Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij para grupit parlamentar të socialistëve këtë të hënë, duke folur me shifra, që sipas tij provojnë që qeveria që ai drejton ka ulur kriminalitetin në vend dhe ka pesëfishuar sekuestrimin e aseteve të krimit në krahasim me demokratët.
Rama akuzoi opozitën për hipokrizi dhe se në të vërtetë ajo po e mbron krimin përmes fushatës së saj të shpifjes e baltosjes, sipas tij.
“Sa më shumë përshkallëzohet lufta frontale e policisë me krimin, aq më shumë përshkallëzohet fushata e përbaltjes dhe shpifjes”, u shpreh ai.
Si dy shembuj tipikë të shpifjes opozitare merr akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ato ndaj kreu të grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla. Duke u ndalur tek akuzat ndaj Fatmir Xhafajt, Rama risolli në kujtesë së analiza laboratorike e audio-përgjimit provoi që ai ishte i rremë, dhe ashtu siç premtoi të dielën foli për një zhvillim të ri në hetimin e kësaj dosjeje. Sipas Ramës, veç analizës, foli edhe për pendimin e një prej bashkëpunëtorëve të Albert Veliut, njohur edhe si Babalja.
“Ajo bisedë nuk ka ekzistuar kurrë. Vëllai i ministrit në atë audi-përgjim është një aktor mjeran i joshur për të luajtur atë rol në këmbim të parave. Kur fola atë ditë, e kisha konfirmimin në një laborator shkencor ndërkombëtar, përndryshe s’mund të ndërmerrja atë hap. Sot, për fat të keq të Lul Bashës dhe lehaqenieve të kazanit mediatik, nuk është vetëm analiza shkencore që e nxjerr të fabrikuar, është edhe vetë aktori i papaguar, sipas premtimit të dhënë në emër të Lul Bashës, që i ka dalë për zot zërit të vet në audio-përgjim. Ky që kërkon vetting për thashetheme, nuk ka mbajtur fjalën e dhënë dhe aktori i kësaj farse kriminale e ka tradhtuar regjisorin, sepse nuk ka marrë eurot e premtuara për rolin, njësoj si Babalja. Si mund të katandiset një parti politike në këtë gjendje?”, u shpreh Kryeministri.
Rama nuk ja përmendi në asnjë moment emrin, por nga ajo që publikoi prokuroria, duket se Kryeministri foli për një rrëfim të shtetasit Fredi Alizoti, që Prokuroria thotë se në bisedën më Albert Veliun ka imituar zërin e Agron Xhafajt.
Kryeministri këmbëngul se sajesa, sipas tij, është akoma më e madhe dhe ajo ka qenë nismë e drejtpërdrejtë e Lulzim Bashës.
“Zullumi është më i trashë se kaq. Babalja nuk ra nga qielli dhe as e çoi tek SHQUP-i gazetari kurajoz, siç pretendohet në filmin e kinostudios Luli shpk dhe këtë e di mirë kryetari rrugëhumbur i opozitës, prandaj u ngut të kërcënojë prokurorinë për t’u dukur shumë i vendosur, kur është shumë i tendosur. Po vjen fundi i lojës”, u shpreh ai.
Pjesë e pazbardhur e enigmës “Babale 1”, Rama lë të nënkuptohet se është zbulimi i ideatorëve të saj. Ai është i bindur se edhe kjo enigmë do të zbardhet shumë shpejt, ashtu siç ndan bindjen se do të zbardhet e vërteta edhe për akuzat ndaj Taulant Ballës.
“Përgjegjësi e vërtetë të ketij krimi nuk ka për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor dhe as atij të qytetarëve”, thotë Rama.
Kryesocialisti dha lajmin se në shtëpinë e Xhisiela Malokut është hedhur lëndë plasëse në orët e mbrëmjes së të dielës. Autorët e këtij sulmi i gjen tek opozita.
“Mbrëmë, vajzës i është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar të krijojë idenë se vajza është nën terror psikologjik? Ne?!”, tha ai.
Rama komentoi edhe letrën e një grupi deputetësh opozitarë, që kërkuan përjashtimin e Taulant Ballës nga delegacioni shqiptar në PE. Mes firmëtarëve ishte edhe Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit në kabinetin “Rama 1”. Kryeministri iu drejtua pikërisht ish-vartëses së tij për të përçuar një mesazh tek e gjithë opozita.
“Klajda qetësohu! Taulanti është po ai. Ai nuk e ka bërë kurrë atë që paska tronditur Monikën dhe që më pas të paska tronditur edhe ty”, tha Rama.
Kryeministri thotë se pamjet filmike të kamerave në stacionin policor të Fushë-Krujës ndodhen në Prokurori. Nuk thotë nëse ai vetë personalisht i ka parë apo jo pamjet filmike të këtyre kamerave, por vendos një bast me Klajda Gjoshën.
“Mund t’i drejtohesh edhe policisë për filmimet. Nëse gjen Taulant Ballën, apo vetë heroin që qenka kërcënuar, unë jam gati që të firmos me ty, të votoj me ty që Taulant Balla jo vetëm të përjashtohet nga delegacioni, por të largohet si deputet dhe të dalë para drejtësisë”, u zotua Rama.
Një mesazh e përcolli edhe për reformën zgjedhore. Rama thotë se mazhoranca i ka ofruar opozitës votimin elektronik, por pasi të testohet fillimisht në dy apo tre zona në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. “E refuzuan. Nuk e duan votimin elekktroni. Po çfarë duan këta?”, tha ai.
Kësaj pyetjeje Rama iu përgjigj po vetë dhe si “burim” për këtë kishte kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
"Ua them unë se çfarë duan këta se ma ka thënë Luli. Këta duan pushtetin me marrëveshje në tavolinë. Ua them unë sepse ma ka thënë Luli; një herë ti, një herë unë. Është e vetmja gjë që nuk ja jap dot Lulit, sepse pushteti nuk është i yni, është i atyre që kanë votën dhe ata, edhe po të dal unë me Gramozin e t’u lutemi na marrin me gurë”, thotë Kryeministri Edi Rama.
Në këtë mbledhje, Rama ishte më i bindur se kurrë për të kaluar në parlament një paketë antishpifje. Saktësoi se paketa nuk do të prekë Kodin Penal dhe foli me bindje se propozimi do të lëvdohet nga ndërkombëtarët.
Për deputetët socialistë, në fund la si porosi më shumë vëmendje tek paketa e re fiskale dhe buxheti i vitit të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.