Rend dhe Ligj

AKU gjobit mbi 20 subjekte për produkte të pasigurta

Autoriteti Kombëtar të Ushqimit gjatë 125 kontrolleve dhe monitorimeve të kryera në 24 orët e fundit, nën rrethanat e mbrojtjes ndaj Covid -19, raporton se në 24 orët e fundit ka gjobitur dhe ndëshkuar mbi 20 subjekte tregatre për produkte të pasigurta dhe mungesë të masave mbrojtëse.

Sipas AKU në qytetin e Fierit, është dhënë masa administrative me “gjobë” në një subjekt, për mungesë të masave mbrojtëse për parandalimin e Covid-19 në vlerën e 50 mijë lekëve si dhe janë marrë 2 masa administrative “paralajmërim “ për mosrinovim të librezave shëndetësore dhe analizës së ujit.

Nga kontrollet e kryera AKU raporton se:

-Nga kontrollet e kryera në Tiranë, janë dhënë 6 masa administrative “paralajmërim”, si dhe janë marrë 6 mostra për kryerjen e analizave laboratorike.

–Në Shkodër janë marrë 6 masa administrative “paralajmërim” dhe është bërë bllokimi i një sasie prej 12.8 kg qumësht, pasi u cilësua i pasigurt për konsum human.

-Ndërsa në Elbasan në kuadër të monitorimit të periudhës intensive të përdorimit të imputeve bujqësore, në 3 subjekte janë marrë 7 mostra për analizim dhe janë bllokuar 790 kg farë misri deri në daljen e rezultatit të analizave. Gjithashtu janë marrë 9 mostra për analizim në subjekte të përpunimit të mishit, ku janë bllokuar 650 kg produkte, sallam dhe qofte deri në daljen e përgjigjeve të analizave laboratorike.

-Në Vlorë në 1 nga marketet e kontrolluara, janë bllokuar 5395 kuti qumështi i konstatuar i pasigurt për konsum me qëllim kthimin në origjinë.

-3 mostra për analizim janë marrë në Korçë në një stabiliment përpunimi qumështi, ndërsa në Dibër janë marrë 8 mostra për analizim kryesisht në nënproduktet e qumështit (djathë deleje, djathë lope, kos lope, jufka dhe sheqerpare).

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në përputhje edhe me kërkesat e legjislacionit në fuqi do të vijojë të jetë i pranishëm në të gjithë territorin për të garantuar sigurinë ushqimore, shkruhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë