Ngjarje

Pas dokumentarit, e gjithë bota kundër mbretit të POP-it

Një tjetër ditë e kaluar dhe akoma më shumë akuza publike për dikë që dikur konsiderohej i paprekshëm. Dokumentari “Duke lënë Neverlandinn” na tregon se tashmë është radha e “mbretit të popit” Michael Jackson që të vëzhgohet. Të dy pjesët e dokumentarit katër orësh u ndërtuan në bazë të dëshmisë së dy burrave Wade Robson dhe James Safechuck, të cilët pohojnë se janë abuzuar nga njeriu që adhuronin.
Saktësisht dokumentari përmban intervista me Robson dhe Safechuck e me familjarët e tyre dhe detaje që dalin për herë të parë. Mesazhe zanore që Jackson u linte atyre kur ishin fëmijë, fakset apo letrat që u dërgonte në shtëpinë e tyre dhe se si kanë udhëtuar me të në avionin e tij privat. Të dy burrat tregojnë se as nuk janë paguar dhe nuk presin të nxjerrin asnjë fitim nga dokumentari. Në kohën e shfaqjes së dokumentarit, kishte një turmë të madh fansash të Jackson të pranishëm të cilët mbanin një tabelë ku shkruanin se mbreti i popit ishte i pafajshëm.

Ashtu si pjesëmarrësit në dokumentarin e R Kelly-it edhe ata pretendonin se dikush i kishte paguar për të kryer një anti-reklamë shumë të madhe kundrejt Jackson. Për fansat që adhurojnë muzikën e tij është e vështirë të shikojnë se idhulli i tyre ishte një pedofil. Robson tha se ishte i vetëdijshëm që Michael, edhe pse ka vdekur, ka fansa dhe se ata do ta kenë shumë të vështirë ta pranojnë faktin që ka qenë i tillë.
“Kjo më ndodhi dhe mua shumë kohë më parë. Isha në të njëjtin pozicion që janë ata. Edhe pse ai kishte abuzuar me mua, unë sërish nuk mund ta besoja. Nuk e pranoja dot që ajo që Michael kishte bërë me mua të ishte një gjë e keqe,” thotë Robson.
Sipas dokumentarit, historia e tij nis kur fitoi një konkurs kërcimi në moshën pesëvjecare. Gjatë konkursit ai u njoh me idhullin e tij, por abuzimi filloi dy vjet më vonë, pasi Jackson u njoh me të gjithë familjen. Robinson thotë se në atë kohë mendonte se si me magji kishte gjetur mikun e tij më të mirë, deri në momentin që filloi të abuzonte seksualisht, duke i thënë se kjo ishte një formë për të demonstruar dashurinë e veçantë që ata ndanin.
Ndërsa Safechuck nuk ishte një fans i madh i Jackson, por ai dhe familja e tij e mbështetën kur kompania Pepsi krijoi një komplot kundrejt tij në vitin 1987. Ashtu si Robson, ai e gjeti veten të përfshirë në jetën e Jackson dhe u josh nga mirësia dhe bujaria që këngëtari transmetonte. Safechuck thotë se abuzimi filloi kur ishte vetëm 10 vjeç dhe ndërkohë që tregon ai mban në dorë një kuti me disa xhevahire që Jackson i jepte atij që t’i bindej, ku prej tyre ishte dhe unaza që e kishte të njëjtë me vëllezërit e tjerë, si simbol familjar.
Të dy burrat tregojnë se Jackson u thoshte se do të shkonin në burg nëse tregonin dhe se askush nuk mund ta kuptonte dashurinë e tyre, sepse njerëzit ishin të këqij. Në këtë mënyrë situata e rënduar psikologjike e tyre vazhdoi për vite me radhë dhe kjo gjë tregohet shumë qartë në pjesën e dytë të dokumentarit, kur Robson rrëfen se për shkak të presioneve të shumta, nuk kishte mundur të fliste dhe të thoshte të vërtetën gjatë gjyqit kundër Jackson në vitin 2005.

Standardet gazetareske dhe ligjore kërkojnë që të respektohet neutraliteti, por si shikues është e vështirë të mos e besosh dokumentarin, ku gjatë gjithë kohës ka pasur të dhëna që tregojnë një të shkuar të errët të këngëtarit. Çfarëdo që të jetë e vërteta, ky dokumentar ka rrënuar të gjithë figurën e yllit të popit. Dokumentari tregon shumë qartë të gjitha veprimet që ai kryente, kontaktet private me familjet e djemve në fjalë, vizitat e shpeshta tek ata e shumë të tjera. Askush nuk mundet ta ndryshojë historinë dhe faktet që tregohen në dokumentar, janë shumë të njohura për këdo që ka përvojë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në abuzimin e fëmijëve.
Në përgjigje të dokumentarit, vëllezërit e Michael Jackon dhe nipi i tij Taj Jackson, hedhin poshtë të gjitha pretendimet e dokumentarit. Taj tha se sjellja e xhaxhait të tij mund të ishte e çuditshme, por ai ishte tërësisht i pafajshëm. “Naiviteti ishte pika e tij më e keqe”, shton ai.

Ndërsa vëllezërit e tij shprehen se janë të lodhur nga të gjitha supozimet që kanë dëgjuar për Jackson, pasi askush nuk kishte paraqitur asnjë provë.
“Ne jemi të lodhur dhe ju lutemi, lëreni këtë njeri të prehet në paqe i qetë”, shprehen ata.
Por ishte e qartë se kjo ngjarje nuk do të ishte pa pasoja. Pothuajse të gjitha radiot e mëdha në mbarë botën kanë bllokuar transmetimin e këngëve të yllit të popit.
“Ne e vlerësojmë çdo pjesë të muzikës së tij dhe i njohim meritat, por vendimet për atë që transmetojmë në rrjete të ndryshme gjithmonë bëhen duke pasur parasysh kontekstin dhe audiencat në mendje,” eshtë shprehur BBC.
Ndërkohë qe edhe në Kanada, disa radio të rëndësishme të Kebekut hoqën nga transmetimi këngët e Jackson-it pas publikimit të dokumentarit. Askush nuk mund të përcaktojë të vërtetën se si është, por mesa duket e gjithë bota po kthehet kundër mbretit të popit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë