Futboll

Adidas ndalon shitjen e fanellës me numër 44 të Gjermanisë, ngjan me siglën naziste

Gazeta Si – Një tjetër debat për fanellën e Gjermanis, pas atij të kalimit te Adidas. Kjo kompani ka bllokuar shitjen online të fanellës së Gjermanisë me numër 44, sepse sjell në kujtesë simbolin e Schutzstaffel, e njohur gjerësisht si SS, organizata paraushtarake e Partisë Nacionalsocialiste Gjermane.

Lajmi bëhet i ditur nga ‘Bild’, që sjell deklaratat e Oliver Brugen, zëdhënës i markës së njohur sportive. Ai shpjegon se ngjashmëria mes numrit 4 dhe S-së së ‘SS’ nuk ishte absolutisht e qëllimshme.

Me një postim të publikuar në ‘X’, DFB (Federata Gjermane e Futbollit) pohon se dizajni i fanellave ishte prezantuar dhe vlerësuar edhe nga UEFA dhe që "asnjë nga palët e përfshira nuk kishte dalluar asnjë ngjashmëri me simbolet naziste". Federata ka siguruar se "do të ketë një dizajn alternativ për numrin 4 bashkë me ‘11teamsports’".

Problemin e ngriti i pari historiani gjerman, Michael König, duke evidentuar përafërsinë e karakterit të numrit 4 me simbolin e SS. Më pas shpërtheu debati në Gjermani, që solli edhe vendimin drastik për të hequr nga tregu fanellën me numër 44.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë