Njerez

A vuajnë nga diskriminimi të moshuarit në Shqipëri? 

Kur një individ kalon në moshën e tretë përballet me ndryshime të shumta të roleve fizike, psikologjike dhe sociale që sfidon ndjenjën e tij për veten dhe aftësinë për të jetuar në  mirëqenien e mëparshme.

Një studim i fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka treguar se institucionet rezidenciale të kujdesit mund të pranojnë vetëm 0.78 për qind e numrit të të moshuarve që kanë nevojë për kujdes afatgjatë.

Nga të dhënat thuhet se rreth 91 mijë persona të mohës 65 vjeç +, kanë nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë.

Por, njëkohësisht infrastruktura e Shqipërisë për moshat e vjetra ende nuk është e mjaftueshme. Raporti shkruan se qeveria ka miratuar Veprimin Kombëtar për Planin e Plakjes 2020-2024.
Sipas raportit ky plan është sipas standardeve europiane por nuk mjafton për të minimizuar boshllëqet e krijuara ndër vite në kujdesin e të moshuarve.

Marsi Simo, sociologe, 03.07.2022

Sociologja Marsi Simo e pyetur nga Gazetasi.al tregon se ne si shoqëri përpiqemi të ruajmë një respekt për të moshuarit, si një vlerë e trashëguar edhe nga brezat e mëparshëm.

"Për këtë ka ndihmuar edhe jetesa në familje të zgjeruara e cila i jep vëmendje të moshuarve kryesisht në familje. Megjithatë duhet ta pranojmë se shumë të moshuar përjetojnë vetminë dhe depresionin në pleqëri, qoftë si rezultat i të jetuarit vetëm ose për shkak të mungesës së lidhjeve të ngushta familjare, emigrimit të më të rinjve të familjes, si dhe pamundësi për të marrë pjesë aktive në aktivitetet e komunitetit", shpjegon Simo.

Sipas raportit të ILO, një kosto e parashikuar e punës së kujdesit është në të paktën 0.58 për qind të PBB-së.

Në 30 vitet e ardhshme, numri i personave potencialisht në nevojë e kujdesit afatgjatë parashikohet të rritet në rreth 130 mijë në 2030, 160 mijë në 2040, dhe 161 mijë në 2050, me më shumë rritje te femrat.

Vetmia e të moshuarve vihen re më shumë në zonat rurale të cilat janë të investuara më pak dhe nuk ofrojnë mundësi për veprimtari për moshën e tretë.

Simo shpjegon se ka një rëndësi themelore që mosha e tretë të ketë një jetë shoqërore aktive. Sociologja shton se në këtë mënyrë mund të parandalojnë një sërë sëmundjesh fizike, që të ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre të përgjithshëm.

Foto ilustruese-Të moshuar në shëtitje, Gazeta "Si"- 03-07-2022.

"Ndërsa sfidat e të moshuarve janë të shumta do theksoja edhe diskriminimin ndaj tyre. Është një formë diskriminimi i fshehtë, por që ekziston", shpjegon Simo.
Sociologra përcakton se diskriminimi ndodh në nivelin makro, në institucione të ndryshme ku ata duhet të marrin një shërbim të caktuar, ose në lidhje me politikat që përcaktojnë përkrahjen e kësaj moshe.

Por sipas Simos, diskriminimi mund të ndodhë edhe në shoqëri, ku të moshuarit mund të trajtohen si pa funksion apo të përjashtohen në angazhimet sociale.

"Në nivelin mikro të moshuarit mund edhe të vetë diskriminohen, duke mos ndërvepruar me të tjerët duke vetë plotësuar etiketimet negative për moshën e tretë", shton Simo.

ILO ka konstatuar se ekziston një nevojë e madhe e një reforme të kujdesit afatgjatë për të moshuarit.

Ndërsa, sociologja shton se është e rëndësishme që të moshuarit mbajnë një regjim fizik aktiv me miqtë dhe fqinjët. Kështu përmirësojnë ndjeshëm shëndetin fizik dhe atë psiko-social ndërsa plaken.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë