Përmes burimit të zakonshëm të informacionit, “Qytetarit Dixhital”, Sali Berisha publikoi paraditen e së shtunës lajmin se policia po fsheh pasojat e aksidentit të eskortës së Kryeministrit Edi Rama në Librazhd.
Berisha thotë se dyshohet se një nga truprojat e aksidentuar ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë.
“Thuhet se njëri nga badiguardët e tij ka ndërruar jetë dhe tjetri është në gjendje të rëndë. Iu bëj thirrje mediave të hetojnë këtë çështje”, shkruan Berisha.
Lajmi i përhapur nga Berisha u përcoll edhe në disa media, kryesisht online. Ministria e Brendshme reagoi. Që në fillilm ajo sqaron se shpërfill postimet e Berishës nëpër rrjetet sociale, por kur ato bëhen lajme, reagon.
“Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale. Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin. MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojeve të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019”, thuhet në deklaaratë.
Ministria thotë se nuk ka patur asnjë problem as për jetën dhe as për shëndetin e truprojeve të Kryeministrit dhe kërkon prej mediave që para se të publikojnë lajme të tilla të verifikojnë.
Reagimi i Ministrisë pasoi kundërreagimin e Berishës. Ish-kryeministri thotë se përmes postimit të mesazhit të “Qytetarit Dixhital” kërkonte të dinte të vërtetën dhe për këtë ftoi mediat që të hetonin.
Berisha akuzoi ministrinë dhe policinë se nuk reaguan.
“Lajmi per aksidentimin dhe plagosjen e badiguardëve të Edvin Kristaq Krimit ka mbi 48 orë që qarkullon në mediat e shumta dhe rrjetet sociale. Ndaj këtij lajmi Vasal Kimiku dhe Geron Velia, që mbushin ccdo ditë ekranet dhe valët televizive me shpifje ndaj opozitës, nuk thanë asnjë fjalë, asnjë përgënjeshtrim”, deklaron Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.