Politike

Ahmetaj paralajmëron intervistë kundër tij, Rama i përgjigjet duke i hequr pasaportën diplomatike (i skadonte në 2033)

Ish-ministri i Financave, i Rindërtimit dhe ish-zv.Kryeministri, Arben Ahmetaj, një nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama ka njoftuar daljen e parë publike edhe pse ndodhet në arrati i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i akuzuar për korrupsion për dosjen e inceneratorëve.

Syri TV ka njoftuar intervistën me Ahmetajn që do të publikohet të enjten në mbremje, ndërsa lajmëron se Ahmetaj do të përcjelle akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Por para se ai të flasë publikisht, qeveria në anën tjetër nuk ka qëndruar duarkryq.

Top Channel njofton se Drejtoria e Çështjeve konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme i ka drejtuar një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë, për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullimit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt, e cila kishte vlefshmëri deri në vitin 2033.

Ministria e Punëve të jashtme e bazon nxjerrjen të pavlefshme të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt në vendimin e qeverisë për “Kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe atyre të shërbimit”.

Dy javë më parë, Arben Ahmetajt iu hoq mandati i deputetit për shkak të mungesës së tij në Kuvend për gjashtë muaj. Grupi parlamentar i PS-së nuk mori asnjë vendim politik ndaj tij edhe pse mbi të rëndojnë tre akuza konkrete. Ndaj dhe lëvizja e radhës ndaj tij për t’i hequr pasaportën diplomatike ngjan më shumë si një reagim ndaj intervistës së paralajmëruar nga ana e tij sesa ceshtje kriteresh që lidhen me leshimin e pasaportave diplomatike, kur kjo lëvizje duhej bërë më herët.

Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar per TCH se, procedura për shpalljen e pavlefshme të një pasaporte diplomatike bëhet kur një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë humbet mandatin e deputetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë