Rend dhe Ligj

Aksioni në gjithë vendin, bllokohen mbi 140 mjete luksoze, 170 persona në komisariate

Prej 4 ditësh në të gjitha qarqet e vendit, shërbimet e Policisë, FNSH-ja, Policia Kriminale, Shqiponjat, Shigjetat, Patrulla e Përgjithshme dhe Policia Rrugore, po ushtrojnë kontrolle mbi automjete dhe persona me precedent kriminal.

Policia thotë se në përbërje të grupeve të kontrollit ka dhe specialistë të krimit ekonomik, trafiqeve të paligjshme, të antidrogës, të cilët kryejnë kontrolle dhe verifikime të automjeteve, mallrave dhe personave te dyshuar.

Siç njofton policia, kontrollet janë përqendruar kryesisht mbi automjete luksoze, që dyshohet se mund të jenë të trafikuara apo me ndërhyrje në shasi, si dhe mbi persona me precedent kriminal, që mund të tentojnë të kryejnë veprimtari kriminale në drejtim të trafikimit të automjeteve, lëndëve narkotike, kontrabandës me mallra  apo që qarkullojnë me armë zjarri.

Prej 4 ditësh, në të gjitha ambientet e Policisë në vend, i janë nënshtruar kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit mbi 140 automjete luksoze dhe për një pjese të tyre vijon verifikimi i dokumentacionit. Gjithashtu janë shoqëruar dhe verifikuar në ambientet e Policisë mbi 170 persona.

Policia thotë se kontrollet vijojnë në të gjithë qytetet e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë