Kur Nikos Kotzias njoftoi dorëheqjen, fillimisht mediat raportuan vetëm se ky vendim i ish-ministrit të Jashtëm grek mbërriti si pasojë e një përplasjeje të fortë brenda kabinetit qeveritar me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos.
Më vonë u mësua se shkak i përplasjes ishin akuzat e Kamenos ndaj Kotziasit për shpërdorimin e 40 milionë eurove, pjesë e atij që njihet si “buxheti sekret” i Ministrisë së Jashtme greke. Në Athinë, të gjithë ishin në dijeni të këtyre fondeve, por një grusht i vogël njerëzish janë ata që i menaxhojnë dhe e dinë se për çfarë përdoren.
Por, sekreti i përdorimit të këtyre parave ‘doli’ jashtë mureve të qeverisë greke falë sherrit Kotzias-Kamenos. Në mediat greke nisi të qarkullojë me shpejtësi lajmi se vetëm në tetor, nga ky buxhet ishin dhënë në Shqipëri 1 milionë euro për gazetarë, artistë, politikanë dhe përfaqësues të minoritetit grek .
Kureshtja se kush ishin ata persona që kishin përfituar nga këto para u vazhdua me disa artikuj të tjerë me lista emërore, që përfshinin figura të njohura të ekranit dhe të politikës në Shqipëri. Për median shqiptare, vërtetimi i këtyre listave mbetet një mision i pamundur, për të mos thënë se i tillë është edhe për vetë shtetin shqiptar dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, në një kohë kur ky institucion mbetet zyrtarisht pa një drejtor.
Për publikimin e këtyre listave të koduara, prokuroria greke ka nisur një hetim dhe u ka ndaluar mediave vendase që të publikojnë më tej materiale të ngjashme për temën në fjalë. Vetë prokurorët grekë janë vënë në lëvizje për të zbuluar se nga rrodhi ky informacion, ku dy janë pistat kryesore.
E para lidhet drejtpërdrejtë me Rusinë dhe përpjekjet e Moskës për të bllokuar Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë. Arsyet për të besuar se pas publikimit të kësaj liste të koduar qëndron Moska nuk mungojnë.
Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë, të cilësuar deri më tani si dy vende aleate tradicionale që i bashkonte ortodoksia janë në nivelin e tyre më të ulët. Përplasjet janë reflektuar në çdo sferë, që nga politika, diplomacia e deri tek feja.
Politikisht, Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka nënkuptuar në më shumë se një rast se në Athinë po veprojnë agjentura të huaja që synojnë bllokimin e Marrëveshjes së Prespës dhe trazimin e Greqisë. Diplomatikisht, Qeveria e tij dëboi gjatë muajve të verës dy diplomatë rusë, që i akuzoi për spiunazh dhe ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendit.
Informacionin që provonte se dy diplomatët e dëbuar ishin në të vërtetë spiunë rusë e kishin marrë nga amerikanët, që kishin arritur t’i përgjonin elementët në fjalë, së bashku me biznesmenin greko-rus, Ivan Savidis. Emri i këtij të fundit ka dalë nga përgjimet amerikane edhe si i lidhur me organizimin dhe financimin e drejtpërdrejtë të protestave të organizuara në Shkup para dhe gjatë referendumit kundër marrëveshjes së emrit.
Ndihma e amerikanëve u mirëprit nga Athina, që vetëm një dekadë më parë iu kundërvu e prerë Uashingtonit në një samit të NATO-s të organizuar në Bukuresht për çështjen e anëtarësimit të Maqedonisë. Greqia nuk lëshoi pe në këtë pjesë për interesat e veta, interesa që shkonin në të njëjtën linjë me ato të Moskës, për të ndalur zgjerimin e Aleancës ushtarake perëndimore në lindje të Europës.
Ajo çfarë ndodhi ishte një ftohje e marrëdhënieve me SHBA-në dhe një afrim me Rusinë. Sot, gjërat kanë ndryshuar dhe në një tablo më të përgjithshme, “dashuria e re greko-amerikane” reflektohet edhe në qëndrimet në raport me Turqinë. Presidenti Donald Trump po përplaset vazhdimisht me Ankaranë, ndërsa Putini ka çuar në një nivel më shumë se të kënaqshëm bashkëpunimin me Erdogan, aq sa ky i fundit, megjithëse në kundërshtim me rregullat e NATO-s, ku Turqia është anëtare nënshkroi me homologun rus një marrëveshje që do të vendosë në Turqi brenda vitit 2019 sistemin antiraketë rus, S-400.
Përplasja është reflektuar e fortë edhe tek Kisha Ortodokse. Në shtator, Patriarku Bartolomeu, që konsiderohet si “i pari mes të barabartëve” në ortodoksizëm njoftoi se kishte ndërmend t’i njihte pavarësinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës, deri më sot e varur nga Kisha Ortodokse Ruse. Lëvizja ngjalli reagime të forta nga kisha ruse, aq sa në media u përfol për krisjen më të madhe fetare që nga shekulli i 11-të, kur të krishterët u ndanë në katolikë dhe ortodoksë.
Athina hodhi poshtë gjithashtu kërkesat për viza hyrëse të klerikëve ortodoksë rusë që drejtoheshin për republikën monastike të malit Athos në veri të Greqisë. Komuniteti supozohet të jetë një "shpellë spiunësh", pasi Moska e ka kthyer Malin e Shenjtë në qendrën e mbledhjes së informacioneve, duke financuar pothuajse të gjithë manastiret përgjatë gadishullit.
Një tjetër hipotezë është rrjedhja e informacionit për shkak të përçarjes së brendshme të Qeverisë greke, por edhe përplasjes së koalicionit të Tsiprasit me Kamenosin me opozitën e Demokracisë së Re.
Panos Kamenos, që mban postin e ministri të Mbrojtjes e ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për marrëveshjen e emrit me Maqedoninë dhe gjatë vizitës në Uashington muaj më parë, fliste për një plan “B”, që vetë qeveria e tij nuk e dinte.
Plani “B” i Kamenosit fliste për nënshkrimin e një marrëveshjeje ushtarake mes vendeve fqinje, si Greqia, Shqipëria, Maqedonia dhe nëse do të pranonte edhe Serbia, që do të shërbente si një mburojë kundër ndikimit rus në këto vende. Por, në Athinë e rrëzuan këtë plan dhe vetë Tsipras tha se nga marrëveshja me Maqedoninë nuk do të kishte asnjë tërheqje. Megjithëse Tsipras ishte i bindur për këtë pakt, Kamenos “inatin” e kishte me Nikos Kotzias, njeriun që e akuzonte fillimisht se po dëmtonte interesat greke në rajon dhe më vonë edhe për korrupsion.
“Lojërat” e spiunazhit rus në rajon
Spiunazhi ka qenë gjithmonë pjesë e të gjitha konflikteve të mëdha botërore. Rekrutimi i spiunëve, marrja mesazheve të koduara, operacionet, analizat sekrete dhe aleancat e fshehta kanë përcaktuar aleancat më të mëdha historike. Në politikën ndërkombëtare, inteligjenca është sa e fuqishme aq edhe e padukshme dhe e padepërtueshme.
Ishin pikërisht veprimet e pamenduara të inteligjencës ato që çuan në përkeqësimin e menjëhershëm të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Rusisë. Për herë të parë Athina e akuzoi publikisht aleaten e saj më të vyer ortodokse se u kishte dhënë rryshfet zyrtarëve shtetërorë dhe kishte ndërhyrë në punët e brendshme të vendit. Përplasja u shndërrua në një sfidë të vërtetë diplomatike, pasi Greqia dhe Rusia dëbuan disa nga diplomatët e njëra-tjetrës.
"Ne duam t'u kujtojmë miqve tanë rusë se nuk do të tolerojmë përpjekjet e asnjë vendi në botë për korruptimin e zyrtarëve shtetërorë, përpjekjet për të minuar politikën e jashtme dhe për të ndërhyjë në punët e brendshme”, deklaroi Ministria e Jashtme greke në një deklaratë të jashtëzakonshme në atë kohë.
Disa javë më vonë, mediat amerikane bënë të ditur se ishte SHBA-ja ajo që ia kishte përçuar këtë informacion Athinës zyrtare, mes shqetësimeve se Moska po përpiqej të bllokonte ratifikimin e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë, në mënyrë që Shkupi mos të anëtarësohej në NATO.
Rusia, e cila prej kohësh e ka parë Ballkanin si pjesë të influencës së saj, ka rritur ndjeshëm të gjitha veprimtaritë në mbarë rajonin. Një muaj para referendumit, në Maqedoni u hapën qindra faqe internetit që lobonin për bojkotimin e votimit. Të tjera postime në Facebook u bënin thirrje maqedonasve të digjnin fletëvotimet.
Nga ana tjetër zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes bënë të ditur se kanë ndërmarrë operacione të fshehta, së bashku me qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, për të minimizuar disinformimin rus në zgjedhjet dhe referendumet e vendeve të tyre. Por, shkalla e ndërhyjes së Moskës, duke korruptuar zyrtarë, media dhe aktivistë ka alarmuar Athinën. Raportet e medieve greke sugjerojnë se shumë agjentë rusë u kanë dhënë rryshfet zyrtarëve të lartë të inteligjencës dhe ushtrisë greke në përpjekje për të nxitur kundërshtimin ndaj marrëveshjes.
“Lojërat e spiunazhit” rus janë bërë aq të zakonshme në rajon, sa nuk do të ishte çudi që lista e gazetarëve dhe figurave të publike shqiptare të financuar nga fondet sekrete greke të jetë publikuar nga Rusia. Ekspertët kanë ngritur prej kohësh alarmin se Rusia po përpiqet të ndezë konfliktet etnike në Ballkan, në mënyrë që të mbajë rajonin sa më larg “portave” të Bashkimit Europian dhe NATO-s.
“Pas përgjigjes së bashkuar të Perëndimit ndaj helmimit të një ish-spiuni rus në Britani, Ballkani po bëhet edhe më i rëndësishëm për Moskën", thotë Mark Galeotti, ekspert në Institutin e Ndërkombëtar të Pragës.
Në një raport të publikuar vitin e kaluar, Këshilli Europian i Marrëdhënieve Ndërkombëtarë deklaronte se Rusia ka ndërmarrë një sërë veprimesh të rrezikshme në Ballkan, duke filluar nga mbështetja e partive populiste përmes fushatave të dezinformimit dhe spiunazhit, deri në incidente të tilla si përpjekja e grushtit të shtetit në Mal të Zi.
“Së bashku me instrumentet e zakonshme të ndikimit të huaj, siç është diplomacia dhe levat ekonomike, Rusia është veçanërisht aktive në përdorimin e operacioneve të inteligjencës, blerjen e mediave vendase dhe presionin ushtarak”, shkruante raporti.
Pas përplasjes diplomatike, grekët kanë akuzuar po ashtu Moskën se ka financuar grupet nacionaliste të së djathtës ekstreme përmes shoqatave kulturore të krijuara nën maskën e promovimit të trashëgimisë së përbashkët ortodokse mes dy vendeve. Mediat greke thonë gjithashtu se emigrantët greko-rusë, të cilët u vendosën pranë portit strategjik të Aleksandropolis pas rënies së Bashkimit Sovjetik kanë marrë gjithashtu fonde për të nxitur protesta kundër marrëveshjes me Maqedoninë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.