Rend dhe Ligj

Abuzuan me detyrën, gjykata liron mjekët në Shkodër

Vetëm tre ditë kanë qëndruar në qeli mjekët dhe infermierët e spitalit të Shkodrës që akuzohen për abuzim me detyrën. Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për mjeket Perparim Cela, Luan Dragusha, farmacisten Karmen Kaculini dhe infermierin Renato Kepi. Ndërkohë masa “detyrim paraqitje” u dha edhe për Amanda Matlija, Juliana Zhuri e Albana Mehmetaj.

Të gjithë këta mjekë dhe infermierë u vunë në pranga tre ditë më parë me akuzën e abuzimit me detyrën. Motivi i arrestimit të këtyre mjekëve dhe infermierëve ishte për shkak se kishin kërkuar materiale të domosdoshme mjekësore për kabinetin e hemodinamikës. Por nga hetimi i realizuar nga Prokuroria rezultoi se materialet e kërkura ishin shumë më shumë se kapacitetet që mund të përballojë spitali i Shkodrës.

Më herët për arrestimet e “bluzave të bardha” kishte pasur reagim edhe nga Sindikata e Shëndetësisë, e cila e konsideroi ndalimin e tyre të padrejtë. Sipas sindikatës përgjegjësitë për këtë ngjarje në spitalin e Shkodrës duhet të kërkohen tjetërkund. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor këtë të shtunë në Shkodër në sallë kanë qenë edhe familjarët e personave të dënuar dhe për disa çaste ka pasur tensionim të situatës.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë