Politike

Akuza për vdekjet nga Covid, Rama: Basha ka kaluar çdo cak. Kryetari i PD nuk tërhiqet

Dy ditë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha foli për një denoncim që ka mbërritur në zyrën e tij nga morgu i Tiranës, sipas të cilit, numri i viktimave të Covid nga marsi në tetor është rreth dy herë më i lartë.

“Ka ardhur një denoncim i cili është verifikuar siç ju thashë dhe keni shifrën e vdekjeve të raportuara zyrtarisht deri në fund të tetorit dhe keni vdekjet e vërtetuara si vdekje nga COVID-i në morgun e Tiranës. Vdekjet e vërtetuara janë vetëm të pacientëve në spitalet COVID, jo atyre që kanë vdekur në shtëpi dhe për këtë ne disponojmë edhe listën me emrat e viktimave ditë për ditë”, tha Basha gjatë një interviste për Opinion.

Pas reagimit të mjekëve të Infektivit, reagoi edhe kryeministri Rama. Ai thotë se është akuzë e pashembullt porse do të flasë nesër me gjatë përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë.

“Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t'u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!”, shkruan Rama në Facebook teksa shpërndan edhe reagimin e mjekëve.

Por Lulzim Basha nuk tërhiqet. "Edi Rama po gënjen dhe po fsheh numrin e viktimave të COVID-19 në Shqipëri. Ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën në emër të jetëve të humbura", shkroi ai dhe postoi këtë video.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë