Treg

Agropërpunuesit në kolaps, përplasje në qeveri për skemën e TVSH-së

Sabina Veizaj- Renato Xhangolli prej 5 vjetësh ka ngritur një pikë grumbullimi për qumështin e deles në Divjakë. Ai ka edhe një laborator ku bën analizat e qumështit. Në 2018-ën Xhangolli ka bashkëpunuar me 64 fermerë në bashkinë e Divjakës, pjesa më e madhe e tyre të regjistruar.

“Ne kemi falimentuar tashmë. Na rezulton të paguajmë edhe TVSH-në e fermerit. Puna jonë ka shumë kosto dhe pak fitim. Përveç shqetësimit të TVSH-së ne kemi problem informalitetin. Unë këtë vit e kam mbyllur pikën e grumbullimit sepse kanë shpërthyer baxhot, të cilat janë krejtësisht informale. Na i kanë marrë ato punën” – më shpjegon Xhangolli.

Ai e mblidhte dy herë në ditë qumështin e deles nga fermerët, në darkë dhe mëngjes. Gati dy tonë në ditë.

Xhangolli ngre si shqetësim të madh mbi të gjitha cilësinë e qumshtit. Mungesa e theksuar e cilësisë, për të vjen nga mungesa e informimit.

“Fermeri kënaqet dhe ndjehet i realizuar kur thotë se nuk i ka hedhur ujë qumështit, aty nis dhe përfundon cilësia”- më thotë Xhangolli, i cili më tregon se ka qenë një punë kolosale për ti edukuar fermerët me cilësinë dhe higjenën. Prej tre vjetësh ai ka kontratë me fabrikën Erzeni. Një litër qumësht e merr nga fermeri me 90 lekë dhe e shet në fabrikë me 94 lekë.

Por këtë vit, më sqaron ai, nuk e ka nisur punën, për arsye se fermerëve ju leverdisë më tepër të bashkëpunojnë me baxhot të cilat nuk kanë asnjë kërkesë llogarie dhe iu japin pak lekë më shumë për litër.

“Fermerët që ne i qujamë të tillë, nuk kanë ferma, por kanë disa krerë lopë a dele sa për të mbijetuar”- thotë Xhangolli.

Ai aktualisht ka vetëm qumështin që prodhon nga delet e veta, rreth 90 litra në ditë. Por që prej të mërkurës i gjithë zinxhiri; fermerë, grumbullues dhe fabrika janë në protestë dhe nuk kanë nxjerrë në treg produkt. Xhangolli më thotë se protesta do të përvijojë derisa qeveria të deklarojë zyrtarisht ndryshime në skemën e re.
Për çështjen e barrës së TVSH-së ka reaguar edhe kompania Zepa Natyral e cila ofron bulmet dhe lëngje natyrale.

Kompania është shprehur në një njoftim për shtyp se i konsideron të rënda imazhet që vijnë nga fshatrat e ndryshëm të vendit.

Zepa Natyral e konsideron të pajustifikuar faktin që përpunuesit e qumështit duhet të paguajnë 6% TVSH në blerjen e lëndës së parë dhe 20% në shitjen e produkteve.
“Vendimi i qeverisë ishte arbitrar dhe u mor jashtë çdo komunikimi e konsultimi me grupet e interesit, duke zhbërë në mënyrë të beftë atë që dy vjet më parë ishte konsideruar një histori suksesi në mbështetjen e prodhimit vendas bujqësor dhe agro-biznesit. Kjo marrëdhënie e tensionuar prodhues-përpunues, nuk do të kufizohet vetëm tek blegtorët, por së shpejti ujla e rimbursimit të TVSH-së do të japë efekte edhe tek bujqit, në shitjen frutave dhe perimeve.”- citon njoftimi i Zepa Natyral.

Përplasje në qeveri për TVSH-në

Ka dy muaj që situata ka nisur të nxehet ngadalë deri në vendimin drastik të bojkotit të fermerëve nga ana e grumbulluesëve dhe fabrikave të bulmetit ku prej tre ditësh nuk ka më bulmet të freskët vendi në treg. Përballë kësaj situate, qeveria, ministritë e linjës nuk kanë një deklaratë apo qëndrim zyrtar dhe vendim të unifikuar, por copëza deklaratash sporadike në medie dy ditët e fundit kur situata ka dalë jashtë kontrollit dhe qeveria percepton një rrezik të mundshëm në rritje.

Drejtori i Politikave Fiskale pranë Ministrisë së Financave Niko Lera është shprehur në mbrotje të skemës së re të TVSh-së. “ Hoqëm TVSH-në e imputeve dhe sërish pavarësisht se u hoq TVSH e imputeve lamë 6% kompensim, sepse ka impute që fermeri nuk i rimburson dot. Siç është karburanti. Sepse çdo llogaritje edhe në nivel europian, pesha që zë prodhimi bujqësor dhe imputet është 6% kjo është bërë me studime. Është një arsye e fortë që nuk kemi indicie të plota dhe nuk kemi indicie të besueshme që të verifikojnë, certifikojnë që 20% subvencion për fermerin të ketë shkuar për të”- është shprehur Z. Lera.

Kurse, lidhur me çështjen e qumështit, ai ka sqaruar se, po shihet mundësia “e një mekanizmi tjetër si mund ta financojmë fermerin, për këtë po punojmë, pra ne duam, të gjejmë një skemë që t’ia japim direkt fermerit. Kemi indicie që ky fond, që buron nga buxheti i shtetit, ja heq qytetarit shqiptar dhe ia jep fermerit. Ne duam që të garantojmë se do të shkojë në xhepin e fermerit, në mënyrë që ai të reduktojë kostot dhe të rritë produktivitetin.”

Kurse Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi duket se e ka gati skemën për rimbursimin e dëmit sipas tij që rrjedh nga skema e re pagesës së TVSH-së.
“Shpjegimi për fermerët që po përjetojnë një destabilizim në marrëdhënie me grumbulluesit, përpunuesit dhe fabrikat. Dua ti qetësoj të gjithë edhe fermerët, edhe grumbulluesit edhe fabrikat; asgjë nuk do të ndodhë për të çekuilibruar këtë sektor kaq të rëndësishëm sepse ne kemi vendosur që të gjithë atë humbje që është krijuar nga ndryshimi i paketës fiskale në lidhje me kompensimin e produkteve bujqësore, do ta kompensojmë deri në 1” – është shprehur ministri Çuçi.

Ai ka sqaruar se të gjithë fermerëve që dorëzojnë qumështin në pikat e grumbullimit dhe fabrika do të kompensohen.

“Kemi një skemë gati dhe besoj që për shumë pak ditë do të jetë në dispozicion për të gjithë fermerët dhe pjesën tjetër të zinxhirit që mendojnë se do të humbasin pas ndryshimit të paketës fiskale”- ka thënë Minsitri i Bujqësisë.
Ndërsa grumbulluesit dhe përpunuesit kanë deklaruar se kërkojnë barazim të TVSH-së në blerje dhe shitje.

I gjithë zinxhiri konfirmon se do të vazhdojnë të kolapsojnë tregun deri në një vendim zyrtar të firmosur dhe vulosur. 3000 fermerëve të jugut i i janë bashkuar edhe fermerët e Lezhës dhe Shkodrës.

Sipas tyre, nëse nuk do të ketë një reagim të menjëhershëm nga qeveria, ata do të përshkallëzojnë protestën duke e zhvendosur atë në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë