Politike

Të gjitha akuzat e PD të çojnë drejt Prokurorisë

Fundjava që lamë pas ishte e ngjeshur me akuza dhe kundërakuza mes palëve politike. Partia Demokratike përqendroi akuzat e saj kundër dy deputetëve socialistë. Njërin e akuzoi si anëtar të bandës së Emiljano Shullazit, ndërsa tjetrin si “kontakt” dhe sekser të një të akuzuari për trafik ndërkombëtar droge.

Ditën e shtunë, deputeti Ervin Salianji doli para gazetarëve dhe akuzoi deputetin socialist, Jurgis Çyrbja nisur nga disa përgjime që u publikuan në media, sipas të cilave, deputeti i Qarkut të Durrësit komunikon me Gilmando Danin, që nga Prokuroria konsiderohet si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

Demokratët heqin barazimin mes Çyrbes dhe Shullazit, ndërsa futjen e tij në Parlament e interpetojnë si marrje në mbrojtje nga Edi Rama. Deputeti Jurgis Çyrbja, përmes një postimi në rrjetet sociale mohoi akuzat. Ai thotë se të gjitha shpjegimet i ka dhënë në Prokurori, por pikërisht nga Prokuroria hedh sytë edhe opozita.

“Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti i Edi Ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmando Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çështjen e Hotel Vollgës. Kjo pronë është regjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në Parlament nën mbrojtjen e Edi Ramës”, deklaroi Salianji.

Pas Salianjit ishte Edi Paloka që doli për mediat, duke marrë shkas nga arrestimi i Mond Begos në Gumenicë të Greqisë. Bego u ndalua nga autoritetet greke, që thanë se bazë ishte një urdhër-arrest ndërkombëtar i lëshuar nga italianët, që e akuzojnë atë për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Pyetja që ngrenë demokratët në këtë rast i drejtohet kreut të Grupit Parlamentar Socialist.

“A është Taulant Balla politikani që e ka marrë në mbrojtje trafikantin e drogës dhe bën biznes me të?”, deklaroi Paloka.

Ashtu si Çyrbja, edhe Taulant Balla iu përgjigj jo pa ironi akuzave në rrjetet sociale. Fton opozitën që të ngrejë akuzat në Prokurori dhe paralajmëron shtatorin si momenti i së vërtetës për të gjitha këto akuza.

“Ngrini akuza, lërini pyetjet! Duhen për në Gjykatë përsëri. Le të na gjykojë në fund publiku, siç do na gjykojë në shtator për “Babale 1”, e më pas edhe për “Babale 2” etj”, thotë ai.

https://www.facebook.com/b.taulant/photos/a.289748271070781/1857670170945242/?type=3&theater

Por, po përmes rrjeteve sociale, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edmond Spaho ngre një tjetër pyetje për kolegun Balla.

“Taulant Balla duhet të na thotë se çfarë e lidh atë me trafikantin e rrezikshëm ndërkombëtar të drogës? Për një përgjigje sa më të kthjellët, mjafton të zbresë disa kate nga apartamenti i tij dhe si zakonisht të pijë një kafe tek “Hilton”, shkruan Spaho.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1072035392963995&id=442305982603609

Për të dy rastet foli edhe Enkelejd Alibeaj, ndërsa Lulzim Basha postoi një video për të akuzuar Kryeministrin se ka mashtruar shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë me shpalljen e fitores në luftën kundër hashashit.

Në të gjitha deklaratat e demokratëve i bëhet thirrje Prokurorisë që të hetojë, megjithëse këtë institucion opozita e cilëson si të kapur nga mazhoranca.

“Heshtja e prokurorisë do të jetë një tjetër e dhënë që edhe ky organ tashmë është tërësisht në mbështetje të krimit të organizuar dhe jo në luftë me të. Çfarë e pengon prokurorinë të zbatojë ligjin Antimafia për sekuestrimin e pasurisë dhe bizneseve të trafikantit ndërkombëtar të drogës Mond Bego?”, thotë Edi Paloka.

Nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim, por klima e këtyre ditëve të nxehta të gushtit paralajmëron një klimë akoma më të nxehtë politike në shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë