Ne rrjet

Agresioni i Serbisë ndaj Kosovës temë në Samitin e Liderëve Europianë, të pranishëm Osmani e Vuçiç

Nga Gazeta 'Si'-Samiti i tretë i komunitetit politik europian ka mbledhur sot liderët e 47 vendeve evropiane në qytetin spanjoll të Granadës dhe një nga temat kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Europian.

Pjesëmarrësit e takimit do të diskutojnë se si ta bëjmë Europën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjikisht të rëndësishme, njoftoi Këshilli i BE.

Në samit janë të ftuar presidentët e shteteve dhe qeverive të 47 vendeve, si dhe presidentët e Këshillit Europian, Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian.

Përveç anëtarëve të BE-së, në samit do të marrin pjesë ndër të tjera liderët e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia, Armenia, Azerbajxhani.

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe samitit jozyrtar të BE-së një ditë më vonë.

Ai tha se situata aktuale në Kosovë do të diskutohet në margjinat e samitit të BE-së, duke paralajmëruar se “dhuna nuk është e pranueshme” dhe se “mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen si kusht për integrimin në BE”.

Presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Vjosa Osmani do të marrin pjesë në samitin e komunitetit politik evropian, ndërsa gazeta britanike The Guardian, duke cituar burime të paidentifikuara, shkruan se ka përpjekje për organizimin e takimit të tyre “megjithë armiqësinë politike mes dy vendet”.

Takimi i radhës do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Një ditë pas samitit të Komunitetit Politik Evropian do të mbahet një takim jozyrtar i Këshillit Evropian, po në Granada. Spanja aktualisht mban presidencën e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë