Politike

Adriatik Lapaj shpall lëvizjen e re: ‘Shqipëria bëhet’, tre pikat kryesore të partisë së ardhshme

Adriatik Lapaj prezantoi zyrtarisht lëvizjen më të re politike "Shqipëria bëhet".

Ai tha se shoqëria jonë ka nevojë të shkëputet nga koncepti i mikut dhe i partisë, ndërsa theksoi se duhet të sundojë ligji dhe të hapet gara politike.

"Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.

Askush nga ne nuk ka fuqi të mbinatyrshme. Qytetarët shqiptarë, nëse bashkohemi ne mund t’ia dalim. Askush të mos presë të dërguarin e Zotit të shpëtojë jetët tona. Duhet organizim për qëllimin tonë", tha  Lapaj

Ai sqaroi se “Shqipëria Bëhet” nis rrugëtimin si një lëvizje qytetare me profesionistë të fushave të ndryshme

Lëvizja ka si synim të shtrihet në Shqipëri dhe Diasporë, duke përfshirë këtu forume në 61 bashkitë e vendit, dhe debat publik.

“Në kushtet në të cilat vendi ynë ndodhet, lidhur kjo me situatat e bartura politike, të cilat nuk i kanë sjellë Shqipërisë asnjëherë demokracinë e merituar dhe garën e vërtete, ne shohim si të domosdoshme:

a) Nevojën urgjente të angazhohemi për hapjen e një debate kombëtar për vendosjen e demokracisë reale, pluralizmit real dhe shtetit të së drejtës.

b) Inicimin e një bashkimi mbarëkombëtar përtej ndarjeve ideologjike për të imponuar themelet e demokracisë reale.

c)Nevojën për një lëvizje intelektuale dhe të unifikuar mbarëkombëtare për të diskutuar dhe konkluduar për imponimin e një reforme totale kombëtare të fokusuar në:

1. Reformimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri duke hapur konkurrencën nëpërmjet hapjes së listave, kufizimit të mandateve qeverisëse dhe përfaqësuese

2. Miratimi i ligjit “Për referendumet” në Republikën e Shqipërisë;

3. Miratimi i votës së emigrantëve duke përcaktuar modalitetet e përfaqësimit të tyre.

4. Depolitizimi i administratës zgjedhore në të gjitha nivelet duke e hequr atë nga politika dhe duke e kaluar në profesione të lira (avokat, noter, profesionistë të licencuar, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë)”, thuhet në programin e saj

“Shqipëria Bëhet’ do të shtrijë takimet e saj me qytetarë dhe ekspertë, në Shqipëri dhe Diasporë, duke e nisur të shtunën se 23 Shtatorit me banorët e Mirditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë