Para

Afera e Unazës së Re, “DH Albania” hetohet vetëm për falsifikim

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen për çështjen “DH Albania” duke rrëzuar akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave dhe duke çuar për gjykim vetëm një person nën akuzën e falsifikimit të dokumentacionit.

Mbyllja e dosjes është bërë gjatë festave të fundvitit. I akuzuari i vetëm është 26-vjeçari Avdjol Dobi. Dosja është hetuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj, që është njëkohësisht edhe drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Interesimit të medias mbi këtë çështje, deri më tani ajo i është përgjigjur me heshtje.

Partia Demokratike reagoi përmes ish-deputetit Agron Shehaj, që e cilësoi këtë një skandal.

“Asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Asnjë. Zero. Prokuroria ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ka qenë vepër e një 26-vjeçari, që ka vepruar i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor. Prokuroria pretendon se 26-vjeçari ka mashtruar; Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dhe OST-ne, duke fituar dy tendera prej 28 milionë euro. Sipas prokurorisë, ky 26-vjeçar ka negociuar për javë të tëra dy kontrata të sofistikuara teknike, me dhjetëra specialistë, drejtues dhe funksionarë të shtetit, dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë”, tha ai.

Produktin e hetimeve dhe të akuzave për dosjen në fjalë, Shehaj e cilësoi si më qesharakja dhe më skandalozja në historinë e prokurorisë shqiptare, që tregon se ky organ është i kapur nga Edi Rama.

“Mbyllja e aferës DH Albania, pa ndëshkimin e asnjë zyrtari, tregon qartazi që Edi Rama ka urdhëruar prokurorinë për mbylljen e dosjes. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri dhe jo 26 vjeçari, janë krerët drejtuesit, dhe përfituesit e kësaj afere korruptive. DH Albania ishte mekanizmi i Ramës dhe Gjiknurit për të vjedhur dhe për t’i pastruar ne SHBA dhjetëra milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Varrosja e çështjes nga prokuroria dëshmon se Edi Rama e ka kapur drejtësinë, e cila sot është garancia kryesore e korrupsionit dhe krimit shtetëror. Afera DH Albania tregon që këtu sundon korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, që këtu nuk ka vend për njerëzit punëtorë dhe të ndershëm”, vijoi ish-deputeti demokrat.

Hetimet për “DH Albania” nisën në dhjetor të 2019, kur emisioni “Të Paekspozuarit” bëri publike se kompania që u shpall fituese për lotin e parë të Unazës së Re nga aksi Pallati me Shigjeta-rrethrrotullimi Shqiponja kishte falsifikuar datën e regjistrimit në Delauere të SHBA.

Në letra, kompanie drejtuar nga Avdjol Dobi në Shqipëri është regjistruar në korrik të 2018, pak para se të hapej gara për tenderin e Unazës së Re. Në ekstraktin historik të QKR-së ajo rezultonte si degë e kompanisë amerikane “Dunwell Haberman, e themeluar në qershor të 1998-ës në Delauere të SHBA me një aktivitet të ekonomik prej miliona dollarësh ndër vite.

Me këtë dokumentacion të falsifikuar, kompania konkurroi dhe fitoi tenderin me vlerë rreth 18 mln euro për lotin e parë të Unazës së Re, madje nisi edhe punën për realizimin e punimeve. Por, në emisionin “Të Paekspozuarit” në dhjetor të 2018 u zbulua se në të vërtetë kompania në fjalë ishte regjistruar në SHBA në qershor të 2018.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë