë të “Mbreti Lir”. Foto Allstar/Sony Pictures

Për vite me radhë ishte pëshpëritur në qarqet artistike. Tanimë është zyrtare. Al Pacino do të interpretojë Mbretin Lir në ekranin e madh, duke udhëhequr kastën e filmit të përshtatur nga tragjedia e Shekspirit, që do të nisë xhirimet vitin e ardhshëm. Pacino bëri emër duke interpretuar gangsterë dhe policë në filma si “Kumbari”, “Njeriu me shenjë” dhe “Serpico”. Me Mbretin Lir, ai po ndjek hapat e Laurence Olivier-it dhe Orson Welles-it, duke ndërmarrë një nga rolet më të lakmuar në botë. Historia e rënies së monarkut, të njëherë e një kohe, në marrëzi do të vijë nën regjinë e britanikut Michael Radford, i cili ka realizuar filma si “Postieri” e për të cilin ka marrë edhe një kandidim për Oscar. 78 vjeçari Pacino dhe Radford janë bashkuar me producentin Barry Navidi, duke ndjekur filmin e lëvduar nga kritika “Tregtari i Venedikut”, më 2004-ën, ku Pacino interpretoi Shajlokun. Duke e përshkruar rolin si “madhështor”, Radford ka thënë se “Liri është një nga ata role që të gjithë e synojnë. Ali ka flirtuar me idenë për një kohë të gjatë. Ka ndryshim mes Shajlokut, i cili është në vetëm pesë skena dhe Lirit, që është,pak a shumë, në çdo skenë. Është gjigante. Mendoj se Pacino, do të pëlqente të kishte atë lloj lavdie, sepse është aktor i hatashëm.” I admiruar për stilin e thellë të aktrimit, ylli amerikan i kinemasë e nisi karrierën në teatër, duke bërë emër pasi regjisori Francis Ford Coppola e përzgjodhi për rolin e Michael Corleone-s, i biri i gangsterit, në “Kumbari”.

https://www.youtube.com/watch?v=th7euZ30wDE

Dokumentari i vlerësuar “Duke kërkuar Rikardin”, pasqyronte pasionin e tij jetëgjatë për Shekspirin. Portretizimi i Shajlokut nga Pacino tek “Tregtari i Venedikut” u duartrokit nga kritikët. Philip French e ka lëvduar portretizimin kompleks të Pacino-s, duke e përshkruar filmin si “ i pashëm” . Filmi rezultoi sukses edhe financiar. Arkëtimet në kinema, bashkë me DVD-të, kapën shifrën e 32 milionë dollarëve, që është shifër e majme, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e filmave të Shekspirit kanë kapur fitime nga 10 deri në 25 milionë dollarë. Pacino ka thënë se Shekspiri në film “duhet provuar më shpesh…për ta çuar njerëzimin, për të cilin Shekspiri shkruan, në karaktere dhe për ta shprehur atë.” Xhirimet janë planifikuar për vjeshtën që vjen, ka zbuluar producenti Barry Navidi. “Përpara kishim pasionin dhe dëshirën, por nuk kishim një datë. Tani kemi të gjithë energjinë për ta bërë. Po krijojmë, me shpresë, një film epik.” Ai e ka përshkruar adaptimin si “shumë besnik” ndaj Shekspirit. “Michael dhe Ali do t’i qëndrojnë poezisë origjinale”, ka thënë ai. “Por ka shumë për të bërë me zhvillimin dhe pamjet. Mënyra sesi Michael-i i kombinon dhe i bën më të aksesueshme, është e natyrshme dhe jo e sforcuar.” Si produksion britanik, edhe sheshxhirimet do të jenë në Britani. “Mbreti Lir nuk është i vendosur në një epokë të caktuar”, ka thënë Radford. “Është një epokë e fantazuar, ku gjendet një vend i quajtur Dover. Kam qenë në bisedime me një kompani të madhe efektesh speciale, duke menduar “ç’mund të bëjmë për të krijuar diçka që nuk ekziston në të vërtetë? Shumë njerëz mendojnë rreth mbretit Lir në mënyrën klasike, në një botë mesjetare ku njerëzit veshin parzmore. Dua që bota të jetë e njohur, jo fizikisht, por psikologjikisht.”
*Dalya Alberge / The Guardian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë