Futboll

Akuzoi hapur Federatën e Kosovës, dënohet 1 vit presidenti i Prishtinës

Akuza të forta dhe të drejtpërdrejta për Federatën e Futbollit të Kosovës nga presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi. Akuza që i kanë kushtuar atij 1 vit dënim për moskryerje të funksionit të presidentit të Prishtinës. Ejupi e ka akuzuar fillimisht për korrupsion të pastër FFK-në dhe pas dënimit është treguar edhe më i ashpër, duke theksuar se kjo federatë dënon edhe fjalën e lirë.

“Mbrëmë – natën – Federata e Futbollit e Kosovës e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të Prishtinës. Këtë FFK e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë. Ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga disa individë, të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK dhe futbollin e Kosovës”, - shprehet Ejupi në një postim të fundit drejtuar sportdashësve kosovarë.

Remzi Ejupi, presidenti i Prishtinës. Gazeta Si, 14 janar 2021

Presidenti i Prishtinës kalon më tej në detaje, duke ngritur shumë pikëpyetje për destinacionin e fondeve që përfiton federata nga UEFA dhe FIFA. “Prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë si delegat, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë.

Kam kërkuar sqarim, kam propozuar një auditim të pavarur, pasi nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK. Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë ku kanë përfunduar paratë e biletave të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës. Është detyrë jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës”, - shprehet Ejupi.

Kreu i klubit prishtinas ngre dyshime edhe për atë çfarë ka ndodhur së fundi me kombëtaren e Kosovës: “Kryesia aktuale e FFK ta thotë të vërtetën e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës. Humbëm shansin ideal të kualifikimit në Europian, Kosova humbi 15 milionë euro, me të cilat futbolli ynë do kalonte automatikisht në një nivel tjetër. Është normale të kërkojmë llogari për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, punësimet pa konkurse, mënyrën si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë.

Këto pyetje do t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, që është dashtë të mbahej qysh moti. Por ata që e kanë kapur FFK vazhdojnë të marrin kohë dhe të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto. Ma ndaluan pjesëmarrjen, duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë ishte opsioni i vetëm i tyre. Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzisht!”, - përfundon Ejupi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë