Bota

A ka fituar Rusia duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i OSBE për vitin 2024?

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i ka hedhur poshtë vlerësimet se Rusia ka fituar duke votuar që Malta të jetë vendi kryesues i organizatës më 2024, pasi Moska i ka vënë veto Estonisë, shtet anëtar i NATO-s.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Osmani ka thënë se vendimi shënon “fitore për rregullin ndërkombëtar”, pasi OSBE-ja funksionon me konsensus.

“Ne e kemi mbështetur Estoninë prej kur ka shprehur synimin për ta udhëhequr organizatën, qysh më 2020, dhe kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të arritur konsensus për Estoninë. Vetëm disa javë më parë ne e prezantuam atë në tavolinë, në Vjenë. Fatkeqësisht Federata Ruse dhe Bjellorusia nuk e kanë mbështetur kandidaturën e Estonisë. Më pas na është dashur të gjejmë një zgjidhje alternative, një shtet që do të jetë bazë për konsensus për 57 vendet anëtare. Kam komunikuar me secilin ministër të Jashtëm të OSBE-së, i kam pyetur nëse janë të gatshëm të veprojnë dhe ta shpëtojnë organizatën. Jam i lumtur për mirëkuptimin e Maltës, për angazhimin e tyre edhe pse Malta nuk ka ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se Malta ka bërë hap historik për të mundësuar mbijetesën e organizatës. Ka qenë propozimi ynë dhe jam mirënjohës ndaj OSBE-së, dhe shteteve pjesëmarrëse që e kanë mbështetur këtë propozim”, tha ndër të tjera Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë