Treg

A po falimenton? "Fly Ernest" ka kohë deri në 13 janar – Verifikoni biletat para se të fluturoni!

Ndërsa afati i datës 13 janar po afrohet dhe kompania e fluturimit low cost "Fly Ernest Airlines" do të ndalojë fluturimet, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) bën me dije se ka ndryshuar fluturimet e gjithashtu ka bërë anulime edhe para kësaj date.

Autoritetet italiane, më saktë rregullatori i aviacionit civil, (Ente Nazionale per l'Aviazione Civile - ENAC) ka pezulluar licencën e kompanisë Ernest Airlines dhe i ka lënë afat asaj për të kryer fluturime deri në 13 janar 2020.

Data është vendosur për të mos ndikuar tek pasagjerët që udhëtojnë gjatë sezonit të pushimeve dimërore.

Ndërsa kompania e fluturimeve "Ernest Airlines" tashmë është e detyruar të ndalojë shitjen e biletave.

“Ne i njoftojmë të gjithë pasagjerët me bileta të rezervuara në kompaninë ajrore "Fly Ernest" që deri më 13 janar do të ketë ndryshime dhe anulime të fluturimeve. Ne ju rekomandojmë të gjithë pasagjerëve të kontaktojnë numrat më poshtë për më shumë informacione: E hënë-E diel (05: 00h-21: 00h), në italisht dhe anglisht: +39 02 89730660, në shqip, italisht dhe anglisht: +355 (0) 44 810.810; E-mail: [email protected], [email protected] ”, thuhet në njoftimin e TIA në faqen e tyre në Facebook.

Autoriteti Italian i Aviacionit Civil gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.

Gjatë kësaj kohe, nëse kompania siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Europian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.

Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar thotë se ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.

AAC u bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.

"Ernest" u shfaq në treg në 2015 si një kompani , me investitorë italianë dhe suedezë dhe është me qendër në Milano. Kompania ka rreth 200 persona në personel.
Ajo operon me një flotë të vogël të avionëve Airbus A320 dhe A319 me destionacion Itali, Spanjë, Francë, Ukrainë dhe Shqipëri.

Kompania ajrore lidh kryeqytetin shqiptar, Tiranën me destinacionet: Milano Malpensa, Venecia, Bolonja, Xhenova, Milan Bergamo, Verona, Pisa dhe Napoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë