Analize

A mund të “korrigjohen” kufijtë e Kosovës dhe Serbisë, si ato të Holandës dhe Belgjikës?

Historia na ka mësuar se konfliktet territoriale çojnë hera-herës në beteja të përgjakshme që mund të zgjasin për dekada të tëra. Konfliktet për tokën kanë përgjakur për shekujt të tërë Europën dhe Lindjen e Mesme, duke filluar nga Qiproja, Ukraina, Izraeli dhe për të përfunduar me “bërthamën”e konflikteve etnike: Ballkanin Perëndimor. Toka e fundit që u përgjak ishte ajo e Kosovës, tanimë një shtet i pavarur që po bëhet gati të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Por një pakt për ndryshimin e kufijve me armikun e dikurshëm, Serbinë, po vërvitej prej disa javësh në rajon, duke kërcënuar të rihapë sërish plagët e vjetra.

Edhe pse me të gjithë kundër, Presidenti Hashim Thaçi është duke këmbëngulur çdo ditë për korrigjimin e kufijve me Beogradin, duke ftuar të gjitha institucionet, partitë politike të përfshihen në këtë proces. Ndër të tjera, presidenti ka deklaruar se do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të vendosin për bashkimin Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, duke sinjalizuar kështu organizimin e një referendumi kombëtar. Qëndrimi i tij duket se bie ndesh më atë të Kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka paralajmëruar se kufijtë e Kosovës ndërrohen vetëm me pushkë. E megjithatë, rastësisht ose jo, Thaçi ka piketuar tanimë një model paqësor të shkëmbimit të territoreve në mendjen e tij: atë mes Belgjikës dhe Holandës. Në një konferencë për mediat, presidenti ka theksuar se duke u bazuar në këtë model, Kosova dhe Serbia do të mund të kenë mbështetjen e plotë nga aktorët ndërkombëtarë për të arritur një marrëveshje paqësore dhe përfundimtare.

”Unë e kuptoj reagimin e nxituar dhe të pamatur të disa individëve apo partive politike lidhur me korrigjimin e kufirit si opsion përfundimtar paqësor. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Luginën e Preshevës Kosovës, pa u pajtuar me Serbinë për korrigjimin e kufirit- është shprehur ai-  Anë e mbanë botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore. Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite me parë (2016) ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete kanë pasur arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm”.

Presidenti Hashim Thaçi

Në kohën kur Serbia dhe Kosova mbanim bisedime intensive për normalizimin e marrëdhënieve, Belgjika dhe Holanda arritën të zgjidhnin një mosmarrëveshje të madhe territoriale, pa qenë e nevojshme të rrëmbejnë pushkët. Megjithatë, ndryshimi i kufirit erdhi pas një vrasjeje tjë dhunshme dhe një hetimi  policor që dukej se nuk po çonte asgjëkundi. Dy vite më parë, dy vendet e Bashkimit Europian nënshkruan një marrëveshje paqësore për shkëmbimin e territoreve. E gjithë lufta “diplomatike” duket se u bë për lumin Meuse, e cili është edhe kufiri natyror që ndante dy vendet. Belgjika ra dakord të hiqte dorë nga një gadishull i vogël, i pabanuar, në këmbim të një pjesë të vogël toke aty pranë.

Përse u bë shkëmbimi i territoreve?

Shkëmbimet e territoreve duket se i dhënë fund një makthi të vërtetë juridik, veçanërisht për Belgjikën. Kufiri fillestar, i miratuar në 1843, kalonte nëpër pikat më të thella të lumit. Megjithatë, kur u rikonfigurua për qëllime lundrimi në vitin 1961, tre pjesë të tokës rreth lumit kaluan në anën e gabuar të kufirit. Si rezultat, një pjesë e qytetarëve belgë u bllokuan në bregun holandez të lumit Meuse, dhe anasjelltas, shumë qytetarë holandezë u bllokuan në kufirin belg. Ky shkëmbim filloi të shkaktojë probleme për Brukselin, pasi territoret belge në Holandë u kthyen në strehë për trafikantët e drogës dhe prostitucionit.

Gjithçka nisi disa vjet më parë, kur një çift gjeti rastësisht në një trup pa kokë dhe telefonoi autoritetet holandeze. Ata i informuan se rripi i tokës ishte nën juridiksionin e Belgjikës. Por autoritetet belge nuk mund ta arrin këtë zonë nga toka pa kaluar territorin holandez, gjë që kërkonte leje të posaçme. Alternativa e vetme ishte kalimi i lumit. Megjithatë, duke qenë se nuk kishte zona të përshtatshme për ankorimin e anijeve, policia belge e pati jashtëzakonisht të vështirë të arrinte në vendin e ngjarjes. Pasi i ranë rreth e rrotull lumin Meuse, së bashku me prokurorët, mjekët ligjorë dhe personelin e laboratorit gjyqësor, të dyja palët vendosën se duhet të gjenin një zgjidhje të menjëhershme për kalimin e kufirit.

Lumi Meuse, kufiri mes Belgjikës dhe Holandës

Si u bë shkëmbimi i territoreve?

Territori i Belgjikës u zvogëlua, ndërsa Holanda u bë edhe më e madhe. Si Amsterdami ashtu edhe Brukseli ranë dakort të “falnin” parcela të pabanuara toke për të ndryshuar njëherë e mirë kufijtë pranë lumit. Por marrëveshja mes dy vendeve hasi një sërë vështirësish pasi shkëmbimi nuk ishte i barabartë: Belgjika dha 35 hektarë tokë piktoreske nga ana lindore e lumit Meuse në këmbim të marrjes së shtatë hektarëve tokë nga Holanda.

Por kjo nuk i ndaloi dy vendet të zgjidhnin çështjen që kishte shqetësuar prej dekadash të tëra banorët e lumit. Zëvendëskryeministrat e të dyja vendeve dhe ministrat e punëve të jashtme nënshkruan në vitin 2016 në Amsterdam, marrëveshjen për korrigjimin e kufirit. Gjatë ceremonisë morën pjesë gjithashtu edhe monarkët holandezë dhe ata belgë.

"Sot kemi treguar se Belgjika dhe Holanda janë dy fqinjë të mirë që arritën t'i korrigjonin kufijtë e tyre në mënyrë paqësore”, tha ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, gjatë ceremonisë. Homologu i tij belg, Didier Reynders, u shpreh se traktati kufitar ishte simbol i marrëdhënieve të shkëlqyera belgo-holandeze dhe se tregonte se kufijtë mund të ndryshohen edhe në mënyrë paqësore.

Sipas kufirit të e tanishëm, mënyra e vetme pa kaluar nga njëri vend në tjerrin është me anije. Megjithatë, shkëmbimi i tokës, nuk përfshiu fshatin kufitar të Baarle-Hertogut, i cili fillon në tokën holandeze dhe përfundon në atë belge.

Firmosja e marrëveshjes mes Belgjikës dhe Holandës në Amsterdam

A mund ta ndjekin Kosova dhe Serbia këtë model?

Për një rajon si Ballkani, ku ndryshimi i kufijve ka përndjekur banorët për shekujt të tërë, shkëmbimi i territoreve perceptohet nga të gjithë si hapja e “kutisë së Pandorës”. Për më tepër, Holanda dhe Belgjika nuk kanë përjetuar asnjë nga trazirat dhe luftrat më të cilat janë përballur Kosova dhe Serbia. Ideja për shkëmbimin e territoreve vjen 10 vite pas pavarësisë së Kosovës, dhe për më tepër në një moment mjaft delikat për qeveritë e të dyja vendeve, të cilat nuk kanë arritur ende normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht ndërmjetësimit të Bashkimit Europian.  Ndryshe nga Belgjika dhe Holanda, Beogradi dhe Prishtina ushqejnë një “urrejtje endemike” ndaj njëra-tjetrës  madje Serbia nuk e njeh ende Kosovën si shtet në arenën ndërkombëtare. Shkëmbimi i territoreve mes Amsterdamit dhe Brukselit erdhi në kushte totalisht të kundërta me ato ku ndodhen sot Prishtina dhe Beogradi, të cilat ndryshe nga dy monarkitë, mund ta konsiderojë njëra-tjetrën gjithçka veçse “aleate të shkëlqyera”.

Mos të harrojmë pastaj, se ndryshe nga Veriu i Mitrovicës, zonat përreth lumit Meuse nuk përbënin rëndësi të madhe strategjike as për Belgjikën as për Holandën, përkundrazi ishin kthyer në një strehë të izoluar për të gjithë trafikantët dhe kriminelët që i fshiheshin ligjit. Një nga arsyet pse Beogradi këmbëngul në rishikimin e kufijve me Prishtinën është se Mitrovica ka një rëndësi strategjike jo vetëm si një nyje kalimi veri-jug dhe lindje-perëndim, por edhe për shkak të burimeve natyrore që mbart. Më e rëndësishmja është miniera e Trepçës. E vendosur më pak se 10 kilometra larg qytetit të Mitrovicës, kjo minierë është më e madhja në Europë sa i takon rezervave të plumbit, zinkut dhe argjendit. Ndërkohë Kosova kërkon të rimarrë me çdo kusht në gjirin e saj Luginën e Preshevës, pasuria më e madhe e së cilës janë vetë shqiptarët që banojnë atje. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë