Ekonomi

A mund të dështojë Shqipëria të shlyejë Eurobondin?!

Sabina Veizaj - Raporti i Bankës Qendrore të Irlandës i do ditëve më parë, një prospekt i menaxherëve të përbashkët Citibank, Banka Intesa Sanpaolo IMI dhe Societe Generale për emetimin e Eurobondit shqiptar në 2018-ën, lajmëron investitorët se Shqipëria mund të dështojë të shlyejë detyrimet e saj të borxhit.

Dhe një nga arsyet kryesore që citon raporti janë eksportet, sektor me rëndësi që afekton ekonominë e një vendi.

Teksa modeli i zhvillimit të Shqipërisë si vend i vogël varet nga tregtia edhe investimet, sektori i eksporteve përballet me problematika të thekshme, pavarësisht shkëlqimit të shifrave zyrtare për rritje të volumit të eksporteve gjatë vitit që lamë pas.

“Përsa i përket eksporteve, eksportet rriten konsiderueshëm në 11 mujor, 15%. Nga erdhi euro? Nga erdhi euro? Janë fondamentet ekonomike!”, do të thoshte ish-Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj në konferencën e fundit për shtyp më 4 janar, duke u shprehur entuziast për rritjen e eksporteve.

Por, kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve Alban Zusi, sqaron se xhiroja e eksporteve nuk tregon se sektori është i shëndoshë, përkundrazi, sipas tij sektori po punon me rënie të fitimeve në masën 70% krahasimisht me vitin e kaluar.

Alban Zusi, Qendra e Eksporteve Shqiptare

Ai argumenton se luhatshmëria e euros ka qenë goditja e parë dhe shumë e fuqishme që i është dhënë këtij sektori përgjatë 2018-ës pasi me rënien e euros ka rënë fuqia konkurruese e bizneseve eksportuese shqiptare.

“Eksportuesit shqiptarë, vërtet po vazhdojnë të realizojnë kontratat dhe xhirot sepse nuk mund të ndërpresin biznesin, por për të njëjtën xhiro ata janë duke realizuar një fitim të barabartë me 20-30% të fitimit që realizonin para një viti. Do të thotë 70% më pak për të njëjtat volume biznesi”, thotë për Gazetën “Si” Zusi.

Eksportet sipas INSTAT rezultuan me 310 miliardë lekë për vitin 2018 ose 13.7% më të larta në terma vjetorë.

Gati 236 mld lekë u drejtuan në Bashkimin Europian dhe 27 mld në Kosovë e cila si monedhë zyrtare përdor monedhën e përbashkët europiane.
Të dhënat zyrtare të BSH-së flasin për një nënçmim të euros me 5%, kurse vetë sektori humbjen e ka llogaritur 10%.

Duke iu referuar nënçmimit të euros me 5%, rezulton që sektori i eksporteve të ketë humbur 105 mln euro gjatë vitit që lamë pas.

Zusi sqaron se rënia drastike e fitimit neto të kompanive eksportuese do të reflektohet në uljen e aftësisë së këtyre bizneseve për të hapur vende të reja pune, për të bërë investime të reja, për të marrë kredi dhe për të synuar rritjen e performancës së produkteve dhe shërbimeve të tyre, për të mbyllur akoma më tej ciklin e prodhimit në Shqipëri, (për bizneset rieksportues). “Për shkak të uljes së fitimeve të tyre dhe për shkak të paaftësisë së tyre për të investuar apo për të marrë kredi do të ketë një impakt edhe në të gjitha bizneset vendase të cilat u shërbejnë në mënyrë direkte apo indirekte këtyre biznese”, shpjegon ai.

Efekti tjetër në ekonomi që përmend Zusi është, se kjo kategori biznesesh nuk do të vazhdojë më trendin e rritjes së pagave, sëpaku edhe për vitin 2019 dhe vështirë se do të punësojë të diplomuar të rinj në nivele menaxheriale.

Bizneset ndjekin një filozofi punësimi të tillë, që kur fitimet realizohen në masën 20-30 mijë euro, hapin një vend pune. Për shkak të rënies së euros, duke llogaritur 50% të eksporteve në vlerë 1 mld lekë të realizuara nga industritë përpunuese (Tekstile, ushqimore), ky 1 mld euro ka një impakt prej rënies së euros 100 mln euro (duke u llogaritur me humbje 10%), rezultojnë të paktën 5000 vende pune më pak ose të parealizuara, që përkthehen në taksa, xhiro, likuiditet të munguar.

“Nëse euro qëndron në këto nivele, bizneseve eksportuese do t'u duhen të paktën 2-3 vite që të shkojnë në fazën përpara krizës së euros me qëllim për të përmirësuar çmimet, për të gjetur tregje të reja, për produkte të reja konkurruese. Ndërkohë ndonjëri edhe mund të ketë falimentuar. Ka plot biznese që janë në kapërcyell”, thotë ai.

Goditje tjetër përveç euros, eksportet morën edhe nga mosrimbursimi i TVSH-së që numëron qindra milionë euro të munguara në bilancin e këtyre bizneseve dhe një periudhë 7 muaj deri në 1 vit, ndërsa ligji detyron që TVSH të rimbursohet brenda 30 ditëve.

“Bëhen shlyerje të pjesshme jashtë afatit ligjor dhe që vazhdon akumulohet dhe që krijon vështirësinë e dytë të madhe, përveç rënies së likuiditetit për shkak të rënies së fitimit neto”, argumenton Zusi.

Kurse Ahmetaj do ta konsideronte shumën e munguar 'Gjëra të vogla" në konferencën e tij të fundit si ministër.

“I gjithë stoku që i referohet kompanive të vogla është operativ 1,8 mld. Që do të thotë që shqetësimi i referuar mund të jetë diku diku, por nuk është sistemik”, do të citonte Ahmetaj pas pushimeve dimërore.

Kurse goditja e tretë i erdhi eksporteve sipas Zusit nga vendimi i qeverisë në fund të vitit të shkuar për rritjen e pagës minimale.

Për kreun e Qendrës së Eksporteve ky vendim godet në mënyrë të drejtpërdrejtë industritë eksportuese me numër të madh punonjësish ku numri i punonjësve pa kualifikim është më i madh se kudo tjetër dhe rrjedhimisht numri i punonjësve me pagë minimale është më i madh se kudo tjetër. Pasi dihet, thotë ai, që industritë e përpunimiit fason apo produktet bujqëosore realizohen nga njerëz me nivel shumë të ulët kualifikimi, pa aftësi të tjera formuese për tregun e punës, rrjedhimisht është e pritshme që kjo kategori njerëzish që nuk do të gjenin alternativa të tjera në tregun e punës, përveçse në këto sektorë, është e pritshme të kenë një pagë minimale. Sipas të dhënave nga biznesi, 15-20 % e punonjësve në këtë sektor paguhet me pagë minimale. “Rritja e pagës minimale, nuk është se u shërben atyre për rritje të ardhurash, por më së shumti rrit përsëri koston e bizneseve eksportuese sepse për shkak të kësaj rritjeje, bizneset kanë një kosto të shtuar për sigurime shoqërore; 700 lekë për çdo punonjës që është në nivelet e pagës minimale plus 1500 lekë të tjera do tia japësh vetë punonjësit sepse në të kundërt paguan gjobë. Pra me këtë vendim i japim një goditje të tretë këtyre biznesev, të cilët edhe ashtu siç janë, janë të rrënuar”, argumenton Zusi.

Për kreun e Qendrës së Eksporteve, me një normë fitimi 5%, që mendohet të jetë norma aktuale e fitimit të bizneseve të eksportit, ata vetëm mbijetojnë dhe vegjetojnë, nuk zhvillohen.

“Derisa të mbyllen. Ti mund të kesh një biznes që ka 10 mld euro dhe të falimentojë, siç mund të kesh një biznes me 10 mln euro dhe të jetë i shëndetshëm. Ajo që evidenton shëndetin e biznesit është sa këto eksporte realizojnë fitim për të investuar. Dy klientë të mos paguajnë, falimenton. Bizneset duhet të kenë një normë fitimi neto mbi 15%, (binzes prodhues) që ti mundësojë rritjen dhe zhvillimin”, shpjegon Zusi.

Sipas tij, ajo që aktualisht po bëjnë pjesa më e madhe e bizneseve të eksportit në mungesë likuiditeti dhe humbjen e fitimeve neto, vigjilojnë risqet, pjesa tjetër është në prag të falimentit.


“Ti mund të kesh një biznes që ka 10 mld euro dhe të falimentojë, siç mund të kesh një biznes me 10 mln euro dhe të jetë i shëndetshëm. Ajo që evidenton shëndetin e biznesit është sa këto eksporte realizojnë fitim për të investuar. Dy klientë të mos paguajnë, falimenton. Bizneset duhet të kenë një normë fitimi neto mbi 15%, (binzes prodhues) që ti mundësojë rritjen dhe zhvillimin.” Zusi.

“Përgjithësisht janë tekstilet dhe këpucët sepse kanë marzhet e fitimit më të ulta, por mbi të gjitha kanë presion shumë të madh konkurrencën ndërkombëtare sepse në këtë lloj industrie çmimin nuk e përcakton dot ti, por tregu ndërkombëtar i punës. Në produkte të tjera kur ke lëndën e parë vendase, ti ke më tepër liri për të vepruar sepse posedon edhe lëndën e parë që të jep fuqi më të madhe”, thotë ai.

Por Zusi nuk ka një përgjigjje dhe statistikë se sa biznese eksportuese janë në pragfalimentimi ose edhe kanë falimentuar për shkak të mungesës së legjislacionit për ndërtimin dhe funksionimin e strukturave përkatëse.

“Nuk prodhohen statistika sepse mungon rregullimi nga ana e qeverisë me ligj të funksionimit të organizatave profesionale të biznesit. Duke qenë se nuk ka një kuadër rregullues ligjor, siç janë në Europë që bizneset janë të detyruar të jenë të strukturuar në organizata profesionale sipas sektorëve përkatës të biznesit, jo në dhoma tregtie, por në organizata profesionale, të cilat përveçse mbrojtjes së interesave dhe advokimit për bizneset prodhojnë edhe statistika për politikbërjen, është e pamundur ta marrësh këtë lloj informacioni. Duhet të ketë ligj”, thotë Zusi.

Po ashtu edhe Raporti i Bankës Qendrore të Irlandës, në risqet që shfaqen për shlyerjen e eurobondit, përpos faktorëve ekonomikë dhe politikë, përmend infrastrukturën ligjore të Shqipërisë dhe kuadrin rregullator ende në zhvillim; të paqëndrueshëm e të pa konsoliduar.
Në vend numërohen gati 1000 biznese eksportuese me një xhiro vjetore prej 2 mld lekë.
Një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit, të cilit gjatë 2019-ës do t'i mungojnë më shumë se 5000 vende pune që do të afektojnë në mënyrë zinxhir hallkat e tjera të ekonomisë duke ngadalësuar rritjen ekonomike të vendit për 2019-ën në 3,6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë