Analize

A po afrohet Erdogan me Greqinë?

Nga Aleksandër Marku- Pasditen e datës 14 gusht, si një cunam mbërriti në mediat greke lajmi i gëzueshëm dhe i pabesueshëm se gjykata turke e Adrianupolit,( Erdine), liroi më në fund pas 167 ditësh, dy ushtarakët grekë të arrestuar në një mars të këtij viti. Ndërsa dëgjoheshin zëra se presidenti Erdogan do të lironte pastorin amerikan Andrew Brunson, lirimi erdhi për Angelo Mitreodis dhe Dhimitris Kouklatzis.

Në një vend të mbushur me besimtarë, siç është Greqia, lirimi i tyre u konsiderua dhuratë nga Perëndia,pasi ndodhi në prag të festës së madhe te verës , së hyjnores Shën Mërisë . Skeptikët dhe opozitarët konservatorë lëshuan një vlerësim se ndoshta ushtarakët grekë ishin vërtet të pafajshëm dhe erdhi mometi që prokuroria turke i liroi!!!!Ndërsa shumica e analistëve i dha meritë diplomacisë greke dhe qeverisë Tsipras.

Por me të drejtë shtrohet pyetja se përse Erdogan që muajt e fundit kishte hedhur tezën e shkëmbimit të dy ushtarakëve grekë të arrestuar, me tetë oficerët turq të arratisur në Greqi pas grushtit të shtetit në korrikun e 2016, pranoi ti jepte Athinës dy djemtë e saj.

Në se dikush ndjek me vëmendje zhvillimet politike në muajt e fundit do të vërej se Ankaraja dhe Athina kanë mbërritur shpesh në kulmin e acarimit ,madje në prag të një konflikti të armatosur. Përplasje anijesh luftarake, rrëzimi i një avioni ushtarak dhe vdekja e pilotit grek mbi Egje, incidente të panumërta për hapësirën ajrore midis dy vendeve.  Mbi të gjitha një presion i vazhdueshëm me anë të milionave refugjatëve sirianë që mban Turqia në tokën e saj,me të cilët kërkon jo vetëm nga Athina,por kryesisht nga BE-n lehtësime bashkëpunim ekonomik dhe kryesisht ndihmë ekonomike.

Të gjitha këto në një moment kur balancat strategjike në rajon dhe në vetë gjirin e NATO-s janë janë prishur dhe janë krijuar lidhje të reja,ku ajo më e fuqishmja për momentin duket boshti Turqi-Rusi-Iran.

Ushtarët e arrestuar merren nga Turqia me avionin privat të Kryeministrit Tsipras

Duhet të shtojmë këtu edhe gjendjen e vështirë të ekonomisë dhe monedhës turke nën presionin amerikan, që solli thuajse gjynjëzimin e Ankarasë përballë Uashingtonit.

Roli i BE dhe ndërkombëtarizimi i çështjes

Pa më të voglin dyshim pranohet nga shumica se çelësi i kthimit të dy oficerëve grekë në atdhe ishte një diplomaci e suksesshme e ushtruar nga Ministria e Jashtme greke dhe kreu i saj ,Nikos Kotzias. Ndoshta Greqia u përdor si një shembull i keq në vitet e krizës për shtetet e tjera të BE-së dhe Eurozonës, për menyrën e keqmenaxhimit ekonomik dhe u zgjodhën edhe mënyra të gabuara të ndihmës e programeve të kredisë.

Por në këtë aspekt, dmth në poltikën e Jashtme dhe marrëdhëniet diplomtike Athina duket se ka një avantazh të madh në trajtimin e saj nga Brukseli. Nuk ishte aspak pa kuptim të veçantë postimi në greqisht në llogarinë e tij personale në Twitter, nga presidenti i BE-së Jean Clode Juncker, që përgëzonte lirimin e 2 ushtarakëve. Presioni i Komisionit Europian ka qënë i vazhdueshëm ndaj Ankarasë ,ndërsa çështja është shtruar në shumë raste edhe në Parlamentin Europian.

Dhe në këtë moment të vështirë për Turqinë,duket se Erdogan ka dashur ti mbajë të hapura urat komunikuese dhe ndihmëse me BE-në, pasi lira turke dhe ekonomia e vendit kanë marrë tatëpjetën. Moska e Teherani,duket se tani për tani nuk mund ti japin borxh Ankarasë Dhe shumë me mëdyshje është edhe Kina. Për qeverinë Erdogan ka qënë një mesazh i qartë dhe shpresëdhënës thirrja e Angela Merkel tre ditë më parë se duhet që Turqia të jetë një shtet me ekonomi të stabilizuar pasi kjo është në interes të BE-së.

Ushtarët grekë mbërrijnë në Athinë

Më herët përpjekjet e Ankarasë drejt shteteve europiane kishin filluar edhe me qasjen politike të saj ndaj Berlinit, Vienës dhe Amsterdamit.

Politika e Jashtme shumëpërmasore

Çështja e dy ushtarakëve grekë u shtrua në mënyrë të përsëritur në bisedimet gjermano-turke si dhe ato amerikano-turke. Por ajo ka qënë edhe një nga pikat e axhendës në bisedimet Putin - Erdogan në takimin e tyre në prillin e kaluar , pas bisedës telefonike që ka pasur me presidentin rus, kryeministri Aleksis Tsipras.

Nga ana e tij edhe kreu i qeverisë greke në samitin e fundit të NATO-s ishte shprehur optimist më shumë se kurrë se do të zgjidhej fati i dy oficerëve,pas takimit të tij me Rexhep Tayyip Erdogan.

Dhe më kryesorja,siç theksojnë burime pranë qeverisë greke, ishte fakti që Athina dhe qeveria Tsipras, megjithë acarimin e marrëdhënieve dypalëshe, nuk i mbylli kurrë kanalet e komunikimit me palën turke. Pavarësisht se ministri grek i Mbrojtjes akuzonte presidentin turk për rrëmbimin e dy ushtarakëve, në të njëjtën kohë diplomacia greke vazhdonte punën e saj.

Duke analizuar dimensionet e kësaj politike sipas burimeve diplomatike rol të madh në ndërtimin e një baze të gjerë komunikimi të Greqisë me fqinjin e saj kanë luajtur:

-Tre vizitat e κryeministrit Tsipras në Turqi në  periudhën 2015-2016 dhe takimet e z. Kotzias që kanë kontribuar me vendosmëri në trajtimin e krizës së refugjatëve, krijimin e partneritetit strategjik BE-Turqi dhe nxitja e bisedimeve për çështξen e Qipros.

Ushtarët e arrestuar nga autoritetet turke

- Mbështetja e qeverisë turke gjatë përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016.

- Mbështetjα e vazhdueshme eΑthinës për perspektivën europiane të Turqisë dhe ruajtjen e urave të komunikimit mes Turqisë dhe Europës.

- Vizita e një presidenti turk për herë të parë në 65 vitet e fundit në Athinë.

- Mosmarrja pjesë e Greqisë në sanksionet ekonomike ndaj Turqisë në muajt e fundit.

Si u arrestuan dy ushtarakët grekë

Megjithëse nuk dihen ende hollësi dhe nuk ka një deklaratë zyrtare, Turqia komunikoi në marsin e kaluar se kishte arrestuar dy ushtarakë grekë pak metra brenda kufirit të saj në zonën e lumit Evros. 

Burime pranë ministrisë greke të Mbrojtjes bënë atëhere me dije se dy oficerët kishin humbur rrugën për shkak të motit të keq duke ndjekur gjurmët e refugjatëve që kalonin kufirin grek për të shkuar më pas drejt vendeve të BE-sëdhe janë futur pa dashje në territorin turk ku edhe janë arrestuar nga forcat e armatosura turke.

Pala greke e kishte cilësuar si një incident normal në kufi,nga ato që  ndodhin shpesh në atë zonë. Për më tepër dy shtete janë anëtarë të NATO-s dhe dukej e pakuptimtë që forcat ushtarake të një shteti aleat të arrestojnë ushtarakët e shtetit fqinj për një shkelje kaq të lehtë.

Por kur u pa se Ankaraja u përpoq të shfrytëzonte politikisht këtë shkelje,pasuan deklaratat e ashpra politike. Në fillim presidentit grek u ka kerkuar qinjëve të zbatojnë të Drejtën Ndërkombetare dhe të respektojnë Traktatin e Lozanës e më pas ka pasuar përgjigja e ashpër e ministrisë së Jashtme turke.

Ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos nga ana e tij, në një deklaratë akoma më të ashpër u shpreh se ushtarakët grekë mbahen  si robër nga pala turke duke shtuar madje në atë moment se Greqia dhe Turqia ndodhen në prag të një incidenti fatal. Fundi i këtij incidenti mes Athinës dhe Ankarasë  trumbetohet si një fitore e diplomacisë. Megjithëse të gjithë pohojnë se ka një det më të madh edhe se Egjeu, i mbushur me skepticizëm për të ardhmen, që ndan dy vendet fqinjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë