Partia Demokratike kishte paralajmëruar që pas seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani do ta kalonte testin, megjithëse në raportin e ILDKPI thuhej se nuk kishte deklaruar 99 milionë lekë.
“Dvorani, që njihet si çanta e shpinës së Xhafës u mor në mbrojtje nga KPK-ja, pavarësisht se ai nuk justifikonte 99 milionë lekë. Në një rast të paprecedentë KPK-ja përmbysi raportin e ILDKP-së me argumentin se harroi të plotësonte një fletë. Vettingu duhet ta shkarkonte që sot Dvoranin. Mandati i tij ka mbaruar që para 4 vjetësh. Pse gjithë kjo sakrificë për Dvoranin? Është prokuror i Partisë së Punës. Ai është ideatori i çdo vendimi të marrë ndaj opozitës gjatë qeverisjes së majtë. Dvorani do e kalojë vettingun, megjithëse nuk justifikon pasurinë”, deklaroi deputeti demokrat, Gent Strazimiri.
Të mërkurën KPK mori vendimin dhe konfirmoi në detyrë Ardian Dvoranin, duke nxitur të tjera reagime nga demokratët, që rastin e gjyqtarit e shohin si shembullin tipik të veprimit me dy standarde të vettingut.
“Fshehja e 100 milionë lekëve nga Ardian Dvorani nuk ishte e mjaftueshme për KPK për ta shkarkuar, ndërkohë që në raste të tjera dhe me të drejtë, vettingu ka shkarkuar për 3 milionë lekë të vjetra të padeklaruara”, tha nga selia e PD, Enkelejd Alibeaj.
Opozita është e bindur se pas kalimit të Dvoranit në vetting qëndron mazhoranca, e cila e ka projektuar emrin e gjyqtarit si anëtar në Gjykatën Kushtetuese.
“Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar në Shqipëri që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi në 2016 se mandati i Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë kishte përfunduar që në vitin 2014 dhe se qëndrimi i mëtejshëm në atë gjykatë ishte antikushtetues. Ai zgjodhi që të mos zbatojë vendimin e Kushtetueses, por të zbatojë vendimin politik të Edi Ramës për të qëndruar në detyrë, e pse? Sepse është i projektuar për t’u emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese’, vijoi Alibeaj.
Si qëndroi Ardian Dvorani në detyrë?
Mazhoranca kishte ndryshuar ligjin për funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe në nenin ku parashikohen afatet e mandatit, kishte ndërhyrë duke vendosur që një anëtar i Gjykatës së Lartë mund të ushtronte detyrën përtej mandatit 9-vjeçar, deri në momentin e zëvendësimit.
Ky nen u ankimua nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Relatore e çështjes ishte gjyqtarja Altina Xhoxhaj, e shkarkuar tashmë nga KPK. Më 27 korrik 2016 Kushtetuesja merr vendim duke e shfuqizuar këtë nen dhe në arsyetimin e dhënë deklaronte se ai binte ndesh me Kushtetutën e vendit. Kur mori këtë vendim, Gjykata Kushtetuese i referohej Kushtetutës së vjetër, pasi ndryshimet e miratuara me konsensusin e 140 deputetëve më 21-22 korrik nuk kishin hyrë ende në fuqi.
Çudia juridike ndodh në gusht. Në datën 11 të këtij muaji hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, ndërsa një ditë më vonë botohet në fletoren zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzonte nenin e zgjatjes së mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë. Nga ky vendim i Kushtetueses ai që prekej ishte gjyqtari Ardian Dvorani.
Por, vendimi i gjykatës binte ndesh me Kushtetutën e re. Pika 5 e nenit 136 të saj thotë shprehimisht se “Gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit”. Ardian Dvoranit i kishte përfunduar mandati që në 2014 dhe opozita në atë kohë e cilësonte të papajtueshme me Kushtetutën qëndrimin e tij në detyrë. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, gjyqtarit të lartë i “legalizohej” qëndrimi.
Dy vite nga ky vendim, Gjykata Kushtetuese është e boshatisur. Mes dorëheqjeve dhe shkarkimeve të vettingut, trupa e gjyqtarëve që mbron Kushtetutën nga shkeljet që mund të mbërrijnë nga Qeveria, apo Kuvendi është katandisur vetëm me dy anëtarë.

Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha presin që t’u bashkohen shtatë kolegët e rinj dhe garën për njërin prej tyre e ka hapur Kuvendi. Rastësi apo jo, gara u hap në të njëjtën ditë që Ardian Dvorani kaloi testin e vettingut dhe pyetja që ngrihet me të drejtë është: A është Ardian Dvorani emri i projektuar nga mazhoranca për anëtar të Gjykatës Kushtetuese?
Partia Demokratike thotë se lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese është një “grusht shteti” dhe akuzon drejpërdrejtë Edi Ramën se e ka bërë qëllimisht këtë përmes kontrollit të vettingut, për të mbrojtur ligjin e Teatrit Kombëtar. Rama u është përgjigjur akuzave dhe termin “rilindje” e fut edhe tek drejtësia.
“Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë,rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”, deklaron Kryeministri përmes rrjeteve sociale.
Po përmes tyre e mori përgjigjen nga Lulzim Basha.
“Djepi bosh i Gjykatës Kushtetuese i duhet kryeshejtanit për të mbrojtur mega aferën 200 milionë Euro me grabitjen e Teatrit Kombëtar. Ndërsa shejtanët në djepin e Prokurorisë ju duhen për të mbrojtur lidhjet me krimin dhe aferat korruptive”, deklaroi kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.