Analize

A mund të përfshihen sërish në luftë Kosova dhe Serbia?

Muajin e kaluar, John Bolton Këshilltari i Sigurisë kombëtarë të Presidentit Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të pengonin shkëmbimet territoriale midis Serbisë dhe Kosovës. Deklarata e Booton erdhi pas zhvillimeve dhe raporteve se Beogradi dhe Prishtina janë pranë një marrëveshjeje që do të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha politike të Europës që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij , Aleksandër Vuçic planifikojnë të rishkruajnë kufijtë, në mënyrë që një pjesë e Veriut e Kosovës  të bashkohet me Serbinë, ndërkohë që Lugina e Preshevës do të bashkohet me Prishtinën zyrtare. Zgjidhja e këtij ngërçi do të hapte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por deklaratat e Boltonit bien në kundërshtim me pikëpamjet e shumë liderëve europianë, të cilët janë të shqetësuar se “prekja” e kufijve të Ballkanit do t’ia hapte derën kaosit dhe konflikteve të tjera entike . Por do të bënte ndryshimi i kufijve që Serbia dhe Kosova të shkonin sërish drejt luftës? Në një analizë të publikuar së fundmi, gazeta amerikane “Washington Post” shkruan se shkëmbimet territoriale janë një “thikë me dy presa” që mund të çojnë ose drejt paqes, ose drejt rindezjes së konflikteve.

Kur shkëmbimet e territoreve kanë sjellë paqen

Një investigim i “Washington Post” sugjeron se shkëmbimet territoriale pas një lufte civile ia kanë dalë që në disa raste të sjellin paqe. Prestigjiozja amerikane shkruan se ndryshimi i kufijve përgjatë vijave etnike është me efektiv sesa ndryshimi i kufijve duke u bazuar tek territoret. Pas analizimit të të dhënave të Bankës Botërore, gazetarët amerikane vunë re se nga viti 1945 deri në vitin  2004, në mbarë botën kishin ndodhur 17 shkëmbime territoriale, fill pas përfundimit të luftërave civile. Sipas një indeksi, në tetë raste, palët e përfshira në mosmarrëveshje ndanë edhe grupet etnike të përfshira në konflikt. Të dhënat tregojnë se nga këto tetë vende, asnjëri nuk përjetoi dhunë të konsiderueshme apo trazira të mëdha gjatë pesë viteve të para, një periudhë kritike për rajonet që janë goditur nga lufta, sepse rreziku i përsëritjes së konflikteve është më i lartë në vitet e para. “Këto të dhëna janë mjaft stresuese për shumicën e fuqive perëndimore, të cilat janë të përkushtuara ndaj mbarëvajtjes së shteteve multietnike”, shkruan “Washtingon Post”. “Ato sugjerojnë se për të arritur paqen, duhet bërë fillimisht ndarja e grupeve etnike të përfshira në konflikt”.

Grupet etnike pas pavarësisë së Kosovës

Pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, në vitin 1999, duke u shkëputur nga dhuna dhe shtypja e Beogradit, një sërë serbësh dhe shqiptarësh mbeten në anën  e gabuar të kufirit. Siç parashikohej edhe nga ekspertët e asaj kohe, dhuna e armatosur u rikthye sërish, dhe pikërisht në ato rajone ku ishin vendosur pakicat etnike. (Në vitet 2000-2001 shpërtheu dhuna në luginën e Preshevës dhe në vitin 2004 shpërthyen konfliktet në Mitrovicën e Veriut). Këto përplasje lanë dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të shpërngulur, ndërkohë që Beogradi nisi spastrimin etnik të shqiptarëve. Gazeta amerikane shkruan se nëse kufijtë e Serbisë dhe Kosovës më vitin 1999 do të ishin bazuar tek demografia e grupeve etnike, mund të ishte shmangur dhuna vdekjeprurëse pas luftës.

Por a duhet të ndahet Kosova sot?

Sipas “Washington Post”, jo! Hulumtimet e shumta mbi shpërthimin e dhunës, pak kohë pas ndarjes Gjeorgji- Moldavi sugjerojnë që konfliktet lindin në radhë të parë për shkak të kapacitetit të dobët të shtetit dhe jo nga urrejtja etnike. Qeverisja e dobët, varfëria dhe institucionet jo kompetente, janë tiparet kryesore të vendeve që janë goditur nga luftërat. Kur qeveritë arrijnë të ndërtojë një infrastrukturë të moderuar, vende pune dhe institucione të forta, dhuna përsëritet më rrallë, edhe kur pakicat e zhvendosura kthehen në shtëpitë e tyre pas luftës. Kjo sugjeron se anëtarët e grupeve etnike që luftuan njëri-tjetrin gjatë një lufte për pavarësi mund të jetojnë në paqe për aq kohë sa shteti është mjaftueshëm i fortë. Urrejtja etnike mund të jetë e pranishme, por dhuna mund të reduktohet në minimum nga mirë-menaxhimi i shtetit. Por sipas “Washtington Post”, ky nuk është as rasti i Serbisë dhe as ai i Kosovës.

Përse Serbia dhe Kosova mund të përfshihen në luftë?

Duke qenë se në Luginën e Preshevës shumica e banorëve janë shqiptarë, Serbia kontrollon rreptësisht territorin. Banorët e Luginës nuk kanë mundësi të rebelohen pa mbështetje të konsiderueshme nga Kosova, një skenar që nuk ka gjasa të ndodhë për shkak të qëllimeve të Prishtinës për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Edhe pse shumica e shqiptarëve mund të preferojnë të jetojnë nën udhëheqjen e Kosovës, atyre do t’u duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë paqësore me Serbinë për sa kohë që institucionet shtetërore të Beogradit mbeten të forta. Pavarësisht përpjekjeve të Vuçic për shkëmbim territoresh, për zyrtarët e tjerë në Beograd do të ishte e paimagjinueshme që kontrolli i këtij rajoni paqësor t’i dorëzohej Kosovës. 

Por Mitrovica e Veriut, e cila shtrihet nga lumi Ibër deri në kufirin me Serbinë, është një tjetër histori. Ky territor me shumicë serbe dhe ka qenë në mënyrë efektive i pavarur nga Kosova që nga viti 1999. Megjithëse Marrëveshja e Brukselit për vitin 2013 solli marrjen e disa hapave për integrimin e rajonit në Kosovë, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave të rajonit në mënyrë formale brenda forcave policore të Kosovës. Megjithatë rajoni vazhdon të jetë etnikisht i ndarë dhe funksionon në mënyrë autonome. Serbët ende kontrollojnë sigurinë e rajonit dhe sipas gazetës amerikane riintegrimi i asaj zone në Kosovë mund të bëhet vetëm me forcë.  Por nëse Prishtina zyrtare do të përpiqej ta kontrollonte ose të dëbonte forcat e sigurisë serbe, do të shkaktonte shpërthimin e dhunës dhe trazirave masive. Në rast konflikti, Serbia me siguri do të mbështesë ushtarakisht serbët e Mitrovicës. Ky skenar do të ishte i ngjashëm me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Lugina e Presheves 

Ndoshta një mënyrë për të shmangur shpërthimin e konflikteve, do të ishte sipas gazetës amerikane, që Kosova t’ia dorëzojë kontrollin formal të rajonit Serbisë, duke marrë kontrollin e Luginës së Preshevës dhe njohjen e pavarësisë. Megjithatë ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi t’i hapë derën trazirave të mëtejshme, pasi ka pak gjasa që serbët të “dorëzjnë” Luginën e Preshevës.

Pedi Eshdaun, një analist ndërkombëtar që studioi pasojat e luftës së Bosnjes, i ka bërë thirrje publikisht Federika Mogerinit që të ndalojë shkëmbimin e territoreve. "Kalimi i kufijve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhë konfliktet, por t'i përkeqësojë edhe më tepër”, thotë ai. "Paqja mund të vijë vetëm kur mësojmë si të jetojmë në bashkësi multietnike dhe jo kur rishkruajmë kufijtë. Nuk ka asnjë politikë që ka më shumë gjasa të na çojë drejt luftës dhe konflikteve në Ballkan sesa ajo që po mbështesim tani. " /Washington Post/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë