Vende dhe Udhetime

Aksidentalisht nudistë

Të bëhesh “nudist aksidentalisht” tingëllon më shumë si nisja e një barsolete sesa jeta e vërtetë, por është realitet për një çift belg që ngeci në këtë stil jetese dhe nuk heq më dorë. Dhe janë shumë të lumtur ndërsa ndajnë mënyrën e tyre atipike të jetës me fansat e Instagramit, që u shtohen çdo ditë.

Sipas Daily Mail-it, Nick dhe Lins, një çift në mes të tridhjetave, u bënë nudistë, pasi kishin rezervuar aksidentalisht pak kohë në një sauna krejt nudo. Qysh prej asaj përvoje, ata kanë udhëtuar botën – krejt të zhveshur – duke bërë foto nga aventurat për mediat sociale.

“Çlirimi i të hequrit të rrobave ishte i jashtëzakonshëm, ishte liri e pastër”, ka shpjeguar çifti për blogun e tyre, "Naked Wanderings". Ata thonë se puna e tyre e përditshme konsiston në eksplorim dhe gjetjen e ofertave dhe komuniteteve nudistë nëpër botë. Ky udhëtim, shpjegon dyshja, “do na çojë në Europë, Azi, Australi, Zelandë e Re, dy Amerikat dhe kush e di ku tjetër”.

Në postimet ë tjera çifti ka thënë se ndërsa u pëlqen jeta e zhveshur, ata e bëjnë këtë vetëm kur e shohin të arsyeshme, siç mund të jetë një resort nudist, në shtëpi apo diku ku mund të jenë të lirë pa gjykime.

“Nis të mësosh sensacionin e natyrshëm me të cilin nuk ke qenë mësuar por që të bën të ndjehesh mirë”, ka vërejtur çifti virtuoz i nudos. “Ndjesia e të shtririt nudo në bar, ndjesia e shkulmit të erës që kalon nëpër trup, dielli kudo në lëkurë”.

Çifti e ka hapur sitin ndaj kontributorëve për të ndarë historitë e tyre të nudizmit nëpër botë. Megjithëse siç thekson edhe Daily Mail, jo kushdo në komunitetin nudist kalon kaq për bukuri si Nick dhe Linsi.

Madushan, një 23-vjeçar nga Sri Lanka ka shpjeguar në një postim se nudizmi është ende i ndaluar me ligj. “Për popullin tonë, nudizmi është diçka krejt seksuale dhe nuk pëlqejnë të shohin njeri në atë mënyrë. Është turp sepse ne e kemi toleruar dikur nudizmin në historinë tonë”, ka shkruar ai. “Edhe arti, si filmat vendas, rrallë shfaq nudizëm, edhe kur e bëjnë kanë gjithnjë tema të debatit të fortë brenda shoqërisë”.

Ndërkohë që projekti i çiftit nudist mund t’ju bëjë të qeshni, duket se josh të paktën disa të tjerë. Mbase është koha që të gjithë t’i shkojmë pak më afër natyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë