Lajme

Aksioni i IKMT-së, Çuçi ankohet në ILD dhe KLGJ për gjyqtarin

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i është drejtuar me një letër-kërkesë ILD-së dhe KLGJ-së, ku shpreh shqetësimin në lidhje me disa vendime (sigurim padie) të dhëna nga Elidon Papazisi, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Çuçi shprehet në letër se ky gjyqtar, me vendimet e tij po bëhet shkak në pengimin e aksionit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.

Sipas ministrit, veprimet e gjyqtarit janë bërë shkak që të pengohet aksioni i IKMT dhe Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit kundër ndërtimeve të paligjshme “Bregdeti ynë”.

Në letër thuhet se gjatë ditëve të fundit është evidentuar emri i gjyqtarit, i cili kanë dhënë vendime që janë në kundërshtim me parimet e drejtësisë dhe në thyerje të ligjit.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka pranuar pjesërisht kërkesën e paditësit për marrjen e masës së sigurimit të padisë pa u thelluar në arsyetimin e saj dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur kundërvajtjes së ndërtimit pa leje, duke pezulluar në këtë rast prishjen e një ndërtimi të kundërligjshëm”, thuhet letrën e ministrit Çuçi.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm u ka kërkuar autoriteteve të gjyqësorit të marrin në shqyrtim dhe inspektojnë bazën në ligj të vendimeve të gjyqtarit, të cilët lënë vend edhe për dyshime se kanë pasur prirje në favor të interesave klienteliste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë