Politike

A po favorizohet “Bastarena”? Rama: Jashtëqitje e kazanëve

Mentor Kasa – Në kafenetë, e sidomos në ambientet e basteve sportive, të cilat sipas paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama do të mbyllen duke filluar nga 1 janari, prej disa ditësh hamendësohet se vendimi për të mbyllur këto pika fsheh në vetvete favorizimin e një kompanie bastesh online.

Kompania në fjalë është “Bastarena”, pas të cilës, sipas Partisë Demokratike, qëndron Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje konference shtypi. Foto LSA

“Dihet qartë që koncensioni i lojërave të fatit operohet nga fasada të vëllait të kryeministrit, të Olsi Ramës. Dihet qartë se segmentet më të mëdha të këtyre lojërave të fatit janë në duart e krimit të organizuar. Mos nxirrni asnjë konkluzion nga një njeri që ka humbur çdo kontroll mbi qeverisjen, territorin apo mendjes së vet dhe shikon konspiracion opozitar sa herë kapet në krim. Nëse kjo do të bëhet për të transferuar interesat kriminale të pastrimit të parave, për t’i përqëndruar apo kamufluar në mënyra të tjera, pritet ta shohim”, deklaronte kreu i PD-së, Lulzim Basha në të njëjtën ditë që Edi Rama njoftonte nismën që veç mbylljes së kazinove në zonat e banuara, do të mbylleshin edhe pikat e basteve.

Vetë Kryeministri i ka injoruar këto akuza deri mbrëmjen e së dielës, kur u përgjigj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ironizon edhe me agjendën politike të këtyre ditëve të opozitës, që ka shënjestruar kreun e Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Këtë për çudi s’e paska Taulanti. Mos u lodhni kot, bastet s’i shpëtoni dot më! Edhe bastet, edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri. Amanet dëshmitarin X”, shkruan Kryeministri.

Në ditën që njoftoi nismën për të ndryshuar ligjin për lojërat e fatit, Kryeministri Edi Rama bëri një paralajmërim për të gjitha mediat tradicionale dhe ato online.

“Në zbatim të ligjit ekzistues, që ndalon reklamimin e kompanive të basteve dhe që është shkelur nga të gjitha mediat pa përjashtim, unë i paralajmëroj të gjithë që të heqin të gjitha reklamat nga ekranet, nga radiot, gazetat, apo portalet. Ne do të mbyllim me forcë çdo faqe online që pas 24 orësh do të ketë reklama bastesh”, tha Rama.

Por, pikërisht në postimin ku përjashton mundësinë që pas vendimit për mbylljen e basteve po favorizon një kompani online, ndjekësit në rrjetet sociale i kanë treguar Kryeministrit me foto shkeljen e ligjit të reklamimit të basteve nga Bashkia e Durrësit.

Një prej komentuesve i ka postuar Kryeministrit disa fotografi, mes të cilave edhe ajo ku logo dhe shkrimi “Bastarena” shfaqet në hapësirat e reklamimit në vendqëndrimet e autobusëve, hapësira që menaxhohen nga bashkia e qytetit bregdetar.

Jo vetëm kaq, por edhe autobusët e transportit publik të linjës së plazhit janë të mbuluar me ngjyrat, logon dhe shkrimet e “Bastarenës”, ose të paktën kështu kanë qenë deri në fund të sezonit turistik në qytetin bregdetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë