Politike

A iku “Deti” bashkë me Kotziasin?

Mentor Kasa  – Në mes të korrikut të 2015, Nikos Kotzias zhvillon vizitën e parë zyrtare si ministër i Jashtëm i Greqisë. Në Tiranë e priti Ditmir Bushati dhe në konferencën e përbashkët për shtyp dy ishin lajmet që u përhapën më shumë në media.

Lajmi i parë lidhej me dakordësinë e palëve për të ngritur grupe pune të përbashkëta për bisedimet për çështjen e kufirit detar, një çështje që cilësohej pothuajse e mbyllur nga Greqia sipas marrëveshjes së nënshkruar në 2009, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Lajmi i dytë që u përhap me shpejtësi ishte ngatërresa që kryediplomati grek bëri me emrin e ministrit të Jashtëm shqiptar, të cilit nga Ditmir i thërriti Dhimitri.

Lapsusi shkaktoi të qeshura në sallë, madje edhe vetë ministri i Jashtëm shqiptar e kaloi me të qeshur, por gjithsesi duke e korrigjuar homologun e tij të ri grek. “Une jam Ditmiri”, iu drejtua ai. Ky ishte komunikimi i parë mes dy njerëzve që do të shenjonin më vonë gjithë procesin e bisedimeve mes dy vendeve. Pikërisht në këtë takim u hodhën themelet e një procesi negociues jo të lehtë, peshën e të cilit dy ministrat vendosën ta mbajnë vetë mbi supe dhe jo t’ua përcjellin qeverive përkatëse.

Diskutimet nisën dhe çështjet e hedhura në tavolinë ishin të sikletshme për të dyja palët dhe mes tyre edhe ajo për kufirin detar dhe zonën ekskluzive ekonomike. Një vit më vonë ishte radha e Bushatit që t’i kthente vizitën mikut të tij të ri grek.

Vizita e Bushatit në Athinë nuk ishte e para për të, por e para që kishte një agjendë të caktuar. Në 2014, kur në pushtet ishte Demokracia e Re, ai u prit në takim nga Evangjelos Venizelos, që në atë kohë drejtonte Ministrinë e Jashtme greke.

Pak muaj më vonë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias rikthehet sërish në Tiranë. Ishte koha kur diskutimet politike, që do të vendosnin piketat e diskutimeve teknike kishin hyrë në një fazë të avancuar.

Deri në këtë kohë, palët kishin arritur që të mbanin larg vëmendjes mediatike progresin e bërë, por presioni ndaj tyre për më shumë transparencë rritej si në Athinë, ashtu edhe në Tiranë. Në Shqipëri kërkohej të dihej më shumë se a po diskutohej çështja çame, apo jo, ndërsa në Greqi opozita e djathtë, që e quan marrëveshjen e 2009 një “vepër arti” nisi të përdorë termin tradhti ndaj Nikos Kotzias për diskutimet për çështjen e kufirit detar.

Vetë Kotzias foli për çështjen çame. Tha se mes dy vendeve po diskutohej për gjetjen e një zgjidhjeje për pronat e shqiptarëve, por përjashtoi mundësinë e rikthimit të pronave të personave që janë dëbuar nga Çamëria me arsyetimin e grekëve të asaj kohe si bashkëpunëtorë të nazistëve.

Një tjetër temë e nxehtë ishte edhe ligji i luftës. Kotzias, që në 2015 e mohoi se mes dy vendeve ka një gjendje lufte, në 2016 u detyrua ta pranojë, duke u shprehur se edhe për këtë çështje po punohet për të gjetur një zgjidhje.

Por, përqendrimi i Kotzias ishte tek përcaktimi i koordinatave të kufirit detar të një zone që mendohet se bart sasi të konsiderueshme gazi dhe nafte. Nën presionin e kohës, pasi në Athinë kishin trokitur më fort disa kompani të interesuara për studimin dhe më pas investimin në këtë zonë, Nikos Kotzias i mëshonte më shumë rëndësi kësaj pjese.

Nëse në 2015, ai nuk përjashtoi mundësinë që dy vendet t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare, dy vite më vonë këmbëngulte më fort për gjetjen e një zgjidhjeje pa qenë nevoja për të shkuar në këtë gjykatë.

Bisedimet rrodhën me takime të shpeshta mes Kotziasit dhe Bushatit, që do të kulmonin në samitin dyditor në Kretë. Në përfundim u dol me një deklaratë të përbashkët, ku konfirmohej fryma “e mirë” në tën cilën u zhvilluan bisedimet, por jo ndonjë rezultat konkret.

“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive, duke u mbështetur në vlerat dhe normat europiane, në të mirë të të dy vendeve dhe popujve të tyre”, thuhej deklaratë.

Rezultatet konkrete u arritën në Korçë, dy muaj më vonë. Publikisht nuk u tha asgjë se çfarë ishte arritur konkretisht dhe për mediat u shpërnda deklarata standarde e “frymës dhe klimës së mirë” në të cilën u zhvilluan bisedimet.

Që të dy ministrat kishin rënë dakord mbi parimet se si do të diskutohej çështja detare do të mësohej më vonë, kur ministri Bushati kërkoi autorizimin nga Presidenti Ilir Meta për të nisur bisedimet teknike, që tha se do të kryheshin bazuar tek parimi i barazlargësisë sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në Athinë dhe Tiranë u përfol se me përfundimin e marrëveshjes, ose në prag të përfundimit të saj, do të zhvillohej një takim informal mes Edi Ramës dhe Alexis Tsipras për Pashkët ortodokse në Korçë, në muajin prill.

Por, duket se nuk ishte parashikuar ngecja tek Presidenti Ilir Meta. Ky i fundit refuzoi autorizimin për përbërjen e komisionit negociator shqiptar dhe vetëm pasi u bind, më 19 mars e dha lejen e tij. Pashka dhe takimi informal Rama-Tsipras u harrua dhe në Tiranë thanë se shkak i anulimit të këtij takimi ishte vonesa e Ilir Metës në dhënien e autorizimit.

Në fillim të majit, kishte një koherence deklaratash në aksin Athinë-Tiranë, që paralajmëronin nënshkrimin e marrëveshjes në fund të qershorit, ose në muajin korrik nga të dy Kryeministrat, që do të takoheshin gjatë punimeve të samitit të Londrës, zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Por, Athina sapo kishte nënshkruar marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë, një marrëveshje që i ngjeshi radhët e kundërshtarëve të Aleksis Tsipras në vendin e tij. Mediat greke dolën me artikuj se marrëveshja me Shqipërinë ishte gati, por pala greke kishte kërkuar më shumë kohë për të tejkaluar njëherë çështjen e emrit me Maqedoninë.

Në shtator, Kotzias do t’u përgjigjej akuzave të opozitës duke zbuluar edhe faktin se marrëveshja nuk është penguar në Athinë, por në Tiranë.

“Tani nuk janë bllokuar nga ne, as nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, por nga problemet administrative që ata kanë për shkak të mosmarrëveshjeve mes Presidentit të Shqipërisë dhe Qeverisë. Shkak është edhe mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk siguron dot kuorumin”, deklaronte ai.

Pra, sipas këtyre fjalëve të Kotzias marrëveshja është gati, por ai vetë nuk e pa që të hidhej e zeza mbi të bardhë në paktin e arritur, pasi u dorëhoq. Vendin e lënë bosh prej tij, Kryeministri Kotzias e mori vetë, deri në miratimin e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë.

Po marrëveshja me Shqipërinë a vihet në rrezik nga largimi i Nikos Kotzias? Sigurisht, diplomacia e një vendi me sistem demokratik, siç edhe është Greqia, nuk ndryshon me ndryshimin e një ministri, por Henry Kissinger, në librin e tij të njohur “Diplomacia” sjell më shumë se në një rast shembuj që provojnë se shpesh marrëveshjet kushtëzohen edhe nga miqësia ose jo mes dy bashkëbiseduesve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë