Lajme

Afganët e parë do të strehohen në Qytetin Studenti

Një pjesë e godinave të konvikteve në Qytetin Studenti po përgatiten për të strehuar provizorisht grupin e parë prej 250 deri në 350 vetë të afganëve, nga rreth 2 mijë në total që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.

Konviktet e studentëve janë përzgjedhur si mjediset e strehimit të përkohshëm të tyre deri në zhvendosjen në kampe më të përshtatshme, në pritje të përfundimit të procedurave të vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi konfirmohet edhe nga një pjesë e studentëve që janë në punë dhe jetojnë edhe në këto ditë vere nëpër këto godina. Ata thonë se janë njoftuar nga administratorët e godinave për të liruar ambientet dhe për t’i përgatitur këto mjedise për afganët. Në total jozyrtarisht Gazeta Si mëson se për strehimin e afganëve në fazën e parë janë menduar 2-3 godina, nga rreth 20 godina që ka në total Qyteti Studenti.

Ndërkohë, një pjesë tjetër e afganëve pritet që të strehohet nëpër hotele në Durrës, ku qeveria do të ndërmjetësojë një marrëveshje të ngjashme strehimi me ata që u strehuan nëpër këto godina pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019-s.

Në total, Shqipëria pritet që të pranojë rreth 2 mijë afganë. Së bashku me Kosovën, Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar afganët që rrezikojnë jetën në Afganistan.

Sekretari i shtetit Blinken kërkoi të hënën që rrugët dhe aeroportet duhet të qëndrojnë të hapura për ata që po ikin nga Afganistani. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhacka bëri një koment pas deklaratës së Blinken duke thënë se Shqipëria është e gatshme të presë disa qindra persona jeta e të cilëve kërcënohet.

“Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”, shkruan Xhaçka. Por afganët do vendosen edhe në Kosovë dhe qeveria e Kosovës dhe presidentja Osmani dhanë menjëherë miratimin pas kërkesës amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë