Treg

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kontrata sezonale me pagë minimale

Janë 420 persona që do të punësohen në mënyrë sezonale nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.

Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare jep detaje për punësimet me kontratë të përkohshme sezonale 2 mujore (10 korrik–10 shtator 2019) sipas emërtesës së vendit të punës.
Punonjësit me kontratë të përkohshme do të kontraktohen me pagën bazë minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

Zonat ku do të punësohen personat në mënyrë sezonale janë; Pika Kufitare e Morinës, Sarandë, Theth, Durrës, etj të cilët do të shërbejnë për të dhënë informacionet e kërkuara nga turistët dhe vizitorët. Gjithashtu në Llogora, Porto Palermo dhe Vlorë do të jenë të lira vendet tek Kioska smile.

Vendimi përcakton se Ministrisë së Drejtësisë, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim” të miratuar për vitin 2019, i reduktohet fondi prej 20 milionë lekësh, në zërin buxhetor “Shpenzime korrente”.

Ky fond do të rishpërndahet në të njëjtën shumë dhe zë buxhetor në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në programin buxhetor “Për mbrojtjen e mjedisit”, për pagesën e punonjësve të kontraktuar.

Shpenzimet për pagat e punonjësve të rinj si dhe kostot administrative do të përballohen në vlerën 20 milionë lekë nga fondet buxhetore të Ministrisë së Drejtësisë, të rishpërndara pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe 14 milionë e 700 mijë lekë nga fondet buxhetore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga programi “Planifikim, menaxhim” (Shpenzime operative).

Nga shuma totale, 26 milionë lekë do të jenë për fondin e pagave dhe të sigurimeve dhe 8 milionë e 700 mijë lekë do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve operative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë