Analize

A u “gatua” ndarja e Kosovës nga Rama-Vuçiç dy vjet më parë?

A janë kryeministri Edi Rama dhe presidenti Aleksandër Vuçiç “kumbarët” e vërtetë të tezës për përndarjen e Kosovës?

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka shkaktuar një termët të vërtetë politik në rajon, duke deklaruar se ideja e ndryshimit të kufijve të Kosovës u hodh për herë të parë nga tavolinë dy vite më parë në Nish, gjatë takimit të Presidenti Vuçiç, dhe Kryeministrit Rama. 

Në një interviste për gazetën serbe “Vrme”,  Sonja Biserko, ka thënë se ndarja e Kosovës mori më pas edhe bekimin e një sërë figurash ndërkombëtare si Tony Bler dhe Aleksis Soros, të dy mbështetës të kryeministrit shqiptar.

Deklaratat e Kryetares së Komitetit të Helsinkit vijnë në një moment kyç për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe hedhin dritë mbi përfshirjen e mundshme të Tiranës, e cila ka mbajtur zyrtarisht “një qëndrim neutral”. Në një intervistë televizive në Top Channel, kryeministri Edi Rama deklaroi disa javë më parë se ai ishte shqiptari i fundit që i takonte të ndërhynte në dialogun Kosovë-Serbi.  “I takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojnë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj”, deklaroi ai.

Kryetarja e  Komitetit të Helsinkit  Sonja Biserko

Por versioni i zonjës Biserko është totalisht i kundërt nga ai i kryeministrit shqiptar. Sipas saj, marrëveshja e shumëpërfolur Thaçi-Vuçiç, nisi në të vërtetë si një pakt Rama-Vuçiç dhe ka marrë tanimë një peshë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.

“Ndonëse iniciativa për ndarjen e Kosovës, duket se doli papritur në sipërfaqe, ajo është ‘gatuar’ për së paku dy vjet. Beogradi ka kërkuar gjatë gjithë kohës një partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur tek kryeministri Edi Rama. Këto bisedime kanë nisur para dy vjetësh, kur Rama ka qenë në Nish, por ata atëherë janë penguar nga Uashingtoni dhe Londra,” thotë Biserko.

“Ideja për ndarjen e Kosovës ka qenë gjithnjë në qarkullim në tryezë ose nën tryezë. Gjithçka varej nga rrethanat ndërkombëtare. Tani që bota përballet me turbulenca dhe sfida, elita politike serbe e ka të qartë se ky është momenti më i përshtatshëm për planet e saj”, është shprehur ajo.  Edhe pse Londra dhe Perëndimi ishin fillimisht kundër idesë për ndarje apo për korrigjim kufijsh i janë bashkuar edhe një sërë njerëzish me peshë nga Perëndimi, siç janë Volfgang Petriç, i cili punon për një zyrë avokatie që bashkëpunon me qeverinë serbe, ish-kryeministri britanik Toni Bler, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Kameron Manter, Aleks Soros, por edhe Ivan Vejvoda, Jelena Miliq, Ivan Krastev... Të gjithë këta emra janë pro ndarjes së Kosovës”, thekson kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi.

https://www.instagram.com/p/BlvghEMB8VR/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=embed_loading_state_control

Biserko shkon edhe më tej duke zbuluar një më një lidhjet e figurave perëndimore që duket se mbështesin idenë e ndarjes së Kosovës.

“Të gjithëve na kujtohet se nëpër Beograd kanë qarkulluar shumë figura të bashkësisë ndërkombëtare. Bleri i ofron shërbime këshilluese qeverisë serbe. Në këtë kontekst është interesant edhe qëndrimi i Institutit East West, i cili ka deklaruar se duhet treguar fleksibilitet me Kosovën. Më pas erdhi ndërhyrja e Aleksis Soros, i cili ka zhvilluar një ‘fushatë të mirëfilltë diplomtilke’ midis Vuçiç, Thaçit dhe Ramës”, thotë ajo.

https://www.instagram.com/p/Bl0fMWohOgl/?utm_source=ig_embed&utm_campaign=embed_loading_state_control

Por sipas zonjës Biserko, as Amerika dhe as Gjermania nuk janë pro ndarjes së Kosovës.

“Asnjë zyrtar amerikan nuk ka thënë se është pro ndarjes së Kosovës. Ata kërkojnë që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje fillestare, e cila do të rishikohet më pas nga Amerika. Është e qartë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet as pa Gjermaninë. Edhe Vuçiç e pranon hapur se kancelarja Angela Merkel nuk është pro ndarjes se Kosovës, por këmbëngul se megjithatë do të provojë të fitojë diçka”, thekson ajo.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka shprehur bindjen se qeveria serbe do të vazhdojë të lobojë për arritjen e kësaj marrëveshjeje, edhe pse duket sikur ka ulur tonet. Sipas saj ideja për ndarjen e Kosovës e ka tronditur gjithë rajonin, dhe më së shumti Prishtinën zyrtare.

“Tema e ndarjes së Kosovës ka shkaktuar shqetësime në gjithë rajonin, por më së shumti i ka shqetësuar shqiptarët dhe serbët në Kosovë. Duhet ta them se gjatë qëndrimit tim në Graçanicë kam dëgjuar se shumë serbë kanë filluar t’i nxjerrin shtëpitë në shitje. Atyre u mungon siguria, janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me fëmijet e tyre… Lista Serbe, e cila, falë manipulimeve të Beogradit, është bërë forca kryesore politikë e serbëve në Kosovë, nuk merret me interesat e tyre, ndonëse ka ndikim të rëndësishëm në Kuvendin e Kosovës”, deklaron Biserko.

Cfarë po gatuhet?

Mbështetja dhe mbrojtja e të drejtave të Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare, është një detyrim kushtetues për Tiranën zyrtare.  Edhe pse më vonë u perceptua sikur po kërkonte t’i “vinte kufij”, Hashim Thaçi kërkoi fillimisht ndihmën e mbështetjen e qeverisë shqiptare për realizimin e kërkesës së shqiptarëve te Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkim me Kosovën.

Kryeministri Edi Rama dhe Hashim Thaci 

“Ende nuk kam biseduar në mënyrë zyrtare me autoritetet shqiptare. Por nuk dua të besoj se Shqipëria do të jetë në pozicionin kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Mbes me shpresë se Shqipëria do të pozicionohet në favor të të drejtave të tyre”, theksonte ai në fund të gushtit. Deklarata e tij u pasua nga ajo zv.Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli i cili u shtriu dorën për ndihmë autoriteteve shqiptare.  

 “Dialogu Kosovë-Serbi ishte temë diskutimi. Kërkova mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën, që të na asistojë kudo që është e nevojshme”, shkruante Pacolli në rrjetet sociale. 

Megjithatë, intervista e zonjës Biserko na ofron një tjetër pikëpamje të negociatave të mbajtura prapa kamerave. Sipas saj kryeministri Rama është një nga faktorët kryesorë që ka çuar përpara marrëveshjen për shkëmbime territoriale. Këto negociata mes Ramës dhe Vuçiç duket se janë mbajtur larg syrit të publikur, por kanë qene vendimtare sipas zonjës Biserko, në hartimin e një marrëveshjeje që mund të ndryshojë njëherë e përgjithmonë historinë e shtetit të Kosovës.

Qendrimi i kryeministrit shqiptar bie ndesh me atë të shumë ekspertëve perëndimorë, të cilat druhen se nëse Serbia dhe Kosova e çojnë deri në fund paktin për të cilin po punojnë, një efekt “domino” do të hapte sërish “portat e ferrit” në mbarë Ballkanin. Në kohën kur rajoni po punon fort për të ardhmen europiane dhe zgjidhjen  e konflikteve ndër-entike, siç është ajo e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndryshimi i kufijve në një vend të Ballkanit është perceptuar si një lëvizje do ta fuste rajonin drejt një rrugë pa kthim.

Edi Rama dhe presidenti Aleksandër Vuçiç 

Kancelarja gjermane Angala Merkel duket se qëndron e qendron gjithashtu e palëkundur në ngritjen e një “muri rezistene ” për mbrojtjen e kufijve të Kosovës. Merkel ka deklaruar disa herë se qeveria gjermane është e bashkuar për të kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës.  Gjatë takimeve të saj me kryeministrin e Malit të Zi, liderët e Bosnje Herzegovinës dhe kryeministrin e Kroacisë, Merkel ka bërë vazhdimisht të qartë se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë.

Në kontrast me shtetin më të madh të BE-së, pozicioni i Shteteve të Bashkuara duket shumë më fleksibël. Uashingtoni, së bashku me aleatët e tij europianë, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por kjo duket se ndryshoi kur Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, një nga njerëzit më të besueshëm të Presidentit Donald Trump, tha se marrëveshja përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka pse përjashton shkëmbimin e territoreve.

Për të nxitur edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve, Komisioneri Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka deklaruar nga Madridi se pas konsensusit me Serbinë, Kosova do të njihet edhe nga Spanja. Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El Pais”, komisioneri europian theksoi se pas këtij, Kosova do të mund të njihet edhe nga pesë vendet të tjera të BE-së.

“Ne duhet ta lehtësojmë dialogun midis dy vendeve. Shpresoj se pas kësaj marrëveshjeje të jemi në një situatë ku vendet që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro, pra që të studiojnë marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të mund të ndryshojnë qendrim”, deklaroi Hahn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë