Treg

Agjencia e Energjisë: Sanksionet ndaj naftës ruse po japin ‘efektin e synuar’

Sanksionet e naftës ruse kanë dhënë “efektin e synuar” pavarësisht prodhimit dhe eksporteve çuditërisht elastike në muajt e fundit, sipas Toril Bosonit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë(IEA).

Embargoja e Bashkimit Europian ndaj produkteve të naftës ruse hyri në fuqi më 5 shkurt, duke u mbështetur në kufirin e çmimit prej 60 dollarësh të zbatuar nga ekonomitë kryesore të G-7 (Grupi i Shtatë) më 5 dhjetor.

Bosoni, e cili është drejtuesja e sektorit të industrisë së naftës dhe tregjeve në IEA, tha se prodhimi dhe eksportet ruse të naftës ishin mbajtur “shumë më mirë se sa pritej” në muajt e fundit. Kjo për shkak se Moska ka qenë në gjendje të ridrejtojë pjesën më të madhe të naftës së papërpunuar që më parë shkonte në Europë drejt tregjeve të reja në Azi.

Kina, India dhe Turqia në veçanti rritën blerjet për të kompensuar pjesërisht rënien prej 400.000 fuçi në ditë të eksporteve të naftës së papërpunuar ruse në Europë në janar, sipas raportit të tregut të naftës të IEA-së. Një pjesë e naftës ruse po vazhdon ende rrugën e saj drejt Europës përmes tubacionit Druzhba dhe Bullgarisë, të cilat janë të përjashtuara nga embargoja e BE-së.

Agjencia shtoi se kufijtë e çmimeve të G-7 mund të ndihmojnë gjithashtu në forcimin e eksporteve ruse në një farë mase, pasi Moska është e detyruar të shesë naftën e saj Urals me një çmim më të ulët për ato vende që respektojnë kufijtë, gjë që potencialisht e bën atë më tërheqëse se burimet e tjera të naftës së papërpunuar.

Bosoni shprehet se sanksionet e naftës ruse kanë dhënë “efektin e synuar”

Pavarësisht vëllimeve të konsiderueshme të eksporteve të Rusisë, Bosoni argumentoi se kjo nuk do të thotë se sanksionet kishin dështuar.

“Kufiri i çmimit u vendos për të lejuar që nafta ruse të vazhdojë të rrjedhë në treg, por në të njëjtën kohë duke reduktuar të ardhurat ruse. Edhe pse prodhimi rus po del në treg, ne po shohim që të ardhurat që Rusia merr nga nafta dhe gazi i saj janë ulur me të vërtetë”, tha Bosoni.

“Për shembull në janar, të ardhurat nga eksporti për Rusinë ishin rreth 13 miliardë dollarë, që është 36% më pak se një vit më parë,” tha ajo. “Të ardhurat fiskale ruse nga industria e naftës janë ulur me 48% në vit, kështu që në këtë kuptim mund të themi se kufiri i çmimit ka efektin e synuar”.

Ajo theksoi gjithashtu mospërputhjen në rritje midis çmimeve të naftës ruse të Urals dhe naftës së papërpunuar ndërkombëtare Brent. I pari ishte mesatarisht 49.48 dollarë për fuçi në janar, sipas Ministrisë ruse të Financave, ndërsa Brent po tregtohej mbi 85 dollarë për fuçi të enjten.

Bosoni gjithashtu vuri në dukje se indikacionet janë se Moska mund të mos jetë në gjendje të rialokojë tregtinë e produkteve të naftës në të njëjtën mënyrë siç ka eksportet e papërpunuara, kjo është arsyeja pse IEA pret që eksportet dhe prodhimi të bien më tej në muajt e ardhshëm.

Kërkesa globale për naftë

Rritja globale e kërkesës për naftë pritet të rritet në vitin 2023 pas një ngadalësimi të mprehtë në gjysmën e dytë të 2022, me Kinën që përbën një pjesë të konsiderueshme të rritjes së parashikuar.

IEA tha se një rritje e theksuar në trafikun ajror në javët e fundit theksoi rolin qendror të dërgesave të karburantit të avionëve në rritjen e vitit 2023. Ofertat e naftës pritet të rriten me 1.1 milionë fuçi në ditë për të arritur në 7.2 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2023, me kërkesën totale që ka arritur një rekord prej 101.9 milionë fuçi në ditë.

Efektet e embargos së fundit të naftës dhe kufirit të çmimit të Perëndimit do të jenë një faktor kyç në përmbushjen e kësaj rritjeje të kërkesës, vuri në dukje raporti i IEA.

Burimi: CNBC/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë