Futboll

Akord me lojtarët për reduktimin e pagave, Barcelona kursen 172 mln euro

Lojtarët e Barcelonës kanë arritur një akord me klubin për reduktimin e pagave, duke respektuar parametrat e “salary cup”. Klubi katalanas, pas këtij akordi, do të kursejë 122 milionë euro nga shpenzimet fikse që duhej të derdhte. Po ashtu, 50 milionë euro do të kursehen nga të ashtuquajturat shpenzime variabël për një periudhë prej tre vjetësh.

Për të qenë efektiv, akordi i arritur pas bisedimesh të gjata, duhet të ratifikohet së shpejti nga futbollistët dhe stafi teknik. Gjatë muajve të fundit, çështja e reduktimit të pagave ishte objekt përplasjeje mes ish-presidentit Josep Maria Bartomeu dhe ekipit. Llogaritë e fundit të Barcelonës kanë treguar një humbje prej 97 milionë eurosh, ndërsa borxhi është dyfishuar, duke shkuar në 488 milionë euro. "Ky akord është një gur themeli për të ndryshuar situatën aktuale ekonomike”, - shkruhet në komunikatën e klubit.

Edhe trajneri Ronald Koeman e ka pritur me kënaqësi atë që e ka quajtur "një zgjedhje dashurie për klubin". "I kam komunikuar zotit Tusquets, - ka thënë trajneri holandez para ndeshjes me Osasunën, - se mund të ndihmoja klubin në çdo mënyrë dhe tani jam gati ta bëj. Për shkak të rrethanave klubi duhet ndihmuar dhe kështu duhet parë edhe akordi i arritur me futbollistët. Jemi në një moment, ku duhet menduar se çfarë është më mirë për Barcelonën".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë