Lajme

“Ahmetaj” rrëzon katër dekretet e Metës

Komisioni Kuvendor për Ekonominë dhe Financat ka rrëzuar katër dekretet e Presidnetit Ilir Meta.

Sot me çeljen e komisioneve kuvendore në sezonin e ri parlamentar Komisioni për Ekonominë dhe Financat e ka nisur punën me shqyrtimin e kthimit të katër ligjeve të Presidentit Meta.

Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar fillimisht 2 dekretet e Presidentit Meta për privatizimet si dhe atë për koncensionin e rrugës Orikum-Dukat.

Këto dekrete u rrëzuan nga votat e maxhorancës, teksa do të kalojnë pa ndryshime në seancë.
Në mbledhjen e sotme, e cila drejtohej nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërsa anëtarët e komisionit po diskutonin, mes Ahmetajt dhe deputetit të opozitës, Alban Zeneli ka nisur një debat. Ahmetaj i kërkoi deputetit Zenelit që të mos fliste në këmbë, por të zinte vend në tryezë për t’ju bashkuar diskutimeve. Kjo ka mjaftuar që kreu i komisionit Ahmetaj të ndërpresë mbledhjen, për ta rifilluar pak minuta më vonë.

Në përfundim të mbledhjes Komisioni ka rrëzuar edhe dy dekretet e tjera të Presidentit.

Dekretet e Metës të rrëzuara sot me votat e maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë

-“Për kthimin e ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”

-Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11251, datë 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar””

-Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11254, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”

-Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11255, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren””


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë