Art dhe Kulture

A mundet një festival muzike ta bëjë Kosovën “cool”?

Dukagjin Lipa në skenë në Sunny Hill Festival në Prishtinë, Kosovë. Z.Lipa, babai i yllit të muzikës pop Dua Lipa, ka thënë se dëshiron të ndryshojë mënyrën sesi Kosova shihet jashtë. Credit Valerie Plesch për The New York Times

Alex Marshall/ The New York Times – Të premten e shkuar, 49 -vjeçari Dukagjin Lipa, u mor me prapaskenat e të parit festival të madh të Kosovës e me sytë e mjegulluar rreket të shpërfillë dy telefonat celularë që tringëllijnë mbi tavolinë, përpara tij. “O Zot i madh”, thotë ai. “Kam dy ditë që nuk fle.” Themelimi i festivalit tre ditor “Sunny Hill Festival” - i kryesuar nga e bija, ylli i muzikës pop, Dua Lipa, i doli punë e vështirë. “Asnjë promotor nuk do të vinte me dëshirë në Kosovë. Është një makth logjistik. Është një makth financiar”, thotë ai, i pyetur se përse deri tani askush nuk ka organizuar një ngjarje të ngjashme.

Dua Lipa gjatë performancës në Sunny Hill Festival. Ylli i muzikës pop ka lindur në Londër, por ka jetuar katër vjet në Prishtinë, gjatë fëmijërisë. Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Zoti Lipa thotë se ka marrë pajisje zëri dhe skene me vlerë 2 milionë dollarë nga Rumania dhe i është dashur të kërkojë ca ndere për të lehtësuar kalimin e tyre përmes doganës. “Nuk thyejmë asnjë ligj, por thjesht lehtësojmë realizimin e një gjëje të mirë”, shton ai.

Rrëfen se  ndjeu që  duhej  ta krijonte festivalin për një arsye. “Për më shumë se 50 vjet, ka pasur një perceptim të gabuar për Kosovën. Nuk është ajo për të cilën lexon.”

Në mendjet e shumë njerëzve, thotë ai, imazhi i Kosovës është ende ai i formësuar prej luftës më 1999-ën, në të cilën rebelët etnikë shqiptarë luftuan për pavarësinë nga Serbia dhe kriza e refugjatëve,  që erdhi  më pas. Z. Lipa dhe familja e tij janë shqiptarë etnikë, si 90 përqind e popullsisë së vendit. Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë mbeten të tensionuara. Dy shtetet duhet ende të bien dakord për kufijtë, një hap kyç që Serbia t’i bashkohet Bashkimit Europian.

Situata politike i shtohet perceptimit të keq të Kosovës, zbulon Lipa. E ndien kur njerëzit e pyesin nga vjen. Kur ai thotë “Kosovë”, ata shpesh shtojnë: “Oh sa keq, na vjen shumë keq për ty!”, thotë Lipa.

Fansat ndjekin Dua Lipën gjatë performancës. Këngëtarja foli shqip mes këngëve në sesionin e saj prej 90 minutash. Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Dukagjin dhe Dua Lipa në Festival. Zoti Lipa thotë se konflikti në ish-Jugosllavi e ka bërë patriot dhe se është përpjekur ta përcjellë atë ndjenjë edhe tek e bija. Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Lipa thotë se dëshiroi të tregonte se Kosova ishte një vend me gjallëri, ku njerëzit mund t’ia kalojnë mirë. “Kemi pasur telashet tona, por kemi rininë më të bukur në këtë anë të botës.”, thotë ai. “Janë inteligjentë, janë kreativë. Kanë diçka për të thënë.”

Serbët, shumë prej të cilëve e shohin Kosovën si pjesë integrale të shtetit të tyre dhe nuk e njohin si komb të pavarur, zor se mund  të binden. “Iu përgjigja një djaloshi serb, pak orë më parë në Instagram,” thotë z.Lipa. “Kishte komentuar diçka poshtëruese për shqiptarët dhe i thashë: “Do të ishte më këndshëm nëse do të vije  këtu të  argëtoheshe me fqinjët e tu. Nëse e bën,  do të të ruaj një biletë.”

Por nuk ishte vetëm audienca ndërkombëtare ajo që të cilën kishte nevojë festivali i z.Lipa;  Për të mbushur kapacitetin prej 15 mijë vetash, duhet të gjente edhe audiencë vendase gjithashtu. Këtu hasi probleme. Pati  ankesa rreth çmimit të biletave prej  55 eurosh. Më shumë se gjysma e të rinjve të Kosovës nga mosha 15 deri 24 vjeçare janë të papunë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kështu që të ardhurat në dispozicion janë të pakta.

Performuesit dhe spektatorët bëjnë me duar shenjën që simbolizon shqiponjën e zezë në flamurin shqiptar. Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Z.Lipa thotë se biletat ishin më të lirat e mundshme, duke marrë parasysh se po përpiqej të ngrinte një skenë të standardeve ndërkombëtare, që përfshinte sjelljen e artistëve të njohur botërisht si e bija, Dua Lipa. Ylli i popit ka lindur në Londër, por ka kaluar katër vite të fëmijërisë në Prishtinë. Ajo flet vazhdimisht për rrënjët e saj kosovare në intervista dhe me 16 milionë ndjekësit e saj në Instagram. Muzikantë të tjerë nga Kosova si Rita Ora, e kanë sjellë gjithashtu në vëmendje shtetin e Kosovës.

Zoti Lipa ka lindur në Prishtinë kur ajo ishte pjesë e Jugosllavisë. i ati i tij ishte drejtori i Institutit të Historisë në Kosovë, e ëma mësuese ,  kishte një jetë të rehatshme të shtresës së mesme. (“E beson që shkonim në Selanik për të bërë pazar?!”).

Në moshën 15-vjeçare,  u dashurua me kitarën dhe shkoi një këngë hit me miqtë e tij, por nuk bëheshin para duke kënduar në gjuhën shqipe, ndaj me këshillën e prindërve zgjodhi të bëhej dentist. Studimet zgjatën më shumë se parashikimi. Qeveria e Jugosllavisë ua ndaloi studimet shqiptarëve në universitetin e Kosovës në vitin 1991 dhe z.Lipa u shpërngul drejt Bosnjës për të ndjekur studimet. U gjend në mes  luftës civile të vendit, kaloi dy muaj në Sarajevën e rrethuar dhe,  më pas u largua drejt Londrës. Ishin ngjarje si këto që e bënë patriot, thotë ai, duke shtuar se qysh atëherë është përpjekur t’ia kalojë këtë ndjenjë edhe së bijës,  Duas dhe,  fëmijëve të tjerë.

Genta Jasharaj, 14 vjeç, tund flamurin shqiptar në festival. Pothuajse 90 përqind e kosovarëve janë shqiptarë etnikë dhe ka një ndjesi të fortë të nacionalizmit shqiptar . Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Ndenja e fortë patriotike e identitetit etnik shqiptar ishte i kudogjendur në festival. Dua Lipa u vesh kuqezi, ngjyrat e flamurit shqiptar, në performancën prej 90 minutash. Ajo foli pothuajse gjatë gjithë kohës shqip mes këngëve. Më vonë mbajti flamurin shqiptar, ndërsa fansat ulërinin nga entuziazmi.  Shumë nga performuesit, që varionin nga yjet shqiptarë të muzikës rap si M.C. Kresha te Jericho, një bandë që është parë gjerësisht si përgjigja e Zemëratës Kundër Makinerisë, tërhoqi brohoritma nga turma që bënte me duar simbolin e shqiponjës,  në flamurin shqiptar. Rreperi amerikan Action Bronson, i ati i të cilit është shqiptar, bëri gjithashtu gjestin gjatë performancës. Flamuri blu i Kosovës, që shfaq gjashtë yjet përfaqësues të secilit grup etnik të vendit, nuk dukej  askund.

Bajram Kinolli nga Gipsy Groove, një grup që interpretoi në festival, thotë se e vetmja kritikë e tij është se festivali nuk i  përfaqësonte të gjithë. Duhet të ishte ftuar ndonjë artist serb për të tërhequr serbët etnikë,  që jetojnë në veri të Kosovës. “Dhe ishte vetëm një cigan” shton duke qeshur, ndërsa e ka fjalën për veten.

Z.Lipa performon me bandën e tij, ODA. Në vitet ’90 grupi kishte një hit në Jugosllavi, por z.Lipa ndoqi këshillën e prindërve për t’u bër dentist në vend që të ndiqte një karrierë muzikore. Credit: Valerie Plesch për The New York Times

Evenimenti tërhoqi disa të huaj, por shumica dukeshin se ishin shqiptarë etnikë të diasporës së Kosovës. Një prej tyre, Nora Thaçi, një studente 18-vjeçare thotë se i ati e ka shoqëruar me makinë dhe ka ngarë për afro 24 orë, më shumë se 1 mijë milje nga Zvicra për të parë Dua Lipën.

Por ka edhe spektatorë që nuk janë nga Kosova. Të premten në mëngjes, Sara Aleksieska, një gjimnaziste 18 –vjeçare nga Shkupi, ka udhëtuar rreth dy orë me të motrën dhe një shoqe për të ndjekur festivalin. Është hera e saj e parë në Kosovë, thotë, dhe nuk e dinte çfarë e priste. Sa herë që prindërit e saj flisnin rreth Kosovës, kishte të bënte me tema politike dhe serioze. Përpara se të nisej, thotë, i ati e porositi disa herë të kishte kujdes.

Por të shtunën mbrëma, teksa relaksohet në zonën e pritjes së festivalit, zonjusha Aleksieska thotë se do të përpiqet të marrë me vete prindërit, vitin tjetër. “Të gjithë ishin miqësorë, grupet ishin fantastikë dhe ushqimi shumë i lirë”, shton ajo.

Nuk ka kuptuar asnjë fjalë shqip të folur në skenë, thotë. Nuk di asnjë fjalë shqipe; e motra di të numërojë deri në 10 dhe di si i thonë akullores – por kjo nuk pati rëndësi. “Kur të gjithë ulërinin, ulërinim edhe ne. Ishte shumë qejf!”

(Artikulli origjinal https://www.nytimes.com/2018/08/17/arts/music/dua-lipa-kosovo-festival-action-bronson.html )


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë