Politike

A po tërhiqet mazhoranca nga ligji i Teatrit?

Presidenti Ilir Meta nuk është shprehur ende për ligjin që u hap rrugë negociatave me privatin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, por ka afat deri në fund të këtij muaji për ta bërë këtë.

Nëse Meta nuk e dekreton, atëherë ligji do të rikthehet në Kuvend, i cili brenda 10 ditësh duhet ta marrë për rishqyrtim dhe mjafton që ai të votohet sërish nga shumica e deputetëve për të hyrë në fuqi më pas.

Por, ka edhe një rrugë tjetër, atë që Presidenti i Republikës ta kalojë në heshtje, duke mos u shprehur as për dekretimin dhe as për mosdekretimin e tij.

Këtë të mërkurë, ai iu përgjigj interesimit të gazetarëve për këtë çështje, por nuk dha asnjë sinjal se çfarë qëndrimi do të mbajë.

“Do të veproj konform kompetencave. Nuk do të veproj jashtë përgjegjësive të Presidentit”, u shpreh ai.

Jorida Tabaku interpretoi mbylljen e legjislaturës parlamentare, të vendosur për të hënën më 23 korrik, pa pritur më parë vendimin e Ilir Metës për ligjin e teatrit, si një tërheqje të mundshme të Qeverisë nga ky ligj.

“Më në fund qeveria i thirri mendjes, vendosi të mos presë dekretin e Presidentit dhe të mbyllë Parlamentin para se të vijë dekreti i Presidentit. Pas pushimeve të gushtit, Qeveria t’i thërrasë mendjes përfundimisht për ta tërhequr plotësisht ligjin e shembjes së Teatrit Kombëtar”, deklaroi ajo në Komisionin e Ekonomisë.

Ligji për Teatrin Kombëtar u votua nga mazhoranca më 5 korrik. Ai kundërshtohet nga një pjesë e aktorëve dhe nga opozita. Kjo e fundit, katër ditë pasi ligji u votua tha se votimi ishte nul, pasi mes deputetëve që kishin shprehur votën pro ishte edhe ai i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili nuk ndodhej fare në seancë. Kërkesa u mor në shqyrtim dhe u rrëzua nga Sekretariati i Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë