Lajme

Ahmetaj: Çmimi i biletave të avionit, më i shtrenjti

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, në kuadër të raportimit vjetor të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018, u vu theksi në vjeljen e gjobave për vitin 2018.
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, njëkohësisht edhe deputet i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, deklaroi se Autoriteti duhet të mbrojë konsumatorin dhe konkurrencën e lirë.
“Besoj se puna e autoritetit të konkurrencës duhet të ngrihet në një nivel të ri, duke u fokusuar në fenomene që krijojnë standarde të reja. Thelbi nuk është gjoba, por konkurrenca e lirë dhe e ndershme. Në të gjithë përpjekjet që bën qeveria dhe kuvendi për të përcaktuar direktivat janë përafruar në shumë fusha. Unë mendoj se autoriteti duhet të ketë iniciativa që mbrojnë konsumatorin dhe konkurrencën e lirë. Duhet të fokusoheni në tregun e transportit ajror”, u shpreh Ahmetaj.
Lidhur me çmimin e biletave të fluturimeve ajrore, ai tha që është më i shtrenjtë për segmente të ngjashme me ato të vendeve të tjera.
“Ky transport ka dominim të operatorëve. Unë do t'i kërkoja autoritetit të bënin një gjë të vlefshme për tregun e lirë. Si ka mundësi që çmimi i biletës është më i shtrenjtë për segmente të ngjashme me ato të vendeve të huaja? Ju iu referuat gjobave, po gjobat janë vetëm një element. Dëmi moral është shumë i rëndësishëm. Aspekti i biletave për shkak të një tregu i cili nuk është plotësisht i lirë, dëmi për një konsumator mund të shkojë deri në 200 milion euro”, tha ndër të tjera Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë