Treg

Ahmetaj-kompanive të sigurimit: Do paguani 12 mln $ dëme, sillni listën e përfituesve

Dëmet paraprake të vlerësuara nga tërmeti i 26 nëntorit arrijnë në shifrën e 12 mln dollarëve, por që mendohet të kapin edhe 25 mln dollarë.

Kurse dosjet përfituese të administruara për banesat e dëmtuara janë 1943.
Komiteti i Rindërtimit që u ngrit pas ngjarjes së fatkeqësisë natyrore, është mbledhur sot në një tryezë, që drejtohet nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ku merrte pjesë edhe AMF e kompanitë e sigurimeve.

Ahmetaj i ka kërkuar kompanive të sigurimit të paguajnë për dëmet nga tërmeti e gjithashtu të dërgojnë listat e përfituesve.

“Tashmë ka një të dhënë zyrtare shumë të vlefshëm për ta përmendur që në tërmetin e 21 shtatorit kompanitë e sigurimit deri më sot kanë paguar rreth 5 milionë dollar pra 506 milionë lekë. Kjo shumë nuk i është paguar shtetit as nuk ka qenë një konsekuence ligjore por një konsekuence e marrëdhënies që kanë kompanitë me bankat dhe qytetaret. Ndërkohë që sa i takon tërmetit të 26 nëntorit ju jeni në proces vlerësimi. Deri tani nga informacioni që unë kam nga marrë nga AFM duket që dëme në proces trajtimi janë të njoftuara 1943 banesa dhe këto janë dinamike se çdo ditë lista rifreskohet me numra më të mëdhenj se këto. Në bazë të llogaritjes dëmi total shkon gati 12 milionë USD.”- është shprehur Ahmetaj duke shtuar se “ Pra deri më sot me një vlerësim që është ende larg dëmit final që do të thotë që qytetarët do të paguhen nga kompanitë e sigurimit me këtë dëm dinamik 12 milionë USD. Këtu do dua të bëjmë kujdes sëbashku që të ndajmë që listat e qytetarëve që do përfitojnë nga dëmshpërblimi të dorëzohen në komitetin e emergjencës në mënyrë që mos bëhet dëmshpërblim i dyfishtë.”

Ahmetaj tha se dëmi total mund të shkojë deri në 25 milionë euro.

Avni Ponari nga Sigal kërkoi që të hartohet një ligj i gjerë dhe i integruar për sigurimin e shtëpive nga individët duke e ditur që Shqipëria është zonë me risk të lartë sizmologjik dhe është me vend që të shihet mundësia që të blihet një mbulim i mirë në tregjet ndërkombëtare. “Me një shumë 25 milionë euro blejmë një mbulim 300 milionë euro. shkalla e mbulimit varet nga risku. Ne ju propozojmë që ta shihni me vëmendje pasi edhe pse nesër mund të dalë dielli apo të mos ketë tërmet kjo nuk e zbeh faktin që Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre risqeve” tha Ponari.

Klaidi Citozi nga Sigma Interalbanian u shpreh se tetë kompani në tryezë dhe që kanë aktivitet në produktet e jo-jetës kanë kapitale mbi 40 milionë euro. Sipas tij këto kapitale janë të mjaftueshme për të përballuar këtë ngjarje.

Po ashtu, u shpreh ai, të gjithë marrëveshjet që kemi me partnerët ndërkombëtare lidhur me risigurimet janë të audituar nga AMF.

“Lidhur me situatën unë do të bëja thirrje që gjithë klientët të raportojnë sa më shpejt. Ata që hasin vështirësi apo ankesa t’i drejtohen edhe AMF” tha Çitozi.

Kopanitë e sigurimeve garantuan se ato që operojnë në treg janë serioze dhe garantojnë cilësi e seriozitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë