Politike

Ahmetaj ‘shpëton’ PS-në / Vetpërjashtohet nga Kuvendi, ka munguar 6 muaj

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Blendi Çuçi, u ndje në siklet pak kohë më parë kur u pyet se çfarë do të bënte PS-ja me mandatin e Arben Ahmetajt sa kohë ajo po tregohej e zellshme për t’i hequr imunitetin një tjetër deputeti,  kësaj here nga opozita.

Çuçi la të kuprojë se mandati i Arben Ahmetajt mund të përfundonte vetë sa kohë ai nuk ishte paraqitur në Kuvend qysh prej muajit Korrik.

Referuar afateve kushtetuese, me çeljen e sesionit të ri parlamentar në javën e tretë të muajit Janar 2024 pritet që të shpallet edhe pavlefshmëria e mandatit të deputetit Ahmetaj.

Në bazë të ligjit, zëvendësimi i tij bëhet me një tjetër deputet, bazuar në listën fituese të kandidatëve të PS në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Fillimi i sesionit të ri parlamentar shpallet përmes një seancë plenare thirrur nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla. Krahas seancës bëhet edhe verifikimi i mandateve, referuar nenit 71 të Kushtetutës.

Ky nen sanksionon në pikën 2 të tij se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Për herë të fundit, ish-ministri Ahmetaj ishte prezent në seancën plenare të datës 6 korrik.

Sipas votave preferenciale të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, mandati i Ahmetajt i kalon Dallëndyshe Bicit, drejtoreshës aktuale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Nëse kjo e fundit, nuk e pranon mandatin, atëherë i kalon juristit Plarent Ndreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë