Irena Beqiraj

A kanë nxitur kushtëzimet e BE autoritarizmin konkurrues?


Nga Irena Beqiraj-Raportet teknike të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor (ku futet dhe Shqipëria), kanë përmirësuar nivelin e përputhshmërisë, por paradoksalisht ecja drejt europianizimit nuk ka çuar në demokratizim të shoqërisë.

Rrugëtimi 30-vjeçar, i cili ka pasur destinacion demokracinë liberale, ka stopuar në stacionin e autoritarizmit konkurrues.

Kushtëzimet e BE, edhe pse në këndvështrim të parë, mund të konsiderohen si shtytës i zhvillimit dhe instalimit të demokracisë kanë tri lidhje të dallueshme me zhvillimin e autoritarizmit konkurrues.

Paraja- Liberalizimi i tregut qëndron në thelb të procesit të pranimit në BE. Por nëse derregullimi, privatizimi dhe futja në tregun e vetëm europian, në vendet Europës Perëndimore, ndodhën gradualisht, Shqipëria dhe vendet e rajonit u përballën me “dilemën e njëkohshmërisë”. Atyre u kërkohej në të njëjtën kohë të zbatonin paralelisht format politike edhe ato të liberalizimit të tregut, por mungesa e kornizave rregullatore të zhvilluara mundësoi që një elitë e vogël aktorësh ekonomikë të siguronin fitime të konsiderueshme monetare private, si dhe të ndërtonin rrjete të forta klienteliste, duke rritur kështu sistematikisht ndikimin e tyre në politikë. Duke nxitur liberalizim dhe privatizim në një fazë kaq të hershme të tranzicionit politik dhe në një kontekst të brishtë, BE së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare kanë lehtësuar pa dashje shfaqjen e rrjeteve joformale me ndikim politik.

Pasivitet në politikëbërje - Anëtarësimi në BE ka qenë edhe është parë si përparësia thelbësore në hartimin e politikave të brendshme. Kushtëzimet e forta të BE-së, të cilat imponohen nga lart-poshtë zvogëlojnë  hapësirën për konkurrencë politike dhe diskutime të brendshme, duke fuqizuar aktorët ekzekutivë, të cilët imponojnë preferencat e tyre duke iu referuar pikërisht  kufizimeve të jashtme të vendosura nga BE. Politikat e zgjerimit të BE-së kanë prodhuar “efekte patologjike” ku politikanët kanë përshtatur sjelljen e tyre afatshkurtër si fasadë për të fshehur praktikat informale në vendimmarrje. Në vend të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe matjes së brendshmi të efekteve për reformat e ndërmarra, janë raportet e KE të vetmet  matëse të performancës.

Stabilitokracia- Duke pasur parasysh rëndësinë e lartë të anëtarësimit në BE për opinionin publik, çdo përparim zyrtar drejt pranimit, si dhe ndërveprimet e nivelit të lartë me zyrtarët e BE-së ose shteteve anëtare është interpretuar nga përfaqësuesit e qeverive si mbështetje ndaj tyre. Fokusi i BE-së në pajtueshmërinë formale “zyrtare dhe ligjore” ka lejuar politikanët të forcojnë legjitimitetin e tyre dhe pse niveli i përgjegjshmërisë dhe i transparencës ka qenë i ulët, duke minuar kështu zërat e brendshëm kritikë. Në këtë mënyrë më shumë sesa demokracia është promovuar stabilitokracia.

Mbase ka ardhur koha të ndryshojmë pikëvështrimin “Demokracia nuk importohet, por ndërtohet”.


Copyright © Gazeta “Si”