Futboll

‘Air Albania’ hap dyert për kampionët e Kosovës, Ballkani luan më 30 nëntor në Tiranë

Gazeta Si – Stadiumi ‘Air Albania’ do të presë më 30 nëntor një ndeshje të veçantë. Aty nuk do të luajë as Kombëtarja dhe as ndonjë nga skuadrat e Superiores, por gjithsesi është shqiptare. Ballkani do të ndeshet në këtë stadium me çekët e Viktoria Plzen për ndeshjen e radhës në grupet e Ligës së Konferencës.

Për shkak të problematikës që ka aktualisht stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, ku fusha nuk ka marrë miratimin nga UEFA, kampionët e Kosovës do të spostohen në Tiranë. Sigurisht, ata do të ndihen si në shtëpinë e tyre. Për më tepër, drejtohen nga trajneri kryeqytetas Ilir Daja dhe kanë disa lojtarë nga Shqipëria, si Enea Koliqi, Lorenc Trashi, Nazmi Gripshi e ndonjë tjetër.

“Aty ku shqiptarët e bashkuar në Kombëtaren e Shqipërisë shënuan rezultat historik në kualifikimet për Euro 2024, të enjten e 30 nëntorit zbret kampioni i Kosovës, që po ashtu tash e disa vite ka bërë bashkë futbollistë nga të gjitha trevat tona.

Ballkani ndeshjen më të rëndësishme të UECL do ta zhvillojë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, si nikoqir i Viktoria Plzen. Skuadra jonë çdo herë është mbështetur nga tifozët e të gjitha viseve shqiptare. Ky duel europian është edhe një mundësi për të qenë përsëri krah njëri-tjetrit në stadiumin ikonik, në kërkim të një suksesi të radhës me përmasa europiane. Le të dëgjojë gjithë bota mbarë, kështu rri bashkë gjithë populli shqiptar”, - shkruan mes të tjerash klubi i Ballkanit në faqen e tij zyrtare.

Lajmi i zhvillimit të kësaj ndeshjeje në ‘Air Albania’ është konfirmuar edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit me një njoftim zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë