Lajme

Aksioni anti informalitet në Jug, procedohet nënkryetari i bashkisë Sarandë

Ka vijuar edhe sot operacioni i koduar "Plazh i lirë" për lirimin  e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore. Pas Durrësit dhe plazheve në veri të vendit, sot aksioni është  shtrirë në Ksamil, Himarë, Vlorë e Divjakë.

Uniformat blu të krimit ekonomik, të mbështetura nga forcat e FNSH kanë mundur të sekuestrojnë 10 000 m2 plazh të zënë  në mënyrë të paligjshme në Ksamil.

Është proceduar penalisht nënkryetari i bashkisë Sarandë sepse nuk kishte ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa leje. Bashkë me të janë proceduar penalisht edhe 6 pronarë subjektesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë.

Policia njofton se në Ksamil, ka liruar dhe kthyer në shërbim të qytetarëve rreth 10000 m2 hapësirë publike. Gjithashtu në këtë qytet janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.

Edhe në Himarë policia ka proceduar penalisht dy shtetas, pasi konstatoi se në subjektet e tyre nuk lëshohej kuponi tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.

Policia njofton se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, me qëllim për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/472497763151293/

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë