Muzike

A po rrënohet trashëgimia e Michael Jackson?

Për dekada me radhë, Michael Jackson është quajtur “Mbret i Popit”. Ai është një nga super këngëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por, trashëgimia e tij është vënë në dyshim pas daljes së dokumentarit “Duke lënë Neverlandin” që u shfaq në SHBA dhe Britani këtë javë.
Në dokumentar, James Safechuck dhe Wade Robson pretendojnë se janë abuzuar nga këngëtari kur ishin fëmijë. Familja e Jackson ka mohuar akuzat por dokumentari hodhi baltë mbi emrin e tij.

Por a është rrënuar trashëgimia e këngëtarit përgjithmonë?
Dokumentari padyshim ka lënë ndjenja pakënaqësie dhe njerëzit janë të tronditur, nga detaje që të dy burrat kanë dhënë për kohën kur Jackson kishte abuzuar me ta. Disa thonë se dokumentari tregon të vërtetën për “Mretin e Popit”, e disa të tjerët e kanë mbrojtur dhe besojnë se është i pafajshëm.
Kompania e marketingut “SEMrush” analizoi rreth 30.000 postime në Twiter nën hashtagun #michaeljackson dhe #leavingneverland për një periudhë dy ditore dhe gjetjet treguan se:

  • 33% (7,995) postime kanë mbështetur shumë dokumentarin.
  • 39% (9,252) postime kanë qëndruar neutral duke pritur të vërtetën.
  • 27% (6,385) postime kanë treguar se po bëhet një padrejtësi kundrejt Jackson.
https://twitter.com/louistheroux/status/1103689654027632642

Olga Andreienko, drejtoreshë marketingu në këtë kompani, tha se dokumentari i ka shtyrë njerëzit të diskutojnë shumë rreth kësaj çështje. “Të dhënat treguan se njerëzit kanë mbështetur më shumë djemtë që shfaqën dokumentarin se sa Jackson,” shtoi ajo.
Ndërsa Paul Blanchard, themelues i kompanisë së marketingut “Engjëjt e Duhur”, thotë se është shumë herët për të treguar ndikimin që mund të ketë dokumentari mbi trashëgiminë e Jackson.
“Kjo është një ndarje e muzikës pop. Njerëzit tashmë do të jenë më të ndarë se kurrë, duke u grupuar në ata që janë të zhgënjyer dhe besojnë dokumentarin dhe në ata që mendojnë se Jackson, është një viktimë në këtë mes, duke fajësuar djemtë se kanë marrë para për realizimin e dokumentarit,” shprehet ai.

https://twitter.com/jcdiimarshall/status/1103957889553698816


Dokumentari u përhap për një masë të gjerë të publikut dhe disa stacione radiosh anembanë botës ndaluan muzikën e Jackson. Leon Wratt,shefi i “MediaWorks”, i cili zotëron 9 stacione radiosh në Zelandën e Re, në momentin që eliminoi këngët e Jackson, tha se kompania drejtohet nga publiku dhe se donte të ishte shumë i kujdesshëm për atë çka ofronte. Ndërsa “Radio Global”, e cila zotëron një sërë stacionesh përfshirë Heart, Capital, Classic FM, Smooth dhe Capital XTRA, u shpreh se kurrë nuk do të redaktojnë listën muzikore që tashmë ekziston prej vitesh. Ndryshe nga shumë radio të tjera, drejtori i “Radio 1” thotë se njerëzit, nuk duhet të ndalojnë së dëgjuari këngët e Jackson. Ai shprehet se shumë këngëtarë të muzikës pop kanë arritur majat vetëm se kanë pasur një shembull të denjë.

“Jackson ka realizuar këngë dhe albume shumë të suksesshme dhe ne kemi nevojë për to në të ardhmen, për t’ua tregua gjeneratave të reja se nga ku ka ardhur muzika pop,” shton ai.
Përpos këngëve të tij, edhe një statujë e Jackson është hequr nga Muzeu Kombëtar i Futbollit në Britani.
Ndërkohë që familjarët e Jackson gjatë gjithë kohës mohojnë akuzat e shfaqura në dokumentar. Taj Jackson, nipi i tij ka thënë vazhdimisht për mediat se beson që akuzat nuk do të ndikojnë në trashëgiminë e xhaxhait të tij.


“Mendoj se gjithçka është e përkohshme dhe e vërteta do të zbulohet”, tha ai.
Por, Andy Barr, eksperti i marrëdhënies me publikun në kompaninë e marketingut “10 Yetis”, mendon se dokumentari do të lërë ndikim te publiku për një kohë shumë të gjatë.
“Meqë familja e tij nuk është në gjendje të tregojë prova, nuk shoh diçka që mund ta përmirësojë këtë situatë. Mendoj se kjo ngjarje do bëhet edhe më keq”, thotë Barr. Sipas tij, falë internetit akuzat janë bërë virale në të gjithë botën dhe trashëgimia që Jackson ka lënë është e vështirë të shpëtohet.
“Unë jam rritur duke dëgjuar muzikën e tij dhe kam tre fëmijë, që dua t’i edukoj të dëgjojnë të njëjtat këngë frymëzuese, por duke marrë parasysh situatën e fundit, mendoj se gjeneratat e ardhshme do ta harrojnë atë tërësisht,” shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë