Politike

A po shkon politika drejt paktit të ri PS-PD?

Opozita ka vendosur si formë proteste marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin, duke bojkotuar seancat dhe komisionet parlamentare.

Pavarësisht se vendimi u mor si simbolikë në qytetin e Shkodrës, nisur nga fakti se është edhe si bastion i demokratëve, apo dhe faktit të situatës tejet të rëndë që po përjeton qyteti më i madh verior, i “mbytur” nga vrasjet e shumta, vendimi i opozitës nuk është përfundimtar.

Vendimi final i saj pritet të merret në ditët në vazhdim. Një takim i radhës mes aleatëve pritet të zhvillohet në ditët e ardhshme, që përkon njëherësh me aktivitetin tjetër në kampin e majtë, Partisë Socialiste. 

Kryedemokrati Lulzim Basha bëri të ditur në mbledhjen e së hënës në Shkodër, se do të hartohet një platformë e përbashkët e aksionit opozitar brenda 10 ditëve, duke lënë të kuptohet se aksioni politik do të finalizohet pas konsultave me aleatët, veçanërisht me LSI-në.

“Detyra jonë është se të gjithë së bashku, duke filluar nga këtu sot dhe duke vazhduar edhe me këta faktorë të tjerë shoqërorë, të gjejmë rrugët, mënyrat, të formulojmë aksionin dhe platformën politike dhe për t’i dhënë fund kësaj gjendje të padurueshme për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Për t’i dhënë vendit siguri, rend, demokraci dhe shtet të së drejtës. Por le të fillojmë nga e para dhe më e rëndësishmja: Përpunimi i një platforme të qartë politike, për ne si parti politike opozitare parlamentare, për t’u përballur me problemin numër një, pa zgjidhjen e së cilit asnjë problem tjetër nuk zgjidhet: Shkëputjen, çlirimin e qeverisjes nga krimi. Vënies fund të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin! Këto janë mesazhet që doja të ndajë në fillim të kësaj mbledhje, e cila është një mbledhje pune përtej një mbledhje solidariteti, mbështetje ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe paralajmërim e qëndresë të fortë para kriminelëve të bërë njësh me pushtetin këtu në Shkodër”, deklaroi Basha në mbledhjen e mbajtur në Shkodër.

Me këtë deklaratë, opozita duket se ka hedhur hapin e parë të aksionit politik, atë të bojkotit të Parlamentit dhe të komisioneve parlamentare dhe se për hedhjen e hapit final të qëndrimit kundër qeverisë, ajo është në pritje të zhvillimeve brenda kampit të majtë. Vetëm se me vendimin e marrë të hënën, Lulzim Basha vërtetë ka shtuar presionin politik mbi mazhorancën, por njëkohësisht ka rritur presionin edhe mbi veten e tij. Shkuarja në Shkodër dhe bojkoti i Kuvendit ditën e parë mund të ishte një hap simbolik, por fjalori me të cilin e justifikoi atë bën që tani kryetari i opozitës të ketë vetëm një zgjidhje: dalje nga sistemi dhe zgjedhje të reja, ose pakt të ri me Edi Ramën. Deri tani Basha është përbetuar se kjo e fundit nuk do të ndodhë. Por kështu tha edhe gjatë muajve të çadrës. 

Nga ana tjetër, në kampin e shumicës mbizotëron një qetësi në duke, çka nuk do të thotë që Edi Rama e mendon realisht se e pret një sezon i qetë politik. Partia Socialiste të premten do të mbajë Asamblenë Kombëtare, ku do të diskutohet mbi qeverisjen e vitit të parë në këtë mandat të dytë. Janë përfolur ndryshime në qeverinë Rama, por se akoma nuk ka emra për konkret se kush do të largohet, edhe pse në të njëjtë kohë zërat thonë se kryeministri i ka shtyrë në kohë këto ndryshime. Nga brenda Kryeministrisë për momentin nuk ka asnjë lëvizje apo përgatitje për ndryshime të shpejta në qeveri. Të paktën jo në shtator, dhe jo në Asamblenë e fundjavës. Sinjalet që vijnë më zë dhe figurë janë ato të një shumice të hapur për dialog me opozitën, edhe pse vetë hartimi i platformës politike së opozitës brenda 10 ditësh, nënkupton se aksioni i saj është ndërvarur nga veprimet e kryeministrit Edi Rama, nëse ai do të ndërmarrë ndryshime në qeveri. Sikundër edhe qetësia e Ramës duket se varet nga ajo që opozita do të bëjë.

Pra temperaturat politike e kësaj fillim vjeshte do të kondicionohen nga zhvillimet që do të ndodhin brenda kampit të mazhorancës, ku PD-ja në platformën e saj mund të parashikojë edhe protestat, apo dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës, si forma e aksionit politik ndaj qeverisë Rama. 

7 shtatori, dita ku do të zhvillohet Asambleja e PS do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për të majtët, por edhe për të djathtët. Pakt i ri Rama-Basha apo betejë në rrugë e me çdo rrugë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale? Pas marrëveshjes së 18 majit e dimë që asgjë nuk është më e pamundur. Sidomos kur palët përbetohen për të kundërtën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë