Politike

A shkelet Kushtetuta? Përplasje pas letrës së Lleshit për zhgradim

Presidenti vijon i “qetë” vizitën zyrtare në Francë, ndërsa letra e tij drejtuar kryeministrit Rama, ministres së Mbrojtjes për gjeneral Lleshin po turbullonte politikën shqiptare. Meta në mënyrë simbolike postoi në Facebook foton nga momenti i dhënien e ‘gradës’ “Mjeshtër i Merituar”, ish-futbollistit të kombëtares Edivn Murati, ndërsa në Tiranë iu dorëzua në zyrën e tij në Presidencë një letër tjetër veç asaj të kryeministrit Edi Rama.

Kësaj here ajo ishte nënshkruar nga zv.ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, i cili kërkonte heqjen e titujve ushtarakë, me qëllim zgjidhjen e këtij ngërçi, si e vetmja zgjidhja për ta emëruar në postin e ministrit të Brendshëm.

Kjo ishte edhe zgjidhja e pikëpyetjeve të ngritura nga presidenti Meta në lidhje me papajtueshmërinë se një ushtarak nuk mund të mbajë poste shtetërore, pasi kjo binte në kundërshtim me Kushtetutën. “Duke qenë se, kandidatura e z.Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues, është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1, të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, do të shprehej presidenti.

Ndërsa do të theksonte se “megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të”.
Kësaj letre me 14 pyetje, fillimisht iu përgjigj kryeministri Edi Rama, duke i ofruar si zgjidhje heqjen e gradës gjeneral që mban i propozuari për postin e ministrit të Brendshëm. “Kështu që, është e tëra e juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministër apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta ç’dekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm”, i kërkoi Rama në letrën drejtuar Presidentit.

Letra e Kryeministrit Rama drejtuar presidentit Meta

Kërkesa e Lleshajt
Në letrën prej tre faqesh që mban datën 12 nëntor, Lleshaj thotë se pranoi propozimin e kryeministrit me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore dhe se heq dorë nga karriera e tij ushtarake për të mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm, duke theksuar se me të gjitha vështirësitë dhe angazhimin profesional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik.
Lleshi gjithashtu bën të ditur se nuk është ushtarak aktiv sipas kuptimit të këtij ligjit, ndaj dhe për këtë arsye ka pranuar detyrën e këshilltarit të Kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, detyrë që e mbajti prej shtatorit 2013 deri në momentin kur u emërua në postinin e zv.ministrit të Brendshëm.
“Deri në momentin e daljes së këtyre akteve, unë kam cilësinë e gjyqëfituesit, por jo të "ushtarakut aktiv", siç parashikohet si nga neni 2 i ligjit nr.9210 datë 23.3.2004, të ndryshuar, "Mbi statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë", i cili qartësisht lidh rolin e ushtarakut aktiv si një person që "shërben" në FA, mban uniformën dhe ka detyrime të tjera të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin e zbatueshëm në fuqi, ashtu edhe nga ligji nr.54/2014, "Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura", ku saktësohet se: "Ushtarak aktiv i FA është shtetasi i titulluar oficer, nënoficer, ushtar nga autoriteti kompetent, që bën betimin ushtarak dhe shërben në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura".Në linjë me këtë interpretim është edhe fakti se unë kam ushtruar detyrën e këshilltarit politik pranë kryeministrit, detyrë e cila, në zbatim të drejtpërdrejtë të nenit 167 të Kushtetutës shkakton papajtueshmëri me statusin e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura”, shkruan Lleshi në letrën e tij.

Letra e Sandër Lleshit drejtuar presidentit Meta

   

Pikërisht në këtë paragraf, vetë i propozuari si ministër e vlerëson se me ushtrimin e detyrës si këshilltar ka shkelur Kushtetutën, ndërsa ka theksuar se për të zgjidhur ngërçin e krijuar, heq dorë nga karriera 28-vjeçare e ushtarakut.
“Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mos ushtrimin e funksionit të ushtarakut, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundësia që vendimi i Gjykatës më ka dhënë. Konsideroj se zgjidhja e ngërçit kushtetues dhe emërimi me sukses i ministrit të Brendshëm, pavarësisht emrit të përveçëm të ministrit, është një interes madhor publik që prevalon mbi interesat e mia individuale. Me këtë përgjegjshmëri deklaroi me anë të kësaj letre se në cilësinë e gjyqëfituesit me institucionin që ju drejtoni dhe Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi i vendimit numër 5137, datë 7.12.2017 i Gjykatës Administrative të Apelit”, thuhet në letrën e Lleshit.    

https://twitter.com/ediramaal/status/1061956250664161280


Ndërsa më pas i kërkon Presidentit që të marr vendime sa i përket kërkesës së tij për të realizuar heqjen spaletave që mban mbi supe, duke e zhveshur si ushtarak. “Në interpretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres çfarëdolloj akti administrativ nga Juaj, apo e çdo organi përgjegjës të parashikuar nga ligji që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam më ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak me qëllim që të përmbushet funksioni i rëndësishëm kushtetues i emërimit të Ministrit të Brendshëm”, mbyllet letra e gjeneral Lleshit.

Reagimi mbi shkeljen kushtetuese?
Menjëherë pas kësaj letre kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës shqiptare. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një reagim të tij akuzon kryeministrin për propozimin e paraqitur për emërimin e Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm, madje ai kërkon shkarkimin e kryeministrit për të këtë shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës. “Tashmë u provua sheshit shkelja shumë e rëndë e Kushtetutës nga Kryeministri, Qeveria dhe Lleshi me emërimin e tij zv.ministër i Brendshëm, duke qenë gjeneral aktiv. Kryeministri që shkel në mënyre flagrante Kushtetutën s'mund të qëndrojë më asnjë sekond në atë karrige. Përpara Ligjit të gjithë janë të barabarte”, shkruan Vasili në Facebook.
Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se kryeministri me letrën e tij e pranoi se ka propozuar një gjeneral aktiv si ministër i Brendshëm, duke shkelur ligjin themeltar të shtetit shqiptar.


“Karafil-Kryeministri e pranoi me në fund vetë, shkresërisht, se ka propozuar një Gjeneral aktiv për detyrën e Ministrit. Për sqarim: sipas nenit 69.1/b të Kushtetutës, ushtarakët aktiv nuk lejohen as të kandidojnë për deputetë. Të zgjidhen jo e jo. Nga ana tjetër neni 103.1 e Kushtetutës, barazon statusin juridik të ministrit me deputetin. Pra nëse nuk bëhesh dot deputet, nuk bëhesh as ministër. Kjo është Kushtetuta! Karafil-Kryeministri e pranoi se e ka shkelur këtë rregull të Kushtetutës, vetëm sot që propozon nxjerrjen e gjeneralit nga shërbimi aktiv! Por nga ana tjetër do ti duhet ti japë llogari dikujt si e emëroi Zv. Ministër personin që nuk e bënte dot ministër në shkelje të Kushtetutës?! E kujtoni sa helm ha hedhur gjithë këto ditë, për medemek “shkelje të Kushtetutës” nga Presidenti?! Nuk ka ndodhur vjet as para një muaji, por javën që kaloi. Ja si u katandis Karafili! Mrekullia Kushtetuese e këtij vendi! Dhunuesi më u madh i Kushtetutës e ligjeve të këtij vendi. SPAK do të duhet të hetojë mirë këtë Kryeministër, praktika e punës e të cilit nisen dhe përfundon në injorim dhe dhunim total të Kushtetutës dhe ligjeve! Nuk është vetëm çështja e marrëdhënieve emërim shkarkim, por ka gjëra të tjera që kanë sjellë pasoja të rënda, duke filluar nga tërësia territoriale e deri tek zhdukja e parave e pasurisë publike në mënyrë abuzive”, shkruan Manjani.

Publikimi i tre letrave dot të sjellë edhe një herë debatin institucional nëse me propozimin e Lleshit u shkel Kushtetuta ose jo? Një javë më parë kryeministri Edi Rama akuzonte presidentit se ka shkelur Kushtetutën, duke mos e dekretuar herën e parë Lleshin. Ndërsa në propozimin e dytë Rama do të shpresonte se kjo krisje institucionale sa i përket zbatimit të Kushtetutën të rregullohej kësaj here.

Por me publikimin e këtyre letrave, ngrihen pikëpyetjet nëse kryeministri ka zbatuar Kushtetutën ose jo, pasi ka shpërfillur faktin se Lleshi, pavarësisht aktiv ose jo, ishte një gjeneral me grada. Rama shpreson që Meta ta zgjidhë këtë shkelje kushtetuese, duke nxjerrë fillimisht dekretin për ç’gradimin e Lleshit, e më pas të firmosë emrin e tij si ministër i Brendshëm.
“Ja edhe kërkesa e zv.ministrit të brendshëm, Sandër Lleshi, për Presidentin e Republikës. Tani Presidenti është i lirë të zgjedhë interpretimin që do dhe në njërën rrugë a tjetrën, ta mbyllë procesin me dekretimin e ministrit të brendshëm, siç ia kërkon Kushtetuta e Shqipërisë”, shkruan Rama në Twitter, pasi publikon bashkëngjitur letrën e gjeneralit.


Presidenti pritet të kthehet më 14 nëntor nga vizita e tij zyrtare në Francë, dy ditë përpara se të skadojë afati kushtetues 7 ditor për t’u shprehur për propozimin e dytë. Për herën e parë presidenti do të deklaronte se nuk kishte krijuar bindjen për ta dekretuar Lleshin në këtë post.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, do të deklaronte zëdhënësi i Presidentit më 3 nëntor.
Tani me këto argumente Presidenti mund të gjejë arsye përtej bindjes se ky propozim mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë