Drejtësia

Ahmetaj dhe partnerja e tij ankohen në GJKKO: Kontrolli i banesës nga SPAK i paligjshëm

Gazeta Si – Disa ditë pas kontrollit të banesës dhe vilës nga ana e SPAK, Arben Ahmetaj së bashku me partneren e tij, ankimojnë në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të BKH-së në pronat e tyre.

Erjola Hoxha, së bashku me ish-zv.kryeministrin e Shqipërisë, i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar shpalljen e jashtëligjshme të kontrollit të dy banesave të saj në zonën e Valamarit në Hamallaj të Durrësit.

Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, pretendojnë se kontrolli ka qenë i papërshtatshëm dhe se duhej të merrej autorizim nga Kuvendi për të ushtruar kontrollin.

Erjola Hoxhës, SPAK dhe BKH, i kanë bllokuar një aparat telefonik, dhe 40 mijë euro.

Të njëjtën kërkesë ka depozituar në gjykatë dhe ish-gruaja e Ahmetaj, Albina Mançka, të cilës BKH i kontrolloi një aparat telefonik.

“Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë”, thuhet në ankim.

Në dokumentin e ankimit, theksohet se “banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme, ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre”.

Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kontrollit të banesës.

Këto kontrolle pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme, u kryen të enjten e shkuar pas hetimeve për të verifikuar rolin e ish-zv/kryeministrit në çështjen e inceneratorëve.

Emri i Arben Ahmetajt doli pas zbërthimit të laptopit të Klodian Zotos, i cili dyshohet se është përfitues kryesor i inceneratorëve dhe është shpallur në kërkim nga policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë