Politike

Ahmetaj tregon rrogat e futbollistëve, Braçe: S’u përgjigje për FSHF

Mentor Kasa - Ka disa javë që Parlamenti është shndërruar në një monolog të mazhorancës në mungesë të opozitës, e cila nuk ishte as këtë të enjte në sallë. Por, atë që s’e bën opozita prej javësh tashmë, e bëri Erjon Braçe. Në mungesë edhe të Kryeministrit Edi Rama, kreu i Komisionit të Ekonomisë u përball me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, të cilin e kishte thirrur në një interpelancë.

Kërkesa e Braçes lidhej me pagesat e tatimit mbi të ardhurat në burim nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në interpelancën e tij, Arben Ahmetaj foli për arritjet dhe problemet e futbollit shqiptar. Problemi më i madh sipas tij, nuk në fubtollin shqiptar është evazioni fiskal i klubeve dhe jo FSHF-ja.

“E vërteta është që këtu ka nevojë për formalizim. Duket sikur me këto listëpagesa këta futbollistë nuk kanë pasur mundësi që të hanë për të qëndruar në këmbë, jo më për të luajtur futboll në fushë”, tha Ahmetaj.

Për të ilustruar idenë e tij se sot problematika më e madhe e sportit është informaliteti në paga, tregoi me radhë pagesat për disa futbollistë të Kategorisë Superiore.

Pagesat e disa futbollisteve dhe trajnereve, sipas Arben Ahmetajt

E gjithë përgjigjia e Ahmetajt nuk e kënaqi Erjon Braçen.

“Nuk pyeta sa paguhen nga klubet e futbolli e lojtarët në këtë vend. Pyetja që ngre prej muajit shkurt është se sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga FSHF? Sa është 10 përqindëshi që i takon buxhetit nga e drejta televizive që ka tregtuar FSHF në dhjetë vitet e fundit? Këto ishin dy pyetjet për të cilat nuk mora përgjigje. Që në shkurt, i kam kërkuar Ministrisë së Financave informacion mbi tatimin në burim për të ardhurat nga paga, shpërblimet, honoraret dhe bonuset që janë paguar nga FSHF në 8 vitet e fundit. S’kam marrë ende përgjigje”, u përgjigj Braçe.

Për 15 minuta, deputeti i tha ministrit të Financave se më shumë sesa ndikimi i të ardhurave që do të arkëtoheshin në buxhetin e shtetit nga zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat në Federatë, çështja është parimore.

“Ligji fiskal është i barabartë për të gjithë. Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para individëve dhe institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal, qofshin nderi i kombit apo llumi i kombit. Dje, tatimorët e Fierit kanë shkuar në një lokal në fshatin Çermë, e kanë gjetur lokalin bosh dhe e kanë gjobitur me 500 mijë lek për mosprerje të kuponit tatimor. I thashë pronarit të lokalit që t’i bjerë kuponit dhe i ra. E dini se çfarë kuponi doli? Doli kuponi numër 136. Kur kjo ndodh me një fakir në mes të Çermës, pse të mos ndodhë tek FSHF?! Prandaj do të harxhoj kohën këtu, për këta fakirët”, deklaroi Braçe.

Erjon Braçe, duke iu referuar shifrave të bëra publike nga vetë FSHF, thotë se federata ka paguar 230 milionë lekë për paga jashtë federatës,. Pyetja që ngriti ai, e për të cilën nuk mori përgjigje, ishte se sa ishte tatimi mbi të ardhurat për këto pagesa?

Gjatë fjalës me tone të ngritura të Erjon Braçes, ministrja Nikolla tërheq vëmendjen e deputetit, i cili ja kthen menjëherë. “Lindita, se keni qënë ju ministre e Arsimit dhe e Sportit, prandaj ju lutem”, iu drejtua ai.

Fundi i fjalës së Braçes u kalua në heshtje nga deputetët socialistë, përveç njërit. Bashkim Fino, që në zgjedhjet e fundit për Presidencën e FSHF-së garoi përballë Armand Dukës, i ulur nga fundi i sallës u ngrit në këmbë dhe duke duartrokitur fort i kërkoi Arben Ahmetajt që të bëjë detyrën.

Bashkim Fino duke duartrokitur ne fund te fjales se Erjon Braces

Përplasja mes socialistëve duket se nuk u mor fort seriozisht nga Ditmir Bushati. Ministri i Jashtëm mveshi një buzëqeshje në fytyrë, çka tërhoqi vëmendjen e Bashkim Finos. “Mos qesh ti, se ty të ka akuzuar Saliu e Luli se ke vjedhur vota, por që s’e ke bërë, prandaj përgjigju këtyre akuzave”, iu drejtua ai.

Fino nuk e shtjelloi më tej reagimin e tij, por duket se përgjigjen e shefit të diplomacisë shqiptare e kërkon për deklaratat e Sali Berishës, që e akuzon Bushatin për lidhje me familjen Bajri në Shkodër.

Situata u tejkalua pa u përshkallëzuar debati më tej dhe Erjon Braçe i la vendin në foltore replikës prej 3 minuta të Arben Ahmetajt. Në këtë replikë, Ahmetaj foli edhe për vendimin e qeverisë për të mbyllur pikat e basteve. Braçe sërish nuk mori përgjigje për pyetjet e tij, por vendimin për bastoret e përshëndeti, madje kërkoi që të shkohet më tej.

“Shtetëzoni aktivitetin e lojërave të fatit. Kthejeni në një monopol shtetëror, që të mos ketë më lidhje mes jush dhe kompanive të basteve nëpër bodrume”, deklaroi ai.

Prej muajsh në mos përplasje, ka një tension në raportin mes Erjon Braçes dhe Arben Ahmetajt. Në muajin prill, pak ditë pasi ishte djegur trau në Rrugën e Kombit, Arben Ahmetaj raportonte në Komisionin e Ekonomisë. Këtu, Braçe kërkoi që banorët e Qarkut të Kukësit të përjashtoheshin fare nga tarifa, e po ashtu edhe transporti urban.

Më vonë, në muajin korrik Erjon Braçe i lexonte po në këtë Komision Arben Ahmetajt raportin e KLSH-së, sipas të cilit nga aksioni “Fundi i Marrëzisë”, buxheti i shtetit kishte humbur 500 mln dollarë, pasi nuk ishtn gjobitur subjektet për çdo makineri të jashtëligjshme të sekuestruar.

Ahmetaj tha se subjektet në fjalë morën ndëshkimin maksimal, sekuestrimin. “Ça do tani? Edhe gjobë, edhe sekuestrimin?!”, replikonte ai.

Përplasjet u shpërfaqën edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator dhe sërish në Komisionin e Ekonomisë. Këtë herë, Braçe iu kundërvu ministrit Ahmetaj për koncesionet, vonesat në lëvrimin e fondeve në bujqësi dhe transport, por edhe për dëmshpërblimin e pensionistëve.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë