Shendet

Adoleshentët e shëndetshëm janë në rrezik të rrahjeve të parregullta të zemrës nga ndotja e ajrit

Adoleshentët e shëndetshëm janë të prirur të vuajnë nga rrahjet e parregullta të zemrës për shkak të ndotjes së ajrit, sipas studimit të parë të madh të ndikimit të ndotjes tek adoleshentët e shëndetshëm, që nuk vuajnë nga asnjë sëmundje.

Gjetjet kanë ngritur shqetësim tek studiuesit sepse aritmitë e zemrës, të cilat mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes së papritur, duket se shkaktohen edhe kur ndotja e ajrit është brenda kufijve të zakonshëm të cilësisë së ajrit.

Mjekët monitoruan aktivitetin e zemrës dhe ajrin e thithur nga më shumë se 300 adoleshentë të shëndetshëm gjatë periudhave 24-orëshe. Ata zbuluan se përqendrimet më të larta të grimcave të imëta të quajtura PM2.5 rrisin rrezikun e rrahjeve të parregullta të zemrës për dy orët e ardhshme pasi ato kanë qenë në një ambient me ajër të ndotur. Efekte të ngjashme janë gjetur më parë tek të moshuarit.

"Me sa dimë, ky është studimi i parë që raporton lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe aritmive kardiake midis adoleshentëve të shëndetshëm", shkruajnë studiuesit në Journal of the American Heart Association.

Shkarkimet e automjeteve dhe djegia në industrinë e prodhimit dhe të ndërtimit janë një burim kryesor i PM2.5, ose grimcave më të vogla se 2.5 mikron. Pasi thithen, ato mund të arrijnë thellë në mushkëri dhe madje edhe në enët e gjakut ku shkaktojnë inflamacion që nxit sëmundje.

Doktor Fan He, autori kryesor i studimit tha se rezultatet ishin të rëndësishme duke pasur parasysh se adoleshentët e shëndetshëm zakonisht konsiderohen me rrezik të ulët për sëmundjet kardiovaskulare.

“Gjetjet tona tregojnë se ndotja e ajrit mund të shkaktojë aritmi dhe të kontribuojë në vdekjen e papritur kardiake tek të rinjtë”, tha ai për “The Guardian”.

Studiuesit ekzaminuan ndikimin e ndotjes së ajrit te 322 adoleshentë të shëndetshëm rreth shtatë vjet pasi ata u regjistruan, nga mosha gjashtë deri në 12 vjeç.

Fan He tha se standardet më të mira të cilësisë së ajrit do të përmirësonin shëndetin e zemrës në popullatën e përgjithshme dhe do të reduktonin probleme të tjera kronike, si kanceri dhe sëmundjet e mushkërive. Por në mungesë të ndonjë përmirësimi në cilësinë e ajrit, ai sugjeroi që njerëzit të marrin masa paraprake, veçanërisht kur ndotja është në maksimum.

“Vendosja e maskave dhe shmangia e aktiviteteve fizike në ditët shumë të ndotura dhe gjatë orëve të pikut zvogëlojnë sasinë e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit dhe minimizojnë rreziqet e lidhura me shëndetin”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë